Politika

Dan Preda: Nuk ka polarizim në Shqipëri, po instalohet kultura e bojkotit

Europarlamentarët

Zbardhet debati në Komisionin e Parlamentit Europian me ambasadoren e re Vlahutin

Romana Vlahutin – “Kultura e bojkotit, siç ju e thatë zoti Dan Preda, do të jetë një tjetër sfidë kyçe, se si të dalim nga filozofia që fituesi i merr të gjitha. Nuk do të jetë e lehtë dhe këtu unë mbahem te ndihma juaj në aspektin edukues, nëse mundem …”

Charles Tannock – “Për fat të keq ka reputacionin për korrupsion të gjithëpërhapur, krim të organizuar, për një demokraci mjaft të papjekur, duke përfshirë bojkotin nga partitë opozitare dhe, siç e thashë më parë, një traditë të padobishme komentesh irredentiste dhe këtu citoj atë të ish-kryeministrit Berisha për Shqipërinë e Madhe, kur vizitonte Tetovën në Maqedoninë fqinje, një vit më parë.”

Tanja Fajon – “Si mund ta ndalojmë kulturën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri? Siç e dimë, Shqipëria mban vendin e 116 ndër 177 shtete për indeksin e korrupsionit dhe çështja tjetër lidhet me regjimin e liberalizimit të vizave dhe lirinë e udhëtimit. Në 7 muajt e fundit të këtij viti, krahasuar me një vit më parë, numri i azilkërkuesve është dyfishuar.”

Cristian dan Preda – “Nuk ka polarizim, por gjithnjë e më shumë instalim të kulturës së bojkotit, sepse nëse para disa vitesh bojkotonin forcat e majta, tashmë kemi një riprodhim të spektrit të djathtë politik, një bojkot të Partisë Demokratike, me disa hezitime. Por, në fund, ekziston rreziku që jo vetëm të zgjasë polarizimi, por të instalohet me të vërtetë kultura e bojkotit.”

Cristian dan Preda

Përpara nisjes së detyrës në terren, ambasadorja e re e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, u paraqit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, ku larg kamerave ajo u pyet për më shumë se një orë mbi sfidat kryesore që has vendi, në prag të publikimit të raportit vjetor të progresit nga komisioni. Ndërsa vlerësohet angazhimi dhe ecuria e reformave gjatë muajve të fundit në vend, në këtë mbledhje vërehet shqetësimi i eurodeputetëve për të motivuar Shqipërinë, në një kohë kur Brukseli deklaron se nuk ka zgjerim për pesë vjet. Fjalët kyçe mbeten korrupsioni, krimi i organizuar, emigracioni, gjakmarrja, pandëshkueshmëria, dialogu politik e bojkoti, ndërsa kujtohen qëndrimet irredentiste të ish-kryeministrit Berisha. “Top Channel” zbardh dhe publikon pjesën më thelbësore të diskutimit me dyer të mbyllura, ku eurodeputetët shprehen pa rezerva për Shqipërinë, duke përmendur edhe mungesën e koordinimit mes ambasadave të vendeve anëtare të BE-së në Tiranë. “Siç e dimë, Kroacisë i mori nëntë vjet nga kandidatura deri në anëtarësimin e plotë, dhe kolegu im Austrevicius, ngriti çështjen e deklaratave për moszgjerimin në pesë vitet e ardhshme. Si do t’i motivojmë shqiptarët se dyert e BE-së nuk janë tërësisht të kyçura?” – pyeti Andrej Plenkoviç, zv/president i PE-së. “Mënyra se si e shoh unë, është se nuk do të ketë anëtarësime të reja, por zgjerimi në vetvete po vazhdon. Pra, procesi qëndron dhe nisur nga komunikimet e mia me palë të ndryshme në Shqipëri, unë nuk kam marrë idenë se brenda pesë vitesh ata do të ishin anëtarë të plotë. Tani është i rëndësishëm komunikimi, jo vetëm për nivelin politik, por edhe ndaj njerëzve, për t’u treguar se çdo të thotë kjo”, tha Romana Vlahutin. “Nuk ka polarizim, por gjithnjë e më shumë instalim të kulturës së bojkotit, sepse, nëse para disa vitesh bojkotonin forcat e majta, tashmë kemi një riprodhim të spektrit të djathtë politik, një bojkot të Partisë Demokratike, me disa hezitime. Por, në fund, ekziston rreziku që jo vetëm të zgjasë polarizimi, por të instalohet me të vërtetë kultura e bojkotit”, u shpreh Cristian dan Preda, eurodeputet rumun në PPE. “A besoni se një vend ku shumicën e kohës qeveria dhe opozita nuk komunikojnë, mund të promovojnë dialog rajonal në një zonë ende të pastabilizuar?” – pyeti Tonino Picula, eurodeputet kroat, S&D. “Kultura e bojkotit, siç ju e thatë zoti Dan Preda, do të jetë një tjetër sfidë kyçe, se si të dalim nga filozofia që fituesi i merr të gjitha. Nuk do të jetë e lehtë dhe këtu unë mbahem te ndihma juaj në aspektin edukues, nëse mundem. Në mënyrë që të krijojmë një atmosferë, ku njerëzit do të kuptojnë se gjërat nuk kufizohen me katër vitet e mandatit të tyre politik”, vijoi më tej Romana Vlahutin. “Grupi im, konservatorët dhe reformistët europianë, është gjerësisht në favor të zgjerimit me Ballkanin, por më duhet të pranoj se Shqipëria ka një prag të vështirë në portën e vendit tim. Për fat të keq, ka reputacionin për korrupsion të gjithëpërhapur, krim të organizuar, për një demokraci mjaft të papjekur, duke përfshirë bojkotin nga partitë opozitare dhe siç e thashë më parë, një traditë të padobishme komentesh irredentiste, këtu citoj atë të ish-kryeministrit Berisha për Shqipërinë e Madhe, kur vizitonte Tetovën në Maqedoninë fqinje, një vit më parë”, tha Charles Tannock, eurodeputet britanik, ECR. “Si mund ta ndalojmë kulturën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri? Siç e dimë, Shqipëria mban vendin e 116 ndër 177 shtete për indeksin e korrupsionit dhe çështja tjetër lidhet me regjimin e liberalizimit të vizave dhe lirinë e udhëtimit. Në 7 muajt e fundit të këtij viti, krahasuar me një vit më parë, numri i azilkërkuesve është dyfishuar. Si mund t’i parandalojë Shqipëria njerëzit që të mos largohen, sepse shumë njerëz po ikin për në Europë?” – deklaroi Tanja Fajon, eurodeputete S&D. “Pandëshkueshmëria do të mbarojë, mendoj, kur njerëzit në Shqipëri nuk do ta pranojnë më dhe do të kërkojnë të drejta që u jep ligji. Kjo është kyçe. Për fat të keq ka një perceptim për disa aspekte, sidomos për emigracionin shqiptar, por kjo lidhet me krijimin e prosperitetit në Shqipëri, për punë, arsim dhe një jetë më të mirë, sidomos për të rinjtë. Për krimin e organizuar dhe trafikun mendoj se kjo kryhet nga njerëz me origjinë shqiptare që jetojnë në vende të ndryshme europiane dhe, së pari, në këto vende ku ata jetojnë mendoj se puna më e madhe u përket organeve ligjzbatuese. Pra, përgjegjësia më e madhe bie mbi vendin ku kryhet krimi, e ku personi është rezident, dhe nëse ka elemente ku Shqipëria mund të ndihmojë, ka edhe mekanizma bashkëpunimi që përdoren e duhen përdorur, sepse krimi i organizuar nuk ka komb e nuk njeh kufij”, u përgjigj Romana Vlahutin. Për diplomaten e parë kroate të BE-së në Ballkan, deri tani vendi ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe pozitiv. Por politika rajonale e Shqipërisë në terren mbetet për t’u parë vitin e ardhshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button