Ekonomia

Çelet panari “Work & Study”, 60 kompani ofrojnë mbi 3 mijë vende pune

I kthyer tashmë në një traditë, u çel në ambientet e Pallatit të Kongreseve edicioni i IX i Panairit “Work & Study”, i organizuar nga Bashkia e Tiranës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë si dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve.

Në këtë panair marrin pjesë mbi 60 kompani dhe universitete e institucione të ndryshme, të cilat ofrojnë mbi 3000 vende të lira pune.

Në hapjen e panairit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e vlerësoi atë si një mundësi shumë e mirë për të bërë të mundur komunikimin mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve, posaçërisht në sektorin privat. Ai theksoi se Tirana gjeneron më shumë se gjysmën e ekonomisë së vendit.

Duke listuar disa prej potencialeve të qytetit të Tiranës, kreu i Bashkisë përmendi dhe përzgjedhjen e kryeqytetit shqiptar si një nga tre qytetet bashkë me Parisin dhe Tel Avivin ku do të zbatohet projekti inovativ TUMA.

“Dje morëm një vendim tjetër të ri që ndërtesën ikonike që është këtu pranë Pallatit të Kongreseve që është Piramida e Tiranës, ta kthejmë në qendrën më të madhe të teknologjisë të informacionit në rajonin tonë me kapacitet 5 mijë nxënës e të rinj që hyjnë e dalin çdo ditë për të marrë kurse të IT. Sot kemi profesione që kur unë isha fëmijë nuk ekzistonin. Kështu që ideja e kthimit të Piramidës në një vend që pompon brenda dhe jashtë 5 mijë të rinj në ditë, pra le të themi një lloj Pallati i Pionierëve, por tani i teknologjisë të informacionit në kohët moderne, besoj që është realisht diçka që ka nevojë tregu i punës. Një nga gjërat që ne kemi nënvlerësuar dhe për herë të parë e kemi marrë seriozisht në bashkinë e Tiranës është ekonomia e natës, ekonomia e argëtimit, ekonomia e një qyteti që jeton 24 orë”, u shpreh Veliaj.

Veliaj deklaroi se ka marrë fund njëherë e mirë punësimi mbi bazën e lidhjeve politike dhe se tashmë gjithçka është e bazuar tek merita.

“Koha ku ishte partia agjencia kryesore e punës ka marrë fund, të paktën në Bashki të Tiranës këtë jua jap me garanci. Do të thotë shumë e më shumë ente publike po bëhen predatorë për të rekrutuar nga entet private. Sigurisht ka të bëjë dhe me motivimin, rrogat në shtet nuk janë edhe aq të larta por njerëzit nuk punojnë vetëm për rrogën. Punojnë edhe për sens misioni jo vetëm për sens rroge. Ndaj për të gjitha këto arsye nëse jeni student sot unë e di që me gjasë kjo do të jetë shtëpia juaj e re, pavarësisht nga çfarë do lloj qyteti vini”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i bëri thirrje kryesisht të rinjve që t’i kushtohen më shumë arsimimit dhe marrjes së profesioneve, pasi vetëm në këtë mënyrë mund ti përgjigjen kërkesës së tregut të punës dhe të kohës që po kalojmë.

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka vlerësoi Bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, ndërsa deklaroi se ky panairit mundëson që në një çati të dialogojnë bashkërisht biznesi, akademia, studentët dhe qytetari.

“Krijohet një mundësi konkrete për kompanitë ekspozuese ne këtë panair që të njihen më mirë me ofertën e tregut të punës. Punëkërkuesi, punonjësi apo çdo individ i lirë është një tjetër fokus i panairit Work & Study, duke ofruar një mundësi për t’u përballur me tregun e punës, për te prezantuar veten nëpërmjet intervistave pranë këtyre kompanive”, theksoi Jaka.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button