Ekonomia

Bizneset u kanë borxh Tatimeve 880 milionë euro, ja 30 debitorët më të mëdhenj, kryeson ARMO (126 mln euro)

Taksat që bizneset (shumë prej tyre të falimentuar tashmë), nuk kanë paguar në vite kanë arritur në 107.7 miliardë lekë, ose rreth 880 milionë euro. Shifra bëhet e ditur në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për buxhetin faktik 2018.

Në fund të 2017-s, borxhi ishte 95 miliardë lekë, pra është shënuar një rritje prej rreth 13%. Peshën më të madhe të këtij borxhi e kanë Drejtoria Rajonale e Tiranës, me 43% të totalit dhe Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj (VIP), me 28% të totalit, e ndjekur nga Durrësi, me 7%.

Tatimet kanë bërë të ditur edhe listën e 30 debitorëve të mëdhenj, ku debitori më i madh në shtet është rafineria e naftës A.R.M.O, me një detyrim prej 8.4 miliardë lekësh. Kompania është me status pasiv dhe është në procedurë të konfiskimit të pasurisë.

Debitori i dytë më i madh është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHHE), me një borxh prej 6.2 miliardë lekësh.

I treti është IONIAN REFINING AND TRADING COMPANY – IRTC edhe kjo një kompani që ka shfrytëzuar rafinerinë e naftës, me 5.4 miliardë lekë.

Debitori i katërt më i madh është EFOR – K SHPK, që ka një borxh tatimor prej 3.8 miliardë lekësh. Kompania është krijuar në vitin 2007, me aktivitet në fushën e import-eksportit, tregti me shumicë e pakicë të mallrave të ndryshëm industrialë dhe ka pasur probleme që prej vitit 2013, kur kanë filluar dhe urdhrat për sekuestro, sipas ekstraktit në QKB dhe është në listën e bizneseve me barrë hipotekore prej 2016-s.

I pesti është operatori tjetër shtetëror i energjisë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a KESH), me një borxh tatimor prej gati 2 miliardë lekësh, sipas të dhënave nga tatimet. Tatimet pohojnë se janë në komunikim ndërinstitucional për përmbushje te detyrimit.

Listën e vijojnë KOTERRI, TOP BAST, ENERGJI SHPK, GEOTEC ALBANIA BRANCH, BELLE AIR (që është në proces falimentimi).

Në vend të 11 është Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, me një borxh tatimor prej 1 miliard lekësh, në proces ankimimi.

Simmons Edeco Limited, Dega në Shqipëri, nënkontraktor i Bankers, është në proces ankimimi për një borxh prej rreth 570 milionë lekësh.

Kompanitë me status aktiv kanë 43% të borxhit në total vendi, ndërsa 57% janë subjekte që nuk kanë më aktivitet. KLSH thekson se nga auditimi për masat shtrënguese të marra për 10 prej tatimpaguesve më të mëdhenj, ku veçohen KESH sh.a, OSHEE, Bankers Petroleum Albania LTD, Simmons Edeco Limited, të cilët nuk janë në proces ankimi administrativ dhe gjyqësor referuar raportimit nga DMF, konstatohet se, administrimi i procesit të masave shtrënguese deri në mbledhjen e detyrimeve tatimore ka mos ezaurim të plotë të hapave që duhet të ndërmarrë administrata tatimore për rikuperimin e tij konform përcaktimeve të Ligjit nr. 9920 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe udhëzimit në zbatim të tij, pasi është marrë vetëm masa e bllokimit të llogarive bankare duke mos vazhduar me hapat e mëtejshëm që përcakton legjislacioni tatimor.

ARMO dhe nënkontraktorët, shfrytëzojnë rafinerinë dhe lënë pa paguar 126 milion euro

Rafineria e përpunimit të naftës së ARMO-s, që prej vitit 2008, kur u privatizua ka qenë objekt i abuzimit të vazhdueshëm. Rafineria merret me qira nga një kompani misterioze, shfrytëzohet, nuk paguhen taksat, më pas braktiset duke i lënë radhën një tjetri, që bën të njëjtën gjë.

Të dhënat e Tatimeve bëjnë të ditur që në fund të vitit 2018, borxhi që kompanitë e lidhura me rafinerinë i kishin shtetit arritën në 15 miliardë lekë, ose 126 milionë euro, teksa një pjesë e detyrimeve të mëparshme është falur nga amnistitë. Vetë A.R.M.O. ka një detyrim prej 8.4 miliardë lekësh, IONIAN REFINING AND TRADING COMPANY – IRTC, që e shfrytëzoi rafinerinë në 2017-n, ka një detyrim prej 5.4 miliardë lekësh.

ANIKA MERCURIA REFINERY ASSOCIATED OIL, që në QKB rezulton ende pronare e A.R.M.O ka një detyrim prej 835 milionë lekësh (është në urdhër sekuestro).

TPD-Trading Petrol & Drilling, një tjetër komani e lidhur me rafinerinë, ka një borxh prej 687 milionë lekësh (mbi të është vendosur barrë siguruese hipotekore).

Totali i detyrimeve që kanë kompanitë e lidhura me A.R.M.O është sa 14% e borxhit tatimor që kanë të gjitha bizneset.

Aktualisht rafineria po shfrytëzohet nga Toks Energji, një kompani që nuk ka krijuar detyrime ndaj shtetit gjatë aktiviteti të saj. Por, së fundmi dhe ajo e ka ndërprerë aktivitetin për shkak se nuk po furnizohet me naftë nga Bankers Petroleum.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button