BE e dyzuar, Kurti nxjerr provat që implikojnë Serbinë në sulmin terrorist
Edhe pse është e qartë se grupi terrorist që sulmoi policinë e Kosovës u përgatit nga shteti serb, Bashkimi Europian mbetet i dyzuar për të dënuar rolin e Serbisë, ndërkohë që mban në fuqi masat për Kosovën. Deklarata e fundit e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell është ajo e së dielës, kur ai i quan terroristët “një bandë e armatosur” dhe shton se “të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen”.
Edhe këtë të mërkurë, 3 ditë pas sulmit, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano qëndroi në të njëjtat pozita, kur u shpreh se “kur të kemi pasqyrën e qartë nga hetimet, çfarë ndodhi, kush qëndron prapa kësaj dhe kush është përgjegjës, pasi kjo të jetë e qartë do të marrim vendimet e duhura”. Ndërkohë ditët e fundit, kryeministri Kurti dhe ministri i brendshëm Zveçla kanë publikuar disa prova që tregojnë se sulmi u përgatit në Serbi.
1) Sasia e armatimit që la pas grupi terrorist në Banjskë është dëshmi se ata nuk ishin thjesht një “bandë” kriminale. Arsenali ishte i tillë që sulmi ishte parashikuar të zgjaste në kohë dhe nuk mund të gjendej lehtësisht nga një grup kriminelësh. Policia e Kosovës ditën e hënë ekspozoi raketahedhës, granatahedhës, pushkë të shumta automatike, pushkë snajper, automjete ushtarake, eksplozivë etj, në sasi të tilla që mund të përdoreshin nga qindra persona.
Armët dhe municionet sipas një hulumtimi të Radio Evropa e Lirë në shumicën e rasteve prodhohen në fabrikat serbe dhe ish-jugosllave të armëve. Pothuajse i gjithë arsenali është parë në konfliktet luftarake në territorin e ish-Jugosllavisë. Më poshtë është një listë e armatimeve që u gjetën në Banjskë e publikuar nga Kurti në rrjeti social X.
2) Ministri i Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar këtë të mërkurë një tjetër provë që lidh shtetin e Serbisë drejtpërdrejt me aksionin terrorist kundër policisë së Kosovës. Përmes një postimi në facebook Sveçla ka publikuar një dokument që ushtria serbe i ka dhënë grupit të armatosur me rastin e dorëzimit të një hedhësi granatash që shihet në fotot e mëposhtme.
“Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht”, shkruan Sveçla në një postim në Facebook.
3) Një tjetër provë e përfshirjes së shtetit në serb në sulmin e Banjskës është fakti se një nga viktimat ishte truproja personale e shefit të shërbimeve secrete të Beogradit, Aleksandër Vulinit gjatë një vizite në Kosovë. Dokumentin e identifikimit e publikoi sërish Xhelal Zveçla në rrjetet sociale.
“Sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013” shkruan Zveçla.
4) Provë e rëndësishme e përfshirjes së shtetit serb në sulmin e Banjskës ishte edhe përfshirja e Milan Radojçiçit në grupin që vrau policin Afrim Bunjaku. Milan Radojçiç, si nënkryetar i Listës serbe kishte rolin e liderit të grupit dhe tprej vitesh ka qenë në koordinim me Beogradin për çdo vendim politik të Listës Serbe.
Radojçiç ka mbajtur vazhdimisht kontakte me politikanët e Kosovës si përfaqësues i serbëve të veriut. Së fundmi në përgjimet që publikoi Nacionale ai dëgjohet të komunikojë me kryetaren e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila. Më 2017, mediat raportuan se Radoiçiçi ishte takuar me kryetarin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR) Behxhet Pacolli, në një jaht luksoz në Mal të Zi. Më 2018, kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, e priti atë në zyrat e qeverisë. Haradinaj deklaroi se ata janë takuar sebashku edhe me ish presidentin Hashim Thaçi, ama përpara se ai të qe shpallur në kërkim nga autoritetet e Kosovës.
5) Për të provuar se pas sulmit qëndron Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u shpreh pak ditë më parë në rrjetet sociale se presidenti i Serbisë ia kishte krahasuar Radojçiçin me Adem Jasharin gjatë një bisede në datën 2 Maj.
“Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve” tha Kurti. Të njëjtin krahasim, Vuçiç e bëri edhe pas sulmit në Banjskë, kur tha se “Kur Serbia shkoi në Drenicë, që të konfrontohej me ata që donin të shkëputeshin nga shteti i njohur ndërkombëtarisht, ata thanë se ishin luftëtarë për liri me në krye Adem Jasharin dhe jo terroristë. Vetëm Serbia si duket qenka terroriste!” tha Vuçiç në konferencën pas sulmit.
6) Por ndoshta një nga provat më të rëndësishme për mbështetjen që i dha shteti serb sulmit terrorist është vendimi për t’i nderuar të vrarët me nderime shtetërore. Kjo e mërkurë u shpall ditë zie në Serbi me vendim të qeverisë. Flamujt u ulën në gjysëm-shtizë, ndërsa të vrarët u glorifikuan si heronj që ranë për të drejtat e serbëve në Kosovë.
Pavarësisht këtyre të dhënave, Bashkimi Europian mban në fuqi masat ndaj Kosovës, ndërsa ngurron të dënojë qëndrimet e shtetit të Serbisë. Pas një diskutimi të martën në mbrëmje përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë diskutuar për situatën në veri të Kosovës dhe disa prej tyre kanë kërkuar që të vendosen masa ndaj Serbisë. Në këtë linjë ishte edhe Shqipëria, pasi sipas kryeministrit Rama “ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që pastaj ka pasuar në Beograd me shpalljen e një ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”.
Europa duhet te ndaje mendjen me Serbine nje here e pergjithmone