Kosova

Clinton fjalim emocionues në Kosovë: Pas 20 vitesh ju fituat paqen

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka mbajtur sot fjalimin e tij në ceremoninë zyrtare të shënimit të 20 vjetori të lirisë së Kosovës.

Clinton u ka bërë apel politikanëve kosovarë, që të punojnë fort për konsolidimin e vendit.

Ai është shprehur se SHBA ka qëndruar dhe vijon të qëndrojë gjithmonë në krah të qytetarëve të Kosovës duke i mbështetur në çdo nismë të tyre.

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara pohoi se populli i Kosovës e ka fituar paqen, ndërsa tha se tani është koha për të hedhur vështrimin drejt të ardhmes.

“Më kujtohen fytyrat e njerëzve që takova ato ditë. Pas 20 vitesh mendoj se ju keni arritur të fitoni paqen. Është një kohë e re tani dhe gjërat e mëdha duken të vogla dhe gjërat e vogla mund të duken të mëdha. Mos harroni kurrë për të menduar për sfidat para jush dhe ua them këtë edhe liderëve tuaj. Ju keni bërë tashmë një diçka të jashtëzakonshme dhe ju keni dhënë gjeneratave tuaja paqe. NATO ka qenë triumf i asaj që ka qenë më e mira e mundshme. SHBA kanë qëndruar me ju pa marrë parasysh se cila parti qëndronte atje apo që drejtonte Kongresin”, është shprehur ish-presidenti i SHBA.

“Që nga atëherë, ju keni mbajtur zgjedhje të lira. Keni patur drejtësi dhe jeni një ndër katër vendet e Europës që po përjetoni rritje ekonomike dhe duhet t’ju lavdërojmë më shumë, por natyrisht duhet të bëni më shumë. Ju keni luftuar për këtë dhe ju keni fituar. Nëse ende jam gjallë dua t’ju shoh duke brohoritur për kosovarët që kanë arritur suksese. Shihni gjithçka që ka të bëjë me të ardhmen. Një falënderim të veçantë për shërbimet diplomatike  dhe ushtarake këtu”, ka thënë Clinton.

Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë duke folur para shqiptarëve të Kosovës ka nënvizuar se ai e admiron popullin e këtij vendi.

Bill Clinton kishte edhe një mesazh për të rinjtë kosovarë ku u ka kërkuar  që të ndërtojnë jetën e tyre në vendin ku janë lindur dhe rritur.

“Unë jam pro migrimit dhe jam pro jush. Unë jam që ju të ndërtoni të ardhmen këtu, të ndërroni familjet tuaja. Ende vazhdoj të besoj se përparimi është i rëndësishëm. Kundër shanseve të vështira, qytetarët morën atë që ndodhi dhe fituan konfliktin, por ju e fituat paqen. Tani çfarë duhet të bëni në 10 vitet e ardhshme, ku dëshironi që të shkojë vendi juaj. Lëshoni armën në tokë dhe krijoni lidhjet dhe të diskutoni për dallimet tuaja dhe diskutoni për të ardhmen. Zot bekoji qytetarët e Kosovës për atë se çfarë jeni. Ju duhet të mendoni më tepër rreth asaj se çfarë mund të bëni më mirë së bashku” ka shtuar ai.

Ai ka ndarë edhe një moment të veçantë që i kishte ndodhur derisa ishte duke qëndruar në një hotel në Amerikë.

Ai ka treguar se si një kamerier shqiptar, i kishte rënë në gjunjë për ta falënderuar për gjithçka që kishte bërë për Kosovën. Clinton ka thënë se kësi momente i ndodhin çdo kund, megjithatë thotë se një i tillë me kamerierin shqiptar ishte gjëja më e mrekullueshme që i kishte ndodhur pas 19 vjetësh që kishte lëshuar Shtëpinë e Bardhë.

“Që 19 vjet që prej kur kam dalë nga Shtëpia e Bardhë, gjëja më e mrekullueshme që më ndodh, është që më ndaloi dikush në New York, apo diku tjetër në botë, për të bërë një fotografi. Apo kur isha në një hotel, një kamerier shqiptar erdhi dhe më ra në gjunjë për të më falënderuar. Kjo është një gjë e mrekullueshme”, ka thënë Clinton i emocionuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button