Buxheti i vitit elektoral, “Berisha” shpenzoi 98% të fondit rezervë
Shifrat
Kryeministria përdori 120 milionë lekë. Nishanit iu dhanë 5 milionë lekë për shpenzime operative
Shëndetësia – Rreth 56.92 milionë lekë ose rreth 2.9 për qind e fondit rezervë i është dhënë Ministrisë së Shëndetësisë, nëpërmjet 19 vendimeve, për përballimin e shpenzimeve të kurimit të disa të sëmurëve
Partitë – Rreth 65 milionë lekë, ose rreth 3.32 për qind e fondit rezervë është përdorur nëpërmjet një vendimi për partitë, për financimin e fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e 23 qershorit 2013
KQZ-ja – Rreth 521.0 milionë lekë, ose rreth 26.6 për qind e fondit rezervë është përdorur nëpërmjet një vendimi për KQZ-në për financimin e shpenzimeve për zgjedhjet e 23 qershorit
Shërbimet – Rreth 77.9 milionë lekë ose rreth 5.5 për qind e këtij fondi i është dhënë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, nëpërmjet dy vendimeve të Këshillit të Ministrave, për investime
Drejtësia – Rreth 58 milionë lekë ose rreth 2.96 për qind e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave i janë dhënë Ministrisë së Drejtësisë nëpërmjet 5 vendimeve për të përballuar një sërë çështjesh arbitrazhi
Gjendja – Gjendja e fondit rezervë të buxhetit të shtetit, e papërdorur, më datë 31 dhjetor 2013, është 41.6 milionë lekë.
Mbetjet – Fondet e miratuara për t’u përdorur nga fondi rezervë, por të paekzekutuara, më 31 dhjetor 2013, janë 31.3 milionë lekë.
Inovacioni – Shuma e miratuar prej 1 milion lekësh për AKTI-n nuk është akorduar, pasi institucioni nuk paraqiti kërkesë
NGA HERION MESI
Viti 2013 ka kapur kulmin e shpenzimeve marramendëse të qeverisë në ikje, e cila ka shpenzuar 98 për qind të fondit rezervë, duke e lënë arkën e shtetit bosh. Parlamenti pritet të diskutojë buxhetin faktit të vitit 2013, ku parashikohen në mënyrë të detajuar shpenzimet e kryera nga institucionet, që nga Presidenti, Kryeministria dhe ministritë. Nisur edhe nga rotacioni qeverisës, thuajse të gjitha institucionet e reja të ngritura pas shtatorit, fondet kryesore i kanë marrë pikërisht nga fondi rezervë, ku sipas raportit mbi përdorimin e fondit rezervë të buxhetit të shtetit dhe të fondit të kontingjencës për vitin 2013, deri më datën 31 dhjetor të vitit 2013, fondi rezervë i buxhetit të shtetit është prekur nëpërmjet 55 vendimeve të Këshillit të Ministrave, në shumën prej rreth 1 989.7 miliardë lekë, nga 2.0 miliardë lekë të planifikuar, ose rreth 97.92 për qind e tij.
Prekja e rezervave
Nga fondi rezervë, deri më datën 31 dhjetor të vitit të kaluar, mësohet se rreth 45.0 milionë lekë janë përdorur për shpenzime personeli, rreth 1.417 miliardë lekë për shpenzime të tjera korrente (shpenzime operative, transferta të brendshme dhe transferta të huaja, subvencion) dhe rreth 495.8 milionë lekë për investime. Në raport mësohet se rreth 5 milionë lekë ose rreth 0.26 për qind e fondit rezervë të përdorur deri në këtë periudhë të vitit 2013, i është dhënë Presidencës, nëpërmjet një vendimi për shpenzime operative. Rreth 120 milionë lekë ose rreth 6.13 për qind e fondit rezervë të përdorur deri tani, i është dhënë Këshillit të Ministrave, nëpërmjet dy vendimeve të tij. Rreth 203 milionë lekë ose rreth 10.37 për qind e këtij fondi i është dhënë Ministrisë së Energjetikës (METE-s), nëpërmjet dy vendimeve të Këshillit të Ministrave. Rreth 124.5 milionë lekë ose rreth 6.36 për qind e fondit rezervë i është dhënë Ministrisë së Financave, nëpërmjet pesë vendimeve, nga të cilat katër janë për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, për çështjen “Rrapo kundër Shqipërisë” në shumën 236 mijë lekë; “Cali kundër Shqipërisë”, në shumën 495 mijë lekë; “Ceka kundër Shqipërisë”, në shumën rreth 1.6 milionë lekë dhe “Manushaqe Puto kundër Shqipërisë” në shumën rreth 110 milionë lekë, si edhe një shtesë fondi për 12.1 milionë lekësh për kryerjen e pagesave ndaj “Deloitte Albania”, sh.p.k., për shërbimin e auditimit të borxhit të ministrive. Rreth 105.6 milionë lekë ose rreth 5.39 për qind e këtij fondi i është dhënë Ministrisë së Punëve të Jashtme, nëpërmjet tre vendimeve të Këshillit të Ministrave e konkretisht, për pagesën e kontributeve financiare të NATO-s, për selinë e re, për vitin 2012, në shumën rreth 74.3 milionë lekë; për dhënien e ndihmës financiare qeverisë turke, për emigrantët sirianë, në shumën rreth 11.0 milionë lekë dhe për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, në shumën rreth 20.3 milionë lekë. Rreth 85.4 milionë lekë ose rreth 3.24 për qind e këtij fondi i është dhënë Ministrisë se Brendshme nëpërmjet 9 vendimeve. Konkretisht, 5 milionë lekë i janë dhënë për ndihmë financiare familjes së një ish-punonjësi të Policisë së Shtetit, i vrarë në krye të detyrës; 14.3 milionë lekë janë dhënë për programin e shërbimit të gjendjes civile, për mbulimin e shpenzimeve të printimit të listave të zgjedhësve; 10.6 milionë lekë për krijimin dhe funksionimin e shkollës shqiptare të administratës publike për trajnimin e nëpunësve të administratës publike; si dhe për bërjen e një investimi, në shumën 3.5 milionë lekë.
Shtatë vendime, investime në vilën qeveritare
Qeveria kursen paratë për pagat, por jo për Vilën qeveritare nr. 4.
Buxheti i shtetit përfshin edhe Fondin e Kontingjencës, i cili përdoret për të përballuar efektet e mosrealizimit të të ardhurave, nevojën e kryerjes së financimeve të reja dhe shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara të programeve ekzistuese. Në ligjin “Për buxhetin e vitit 2013”, të ndryshuar, është përcaktuar që Fondi i Kontingjencës prej 800 milionë lekësh të përdoret me vendime të Këshillit të Ministrave. Deri në fundin e vitit 2013, ky fond është përdorur nëpërmjet 7 vendimeve të Këshillit të Ministrave, në vlerën 628.9 milionë lekë, nga të cilat 216.4 milionë lekë për shpenzime korrente, dhe 412.57 milionë lekë për investime. Sa u përket fondeve për shpenzimet korrente janë akorduar nga qeveria shqiptare 200 milionë lekë për mbështetje për bujqësinë dhe zhvillimin rural dhe 16.4 milionë lekë për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Ndërsa nga Fondet për shpenzimet kapitale janë akorduar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, 285 milionë lekë. Për Bashkinë e Vlorës janë dhënë 100 milionë lekë për shpronësimet e zonës për rehabilitimin mjedisor të vijës bregdetare Uji i Ftohtë-Tuneli. Ndërsa, për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, qeveria ka akorduar 27.57 milionë lekë për mobilimin e vilës nr. 4 në Tiranë. Fondi i Kontingjencës për rritjen e pagave i planifikuar për 900 milionë lekë është përdorur 555.4 milionë për paga dhe 93.7 milionë lekë për sigurime shoqërore. Ndërsa, fondi për rritjen e pensioneve i planifikuar prej 1.5 miliardë lekësh është përdorur për rritjen e pensioneve për 1.41 milionë lekë.