Ekonomia

Çmimi i energjisë, sa paguajnë fqinjët, sa i kanë pagat

Sipas të dhënave të ERRA për tarifat e rajonit, mesatarja është 8.8 eurocent për kW/h  

Nga Zamir Alushi

Raporti_Vjetor_2013_perfundimtar-81Shqiptarët me pagën minimale më të vogël në Europë paguajnë tarifën e energjisë thuajse në një nivel me vendet e tjera të rajonit. Në bazë të të dhënave të Shoqatës Rajonale të Rregullatorëve të Energjisë (ERRA) për tarifat e energjisë, mesatarja e çmimit të energjisë për konsum familjar është 8.8 eurocent për kW/h, ndërsa për konsumatorët jofamiljarë, kjo tarifë është mesatarisht 9.1 euro cent për kW/h. ERRA është  burimi kryesor i të dhënave zyrtare të energjisë elektrike në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Ajo përmban të dhënat tremujore nga viti 2000 deri më sot dhe mbulon 28 vende si: Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Estonia, Gjeorgjia, Hungaria, Moldavia, Polonia, Rumania, Rusia, Turqia, Ukraina etj. Në grafik janë paraqitur tarifat e energjisë elektrike para taksimit (TVSH-së) për konsumatorët familjarë, për të gjitha vendet e ERRA-s, në euro cent/kWh. Ky krahasim ka vlerë për bllokun e parë të konsumit, deri në 300 kW/h, pasi në Shqipëri, mbi këtë fashë, aplikohet çmim më i lartë. Nëse do t’u referohemi tarifave aktuale të ERE-s, çmimi mesatar i energjisë elektrike është 9.53 lekë/kWh.. Për konsumatorët familjarë, për bllokun e parë deri në 300 kWh, çmimi është 7.7 lekë/kWh. Për sa i përket bllokut të dytë mbi 300 kWh/orë, çmimi rritet në 13.5 lekë/kWh. Për klientët në tensionin e ulët, tarifat variojnë nga 7.6 në 16.1 lekë/kWh. Ndërsa, për klientët të furnizuar në 35 kW, çmimet variojnë nga 8.5 në 9.75 lekë/kWh.

Si vendoset çmimi

ERE është autoriteti përgjegjës për përcaktimin e tarifave të aktiviteteve të rregulluara që realizohen në sektorin e energjisë. Përcaktimi i tarifës së shpërndarjes është i lidhur me vlerësimin e komponentëve të tillë si niveli i humbjeve të pranuara në tarifë si kosto e arsyeshme, sasia e lëvruar në rrjetin e shpërndarjes, investimet e kryera të cilat janë të lidhura me treguesit e performancës së kompanisë së shpërndarjes. Për tre vite rresht është kërkuar të ngrihet çmimi i energjisë, por ERE e ka shtyrë këtë vendim. Për herë të fundit, marrja e këtij vendimi u shty vitin e kaluar, kur ERE vendosi të lërë në fuqi tarifat ekzistuese deri në fund të vitit 2014. “Mosrakordime midis CEZ Shpërndarje dhe KESh sh.a për periudhën 2011-2012 për blerjet dhe shitjet e energjisë elektrike të dhënë më tepër për mbulimin e humbjeve, për shkak të statusit juridik të CEZ Shpërndarje sh.a.. Objekt i këtij mosrakordimi ishin faturat e papranuara nga administrimi i mëparshëm i kompanisë CEZ Shpërndarje sh.a., të cilat pritet të zgjidhen gjatë zgjidhjes së mosmarrëveshjes dhe konfliktit me CEZ a.s.” kështu arsyetoi ERE vitin e kaluar, por tashmë këto pengesa kanë rënë.

Problem i pazgjidhur

Çmimi i shitjes së energjisë do të varet edhe nga zgjidhja e çmimit të blerjes së energjisë nga koncesionarët e dhënë në kohën e qeverisë “Berisha”. Gjatë vitit 2013 kanë hyrë në operim gjithsej 10 shoqëri me fuqi të instaluar gjithsej të impianteve gjenerues 54 MW. Prodhimi i realizuar nga këto shoqëri gjatë 2013 është rreth 73 GWh. Gjithashtu, HEC Ashta me fuqi të instaluar 48MW gjatë vitit 2013 prodhoi rreth 211 GWh duke e çuar totalin e energjisë që KESH sh.a. (në funksionin e Furnizuesit Publik me Shumicë) ka detyrim të blejë nga HEC-et e vogla në rreth 760 GWh Prodhimi në vitin 2013 nga këto HEC-e u rrit me rreth 2.5 herë më shumë krahasuar me vitin paraardhës, ndërkohë që vendimi për tarifën e FPSH për vitin 2013 parashikonte që sasia e blerë nga këto HEC-e të ishte 280 GWH ose 2.7 herë më e madhe nga ajo e pranuar. Po ashtu edhe çmimi mesatar i ponderuar në fakt është 8.74 lekë/kWh nga 8.2 lekë/kWh të parashikuar në tarifë për vitin 2013. Kjo për shkak të rritjes së sasisë së prodhuar nga HEC-et e reja me koncesion që kanë çmim të shitjes së energjisë më të lartë.

Struktura e çmimit

Struktura e çmimit sipas llogarive të ERE-s përbëhet si më poshtë:

  • Kostoja e blerjes së energjisë 26.4 %
  • Kostoja e transmetimit  7.4%
  • Kostoja e shpërndarjes 24.8%
  • Kostoja e humbjeve në shpërndarje 27.4%
  • Kostoja e furnizimit me pakicë 5%
  • Kostoja e borxhit të keq 9.1%

Të ardhurat

Shqipëria, e fundit në Europë për pagën minimale

Shqipëria renditet e fundit në Europë për sa i përket pagës minimale. Krahasuar me vendet e rajonit, vendi ynë me vlerë të pagës minimale prej 156 euro renditet i fundit edhe në krahasim me Kosovën. Vende të tjera të rajonit si Kroaci; Mal i Zi; Maqedoni apo Serbi aplikojnë paga minimale më të larta se Shqipëria, duke u ofruar kështu qytetarëve një nivel më të mirë jetese. Ndërsa, Kosova aplikon një pagë të veçantë minimale, sipas moshës së të punësuarit. Nën moshën 35 vjeç, paga minimale është 130 euro/muaj, ndërsa për moshën 35-65 vjeç paga minimale është 170 euro/muaj. Ndër vendet me pagë minimale më të ulët, e cila nuk i kalon 200 euro/muaj renditen Bullgaria, Serbia, Mali Zi, Rumania.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button