Politika

Celibashi: Inagurimet e Ramës nuk janë shkelje, edhe opozita i përdor për fushatë

Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi thotë se KQZ po ndjek me vëmendje të gjithë procesin por nuk duhet të ngatërrojmë aktivitetin normalë të qeverisë me fushatën.
Sipas Aktit të ri Normativ, të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, zyrtarët e institucioneve ndalohen të organizojnë apo të marrin pjesë në aktivitete ku priten shirita elektoralë apo prezantohen projekte të investimeve në fushën e transporteve, energjisë, mjedisit, shëndetësisë, kulturës dhe arsimit, për një periudhë 4 muaj nga dita e zgjedhjeve.

Megjithatë, përurimin e veprave publike, Celibashi e konsideron normale. “Ajo ka të bëjë me fushatën elektorale dhe ka të bëjë me angazhimin e palëve në fushatë elektorale. Ashtu si kryeministri mund të dalë dhe të thotë, ne e përmbushëm këtë angazhim tonin, ashtu edhe opozita mund të dalë dhe të thotë ky angazhim nuk është përmbushur”.

Celibashi garanton zbatimin e Aktit, “Jemi duke shqyrtuar një sërë ankesash të ardhura nga parti të ndryshme. Sot shqyrtuam një ankesë të ardhur nga LSI, për shpërndarjen e disa certifikatave dhe lejeve të legalizimit në Lushnjë.

Kemi ndërtuar një faqe në internet, e cila lehtësisht realizon procesin e dhënies së informacionit.

Ju garantoj se KQZ do të jetë strikte në zbatimin e përcaktimeve të kodit zgjedhor në lidhje me këtë çështje. Është një çështje që lidhet me integritetin e procesit zgjedhor dhe ne nuk do të tolerojmë aspak”.

Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve sqaron se ky akt ka të bëjë me keqpërdorimin dhe jo zhvillimin e aktiviteteve.

Nuk mund të ngatërrojmë aktivitetin normal që zhvillojnë institucionet publike, që zhvillon qeveria, që zhvillojnë bashkitë apo dhe ndërrmarje të tjera. Ajo që Kodi Zgjedhor dhe Akti përkatës ka të bëjë pikërisht me keqpërdorimin, jo me zhvillimin në vetvete të aktivitetit.

Për shembull është e qartë që nuk mund të lejohet shpërndarja e certifikatave apo lejeve në mënyrë publike. Është një proces që zhvillohet mes personit të interesuar për legalizimin dhe zyrës përkatëse”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button