Çështja “Doshi”,mblidhet grupi i PD-së, Basha: Gati të ecim me platformën e dekriminalizimit
Zyrtarizim i shpejtëi amendamenteve për nisjen e dekriminializimit është vendimi që grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka marrë në mbledhjen e zhvilluar mbrëmjen e sotme.
Gjithashtu Partia Demokratike ka vendosur vazhdim të kërkesës për dorëheqje të Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta si dhe intesifikim të protestave.
Në një prononcim pas mbledhjes kreu i PD-së Lulzim Basha theksoi se Partia Demokratike është gati të vazhdojë me platformën e dekriminalizimit. Ai bëri me dije se opozita që prej ditës së nesërme do të nisë institucionalizimin për dekriminializimin. “
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bashkë me aletatët tanë, kanë vendosur që javën e ardhshme, në kuadër të Marrëveshjes së Dekriminalizimit, të bëjë publike propozimet tona, amendamentet tona, kushtetuese dhe ligjore, për të përjashtuar nga Parlamenti i Shqipërisë dhe nga çdo zyrë tjetër publike, të zgjedhur apo të emëruar, personat me rekorde të tmerrshme kriminale të natyrës së krimit të organizuar.
Pas një pune voluminoze, nga ekspertët më të mirë të Partisë Demokratike dhe të vendit, ne jemi gati të ecim me platformën tonë të dekriminalizimit dhe në këtë kuadër, bashkë me qytetarët shqiptarë, kërkojmë angazhimin e plotë të deputetve të shumicës, bashkëpunimin e tyre në kuadër të marrëveshjes, qoftë kjo edhe kundër urdhrave politik të krerëve të tyre. Pra, dekriminalizmin e plotë të Parlamentit dhe të institucioneve të tjera publike përmes amendamenteve ligjore brenda kohës më të shkurtër të mundshme të parashikuar nga rregullorja e Kuvendit, ose përballjen me qytetarët shqiptarë në sheshet e protestës popullore.
Ky është vendimi i Grupit Parlamentar, i aleatëve tanë dhe në funksion të këtij vendimi opozita, duke filluar nga dita e nesërme, do të hedhë hapat për të institucionalizuar amendamentet tona për përjashtimin nga Kuvendi i Shqipërisë, nga të gjitha insititucionet publike, të personave me rekorde të tmerrshme kriminale të krimit të organizuar. Sikundër do të kërkojë brenda afatit kushtetues dhe ligjor edhe shqyrtimin pa vonesë të dy amendamenteve tona të 20 Janarit, për uljen e çmimit të energjisë dhe uljen e çmimit të karburantit përmes heqjes së TVSH-së për energjinë elektrike dhe eliminimin e taksës që Edi Rama shtoi këto dy vite mbi karburantet.
Për këto dy çështje, dekriminalizimi dhe këto dy ulje taksash, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompromis. Ka një ultimatum dhe një afat kushtetues ndaj mazhorancës për të bërë atë që duhet të bëjë sipas marrëveshjes së dekriminalizimit, për të bërë atë që duhet të bëjë për t’i ardhur në ndihmë mijëra e mijëra familjeve që e kanë lakun në fyt për shkak të rritjes së taksave nga Edi Rama dhe Ilir Meta, ose përndryshe përballjen finale në sheshet e protestës popullore.”- u shpreh Basha.
Mbledhja e Grupit të PD-së për të diskutuar lidhur me qëndrimin që do mbajë kjo parti në Këshillin e Mandateve për çështjen “Doshi” nisi rreth orës 18:00. Mbledhja zgjati rreth një orë e 30 minuta dhe u zhvillua me dyer të mbyllura.