Ekonomia

BSH: Sistemi financiar likuid dhe i qendrueshem

bankat-320x186Banka e Shqipërisë bën të ditur se, sektori bankar dhe sistemi financiar në përgjithësi paraqiten me një ecuri dhe shëndet të qëndrueshëm.

Sipas Bankës Qendrore, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2014 sektori bankar dhe sistemi financiar në përgjithësi paraqiten me një ecuri dhe shëndet të qëndrueshëm. Vëllimi i aktivitetit është zgjeruar, depozitat në sektorin bankar janë rritur dhe situata financiare është përmirësuar.

Treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizimit të sektorit bankar paraqiten në nivele të kënaqshme. Ecuria e treguesve makroekonomikë ka mbështetur qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Përmirësimi i rritjes ekonomike dhe veprimet e politikës fiskale dhe të asaj monetare, janë shoqëruar me një funksionim të mirë të tregjeve financiare dhe ulje të kostove të financimit.

Në sektorin bankar, cilësia e portofolit të kredisë vijon të përbëjë shqetësimin kryesor, pavarësisht faktit se gjatë kësaj periudhe, raporti i kredive me probleme paraqitet më i stabilizuar. Në vlerë absolute, kredia me probleme është tkurrur si dhe mbulimi me provigjione dhe kolateralizimi i saj është në nivele të përshtatshme.

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rrezikut të kreditit vlerësohet i ngjashëm me periudhën paraardhëse. Sidoqoftë, në përputhje me standardet për një vlerësim sa më të mirë të rrezikut, bankat duhet të vlerësojnë fondet rezervë për rrezikun e kreditit duke u mbështetur në një analizë konservatore të zhvillimeve të ardhshme.

Në lidhje me rrezikun e tregut dhe të likuiditetit, zhvillimet në mjedisin e jashtëm imponojnë nevojën për të vlerësuar ndikimin e mundshëm për veprimtarinë bankare në vendin tonë, të veprimeve që po ndërmarrin autoritetet evropiane për rivlerësimin e cilësisë së aktiveve, të niveleve të kapitalizimit dhe të masave të ristrukturimit të grupeve më të mëdha bankare evropiane.

Pas kryerjes së ushtrimit të provës së rezistencës (stress-test), sektori bankar, në tërësi, paraqitet i qëndrueshëm ndaj goditjeve të supozuara që burojnë prej lëvizjeve në treguesit makroekonomikë dhe në vlerën e portofolit të investimeve të tij. Treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë janë aktualisht në nivele të kënaqshme, por bankat duhet të vlerësojnë me kujdes skenarët e mundshëm të zhvillimeve të ardhshme dhe nevojat e tyre për kapital shtesë ben te ditur BSH-ja.

Banka  Qendrore veren se efektete pozitive po shoqerojne sistemin bankar ne saje te ndikimit që ka sjellë lehtësimi i mëtejshëm i politikës monetare nga ana e Bankës Qendrore Evropiane (ECB) në administrimin e rezervave valutore. Më konkretisht, si rrjedhojë e kësaj lëvizjeje, norma e kthimit për investimet në euro, në instrumente financiare me afat maturimi deri në tre vjet, me nivel të pranueshëm të rrezikut të kredisë është negative (poshtë zeros).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button