Buxheti 2019, 6.8% më shumë të ardhura sesa në vitin 2018
Të ardhurat tatimore nga tatimet, doganat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2019, vlerësohen të arrijnë 423.5 miliardë lekë, me një shtesë prej 27 miliardë lekë ose 6.8% më shumë se pritshmëria e vitit 2018.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha sot në komisionin e Ekonomisë se, të ardhurat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Doganave, parashikohet të jenë 325.6 miliardë lekë, me një rritje prej 6.7% ose 20.5 miliardë lekë më shumë se viti 2018.
“Të ardhurat doganore janë parashikuar duke u bazuar në analizën e trendit historik të 60 grup-produkteve kryesore, për një periudhë katër-vjeçare. Ky parashikim është korrektuar me efektet e faktorëve të tjerë të jashtëm në secilën taksë. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për të ardhurat nga tatimet, duke marrë për bazë modelin statistikor të projeksionit të të ardhurave të pritshme si dhe faktorët me ndikim në çdo taksë”, theksoi Ahmetaj.
Ministri theksoi se, faktorët që do të ndikojnë në rritjen e të ardhurave për vitin 2019 janë: në aspektin makro, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në aspektin e politikës fiskale janë masat e propozuar për vitin 2019: reduktimi i normës së dividendit nga 15% në 8%. (që vlerësohet të ketë impakt pozitiv në të ardhurat buxhetore të vitit 2019 me rreth 4.5 miliardë lekë, kjo i ofrimit të incentivës për zbatimin e kësaj norme të reduktuar edhe për fitimet e pashpërndara por të akumuluara apo të kapitalizuara të viteve të kaluara).
Ulje e ngarkesës fiskale për të punësuarit, duke e rritur fashën e të ardhurave, nga 130.000 lekë/muaj në 150.000 lekë/muaj, që tatohen me normën 13%.
(Nëpërmjet kësaj mase synohet të ulet barra tatimore për rreth 15.400 punëmarrës. Ky ndryshim parashikohet të sjellë një efekt në buxhetin e shtetit prej -0.3 miliardë lekë). Rritja e akcizës së cigareve sipas kalendarit me 3 lekë/paketa me efekt 0.46 miliardë lekë;
Ndryshimi i nivelit të akcizës për produktin e duhanit të përpunuar, puro dhe cigaret elektrike duke u rritur në masën 6,000 lekë/kg, me efekt pozitiv në buxhetin e shtetit prej 0.22 miliardë lekë
“Ndryshime në Ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” vlerësohet të sjellin një efekt prej -0.3 miliardë lekë në të ardhurat e buxhetit të shtetit, por që parashikohet të sjellin efekte pozitive në zhvillimin e sektorëve që preken si dhe unifikimi i tarifës doganore në masën 10% për të gjitha kodet tetë shifrore, që vlerësohet të ketë ndikim pozitiv në buxhetin e shtetit në masën 0.05 miliardë lekë”, tha Ahmetaj.