Çfarë e tremb z.Rama?
Interviste e dr. Fatos Tarifa me gazetaren e Dites Johana Lubonja
Shënim i Kryeredaktorit te gazetes “Dita” – Kjo intervistë e z.Fatos Tarifa me gazetaren e Ditës, Johana Lubonja është një demaskim i personalizimit të pushtetit dhe tjetërsimit të identitetit politik. Ajo është një akuzë e drejtpërdrejtë se Partia Socialiste është tkurrur nga një forcë e gjerë shoqërore në një grup personash të përzgjedhur manualisht, duke e kthyer partinë në një strukturë që nuk përfaqëson më bazën socialiste, por vullnetin e një njeriu të vetëm.
Tarifa bën një diagnozë psikopolitike për Edi Ramën, si një udhëheqës i rrethuar nga servilizmi, i dashuruar pas shëmbëlltyrës së tij dhe i paaftë për të dëgjuar të vërteta të hidhura.
Analiza nxjerr në dritë për herë të parë cinizmin e skajshëm të atij që njihet si projekt i Kushnerit në Shqipëri. Ndërsa në Gazë flitet për “Tech City” mbi gërmadhat e 21 mijë fëmijëve të vrarë, në Shqipëri projekti i Sazanit pagëzohet si një “Sunset” (Perëndim). Këto projekte nuk kanë në qendër njeriun, as palestinezët dhe as shqiptarët e thjeshtë, por janë struktura pa shpirt që ngrihen mbi tragjedi ose mbi tjetërsimin e pasurisë kombëtare.
Shqipëria nuk ka asnjë nevojë jetike për resorte luksoze, aq më pak për enklava të mbyllura për të ashtuquajturat “elita botërore”, ku shqiptarët do shërbejnë si staf i dorës së tretë. Asnjë kryeministër, aq më pak një pushtet i katandisur thuajse individual nuk ka të drejtë të marrë vendime i vetëm për asete që u përkasin të gjithë njerëzve të këtij vendi.
—–
Intervistoi Johana Lubonja
Profesor Tarifa, pak ditë më parë, kryeministri Rama u tha anëtarëve të grupit parlamentar të PS-së: “Ne jemi Partia Socialiste”. Ju e keni kritikuar publikisht, edhe në këtë gazetë, z. Rama për personalizimin e PS-se dhe drejtimin e saj me dorë të hekurt, çka duket se ka motivuar reagime brenda grupit parlamentar të kësaj partie. Çfarë mund të thoni mbi këto zhvillime të reja?
Kam folur e shkruar shumë mbi këtë subjekt dhe nuk e di nëse kam ç’të them ndonjë gjë të re.
Por, nisur nga mënyra (aspak demokratike) se si z. Rama po e drejton PS-në dhe deklarata e tij me grupin parlamentar të saj se “Ne jemi Partia Socialiste”, çfarë do i thoshit atij, nëse do u jepej rasti?
Unë i dëgjova ato fjalë të z. Rama dhe më bënë të ndihem ligsht. Por, meqë më pyesni, pra më jepni rastin të shprehem, nëse do më duhej t’i thosha dy fjalë kryeministrit tonë, do i thosha sa më poshtë:
Ju, z. Rama, e zvogëluat shumë Partinë Socialiste, duke e reduktuar atë në 83 njerëz të zgjedhur me dorë nga ju.
Do i thosha se unë dyshoj nëse shumë prej deputetëve socialistë i lidh realisht ndonjë gjë me Partinë Socialiste. PS nuk janë ata deputetë që i keni vënë ju—jo populli—në listat e kësaj partie për të qenë përfaqësuesit e tij. As ju vetë, z. Rama, nuk jeni Partia Socialiste, edhe pse vazhdoni të qëndroni në krye të saj. Partia Socialiste janë ata dhjetëra mijëra qytetarë, punëtorë, bujq, nëpunës, pensionistë dhe studentë që janë anëtarë të saj, e duan këtë parti dhe duan ta shohin atë të drejtojë punët e vendit.
Do i thosha z. Rama edhe këto fjalë: Ka kohë që ju, në krye të PS-së dhe në postin e kryeministrit, jeni bërë një kopje karboni e vetes suaj. Në fakt, një Narcis, në dashuri me shëmbëlltyrën tuaj. Ju, ndoshta, njëlloj si Narcisi i mitologjisë greke, nuk e kuptoni këtë, as mbani pranë jush njerëz që do të kishin ndershmërinë dhe kurajën t’ju a thoshin.
Ju, besoj e dini, nuk jeni i vetmi që mendoni kështu. Shumë të tjerë ndajnë të njëjtin opinion
Sigurisht që e di, ndaj edhe do i thosha kryeministrit tonë edhe këto fjalë: Shumë nga ne, që ju shohim si silleni dhe ju dëgjojmë si flisni e çfarë thoni çdo ditë, kuptojmë se ju përpiqeni të jeni dikush që në të vërtetë nuk jeni. Mbi të gjitha, ju nuk jeni një socialist. Edhe pse jashtë Partisë Socialiste, unë jam më socialist sesa ju në krye të saj. Do i kujtoja z. Rama se, kur në majin e vitit të shkuar, pas Samitit të Komunitetit Politik Europian që u mbajt në Tiranë, në një konferencë të përbashkët për median me Kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, ai e cilësoi atë “socialiste”, Frederiksen reagoi menjëherë, duke e kundërshtuar kryeministrin tonë para gazetarëve dhe duke sqaruar se ajo nuk është socialiste, por socialdemokrate.
Duket se z. Rama jeton në një realitet paralel, larg shqetësimeve reale të popullit
Keni të drejtë, ndaj edhe do i thosha se, ju, z. kryeministër, i mbyllur për shumë kohë në bunkerin e pushtetit, nuk mund ta dini se si ju shohin sot një pjesë shumë e madhe—ndoshta më të shumtët—e shqiptarëve dhe se çfarë thuhet për ju. Nga brenda atij bunkeri ku jeni ngujuar ju keni një pamje të shtrembëruar të realitetit, njëlloj si i burgosuri në shpellën e Platonit, i cili, hijet e objekteve jashtë shpellës, siç projektohen ato nga flaka e zjarrit në muret e saj, i merr sikur të ishin pamjet e vërteta të atyre objekteve dhe u vë emra që s’kanë lidhje me to. Në shumë çështje, ajo që ju e merrni për të vërtetë s’është veçse një iluzion.
Do i thosha, gjithashtu, se iluzioni më i madh është ai që ju, z. kryeministër, besoni se, nga viti 2013 e këtej, shumica e shqiptarëve ju kanë votuar juve personalisht dhe jo Partinë Socialiste. Në fakt, ata kanë votuar PS-në dhe njëlloj do të votonin për të edhe pa ju në krye të saj. Lidhja juaj me Partinë Socialiste nuk është as një lidhje historike, as ideologjike, as shpirtërore, por kryesisht një lidhje interesi dhe pronësie. Ju e konsideroni PS-në pronën tuaj dhe, për këtë arsye, e mbani peng, thuajse njëlloj si Berisha që mban peng Partinë Demokratike.
Kjo është një deklaratë shumë e fortë. Mendoni vërtet kështu?
Nuk do të flisja kështu nëse do të mendoja ndryshe nga sa ju thashë. Qeveritë që ka drejtuar z. Rama në këto 13 vite kanë bërë shumë nga ato gjëra që ai ka premtuar se do i bënte, por më të shumtat kanë mbetur pa u bërë. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve edhe sot nuk pinë në shtëpitë e tyre ujin për të cilën paguajnë. Shqipëria ka naftë, por shqiptarët blejnë naftën që marrim nga jashtë, sepse tonën e marrin të huajt. Kjo gazetë e cilësonte dje një fakt të tillë si “shitje të Atdheut”. E shohim kryeministrin, edhe pse shumë rrallë, të vizitojë ndonjë fshat e të takohet me bujq, por nuk e kemi parë të shkojë në fshatra që s’kanë rrugë, s’kanë ujë, s’kanë shkolla, s’kanë qendra shëndetësore, s’kanë shpresë, ndaj edhe kanë vetëm banesa të rrënuara dhe njerëz të moshuar. Me këta fshatra do hyjmë në BE?
Disa thonë se z. Rama ka qenë i suksesshëm në marrëdhëniet me botën e jashtme. A mendoni edhe ju kështu?
Narcizmi i z. Rama bëhet delirant kur ai flet për politikën e jashtme të vendit tonë. Unë i kuptoj ata kundërshtarë të tij që me ironi e quajnë atë një “lider botëror”. Z. Rama nuk u ngjan aspak kryeministrave europianë, edhe pse shumë herë sillet me ta, ose para tyre, si të ishte njëri prej tyre. I barabartë me ta kur, në fakt, nuk është. E shumta, ai u ngjan kryeministrave të tjerë të Ballkanit Perëndimor dhe mund të matet me ta. Askush nuk është ai ose ajo që mendon vetë se është; ne jemi ata që të tjerët mendojnë për ne.
Ç’mund të thoni për marrëdhëniet e tij me vajzën dhe dhëndrin e Presidentit Trump dhe investimin e tyre në Sazan?
Kjo është një pyetje që nuk më është bërë ndonjëherë, ndaj edhe nuk jam shprehur. Por, me që më pyesni, po ju përgjigjem duke ju pohuar se çfarë do i thosha unë z. Rama. Do i thosha këtë: Më bëjnë përshtypje—si edhe shumë të tjerëve—marrëdhëniet që ju, si kryeministër i Shqipërisë, jeni përpjekur e përpiqeni të krijoni me individë që nuk i lidh asgjë me interesat kombëtare të këtij vendi. Dje ishte djali i miliarderit George Soros, 20 vite më i ri se ju; sot janë vajza dhe dhëndri i presidentit Trump, 15 vite më të rinj se ju. Dhe pse? Miqësi personale? E drejta juaj si individ? Investime strategjike. Në dobi të kujt? Apo pushteti dhe nevoja për ta mbajtur atë edhe më tej e me çdo kusht, qoftë edhe me djem, vajza e dhëndurë të njerëzve të fuqishëm?
Unë nuk besoj se ky është motivi i tij. Nëse do të ishte, këtë do ta quaja një naivitet politik të pashoq. Ngo Dinh Diem kishte mbështetjen e fortë të amerikanëve në vitet 1950 dhe në fillim të viteve 1960 si një lider antikomunist i Vietnamit të Jugut, por e humbi atë. Batistën në Kubë amerikanët e mbështetën për sa kohë kishin nevojë për stabilitet në atë vend dhe interesa ekonomike, por nuk e mbështetën gjatë revolucionit. Shahu i Iranit Mohammad Reza Pahlavi ishte një aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës së Ftohtë, por amerikanët u distancuan prej tij para se ai të largohej nga vendi. Noriega i Panamasë bashkëpunoi për vite me radhë me CIA-n, por u akuzua më vonë për trafikim droge dhe u hoq forcërisht nga pushteti. Hosni Mubarak, si president i Egjiptit, ishte për një kohë të gjatë një aleat i Shteteve të Bashkuara, por gjatë protestave të Pranverës Arabe, amerikanët nuk e mbështetën dhe ai u detyrua të linte pushtetin
Z. Rama, besoj, i di të gjitha këto, nëse është sado pak i informuar mbi politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Amerikanët mund të bashkëpunojnë me të, mundet edhe ta përkrahin, por ata nuk e mbajnë dot në pushtet, nëse vjen një ditë që zotin Rama nuk e besojnë më dhe nuk e duan shqiptarët.
Kryeministri ynë mund të mendojë se lidhje si ato që përmenda më sipër, apo një vizitë private në orët e vona të mbrëmjes e një ambasadoreje amerikane në Athinë, që nuk e lidh asgjë me Shqipërinë dhe shqiptarët, e ngrënë atë në sytë e shqiptarëve? Nëse është vërtetë kështu, ky është një tjetër iluzion. Cili kryeministër i një vendi tjetër, në këtë oborrin tonë të pasmë të BE-së, që e quajmë Ballkan, krijon lidhje si këto që përmenda dhe pse jo? Mos vallë nuk kanë sharmin dhe aftësitë kryeministrit tonë?
Z. Rama nuk është sot piktori apo atleti Rama, as një biznesmen, pra një person privat, që mund të krijojë lidhje personale me këdo, përfshirë edhe djalin e Sorosit dhe vajzën e Presidentit Trump thjesht nga dëshira tij. Ai është kryeministri i Shqipërisë dhe lidhje të tilla nuk janë aspak—dhe askund—kryeministrore, pra dinjitoze.
A mos po thoni me këto fjalë se jeni kundër investimit mbi 1 miliard dollarë të Jared Kushnerit në Sazan?
Besoj e keni parë projektin “Sunrise” të Kushnerit për Gazën si një “tech city”. Një tjetër Dubai apo Doha, këtë herë në Mesdhe. Po për kë është ky projekt? Për popullin e martirizuar palestinez, për ata 72 mijë palestinezë (mes tyre të paktën 21 mijë fëmijë) të vrarë në Gaza vetëm gjatë këtyre dy viteve e gjysmë? Për ata mijëra fëmijë që UNICEF dhe OKB raportojnë se kanë humbur prindërit? Për ata 1 milionë fëmijë palestinezë që janë zhvendosur nga vendbanimet e tyre dhe ata qindra mijë që jetojnë në tenda e në mjerim të plotë? Për këta është projekti i Kushnerit për Gazën? Për palestinezët? Do të ketë një qytet “high-tech” një popull që nuk ka shtet! Kush e beson këtë? Kujt i intereson kjo? Popullit palestinez apo Izraelit dhe Dinastisë Trump?
Më pyetët për Sazanin. Projekti i Kushnerit për këtë ishull tonin, që për analogji me projektin e Gazës mund ta quanim “Sunset”, nuk është një projekt për Shqipërinë dhe për shqiptarët, por një projekt për Kushnerin në territorin tonë për llogaritë e tij. Kush nuk e kupton këtë është naiv dhe më shumë se kaq. Z. Rama e futi Kushnerin në Shqipëri. Unë jam i bindur se ky i fundit, për interesat e tij si investitor, nuk e sheh Shqipërinë ndryshe nga Gaza. Me këtë rast, do i thosha z. Rama dhe tërë shqiptarëve: Be aware of Kushner! (Ruajuni nga Kushner!) Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë asnjë të mirë prej tij. Dhe as kanë nevojë për investimin e tij në Sazanin tonë.
Një tjetër deklaratë e fortë kjo!
Më pyetët se çfarë mendoj dhe po ju them pikërisht çfarë unë besoj. Më pyetët më parë, gjithashtu, për sukseset e z. Rama në marrëdhëniet me botën e jashtme. Më bën përshtypje zelli i madh i tij për protagonizëm në politikën e madhe globale kur ai nuk është veçse kryeministri i një vendi të vogël. Vërtet një vend anëtar i NATO-s, por shumë herë një protagonizëm që i çudit edhe krerët e qeverive të vendeve kryesore të kësaj organizate dhe të Bashkimit Europian.
Nuk ju ka bërë përshtypje zelli i z. Rama për ta përfshirë Shqipërinë ndër vendet e para që u anëtarësuan në Bordin e Paqes? Për mua ai vendim ishte, nuk e fsheh, një veprim krejt i panevojshëm dhe aspak prudent. Veç të ngjashmit të tij jo socialist në Hungari, Kryeministrit Orban, asnjë vend tjetër i BE-së nuk veproi si kryeministri ynë. Z. Rama mund të thotë se vendimi për t’iu bashkuar atij Bordi u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë, por a ka vendim që nuk do e votonte shumica socialiste që ai vetë e komandon në atë kuvend? Pse nuk vepruan si ai kryeministri i Sllovenisë, ai i Kroacisë apo i Estonisë? Mos vallë vendet e tyre janë më pak të përkushtuara ndaj paqes globale. Sigurisht që jo, por ata nuk janë servilë, si kryeministri ynë, dhe ndoshta nuk besojnë tek ai Bord Paqeje, siç nuk besoj as unë.
Jam kureshtar të di se ç’përgjigje do i jepte Presidentit Trump z. Rama, nëse një ditë, presidenti amerikan do i kërkonte atij, si kryeministër i Shqipërisë, ta mbështeste aneksimin e Groenlandës pres tij? Ose të Kubës? Ose nëse z. Trump do i kërkonte kryeministri tonë të dërgonte disa dhjetëra ushtarë shqiptarë në Ngushticën e Hormuzit? Si një anëtar i Bordit të Paqes, që kryetar të përjetshëm ka Presidentin Trump (edhe pse unë kam bindjen se ky bord do të ketë një jetë shumë të shkurtër), a do të kishte z. Rama kurajën t’i thoshte JO?
Një pyetje e fundit. Si i shihni zhvillimet e këtyre ditëve brenda grupit parlamentar të PS-së dhe në organet drejtuese të kësaj partie?
Kreu i Partisë Socialiste ka kohë që i trembet mendimit dhe fjalës së lirë në forumet drejtuese të partisë dhe në grupin parlamentar të saj, ndaj edhe ka frikë nga gara në PS. Frederick Douglass thoshte se “nga të gjitha të drejtat, e drejta e fjalës së lirë është tmerri i tiranëve. Ajo është e drejta që këta e shkelin të parën”. Ndërsa George Washington vinte në dukje se, “nëse liria e fjalës ndalohet, atëherë të heshtur e pa zë mund të shkojmë, si delet, drejt thertores”.
Rama ka frikë nga fjala e lirë, ashtu siç një pjesë e deputetëve socialiste kanë filluar të kuptojnë se “thertorja” nuk është destinacioni ku ata duan të shkojnë. Nuk bëhet fjalë për rebelim. Akoma jo. Por për një rezistencë ende të heshtur. Është ligji njutonian i fizikës politike: ku ka shtypje, ka dhe rezistencë.
Botuar ne gazeten Dita- www.gazetadita.al



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.