Sipas Zyrës së kryeministrit Kurti, ai ka biseduar me Blinkenin për situatën në Kosovë si dhe dialogun me Serbinë.
Në njoftim është thënë se dy zyrtarët kanë diskutuar për nevojën e “intensifikimit të procesit të dialogut drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke në qendër të saj”.
Kurti, bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e kanë takuar Blinkenin në Uashington në korrik të këtij viti.
Zyrtarët kosovarë kanë thënë se në atë takim, Blinken ka konfirmuar qëndrimin që dialogu me Serbinë të përqendrohet në njohje reciproke.
Presidenti Vuçiq ka thënë më 13 shtator se sa të ketë ai ndikim, “Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës”.
Më 9 tetor, Kurti ka thënë se është optimist që në muajt vijues do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë.
Kurti ka thënë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel, është krijuar një qasje e re, duke përmendur kornizën e përgjithshme të marrëveshjes.
Sipas tij, “dialogu nuk duhet të shërbejë vetëm për menaxhim të krizave, por dialogu duhet të jetë për marrëveshje”.
“Tani jemi futur në një fazë të re, prej 18 gushtit të këtij viti. Kjo është fazë e re sepse tema e parë në zyrën e (kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep) Borrell në Bruksel ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Pra dialogim për marrëveshje, do të diskutojmë kornizën. Tani unë jam shumë më optimist, sepse, krahasuar me të kaluarën, kur njohja e pavarësisë ishte në fund të procesit, dhe po shndërronte këtë çështje në motivim për zvarritje të procesit, tani njohja e ndërsjellë nuk është në fund, por në qendër të marrëveshjes”.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.
Temat tjera që diskutoi Blinken me Vuçiqin
Në mesin e temave tjera që kanë diskutuar Blinken me Vuçiqin, kanë qenë edhe lidhja e Serbisë dhe Federatën e Rusisë, si dhe diversifikimi i burimeve të energjisë në këtë shtet. Serbia mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.
Serbia dhe Rusia tradicionalisht mbajnë marrëdhënie të ngushta dypalëshe, të forcuara nga varësia e Serbisë nga gazi rus. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.