Darka e një fillimi të ri
Çifti i aktorëve Romir Zalla dhe Suela Bako ekranizojnë tregimin e Faik Ballancës
Çifti i bashkëshortëve artistë, aktori i njohur i “Portokallisë” Romir Zalla dhe regjisorja Suela Bako, së bashku me vajzën e tyre 10-vjeçare, Kaltrina, kanë sjellë në një film tregimin e Faik Ballancës. Sipas subjektit të tregimit “Njerka” për gati 15 minuta, publiku mund të shohë një histori familjare. Filmi, i cili ka qenë angazhim në kuadër të finalizimit të studimeve master për “regji filmi” të Bakos, është vlerësuar me çmim të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit me Metrazh të Shkurtër në Gjakovë. Në qendër të filmit është historia e dy motrave që humbin nënën e tyre dhe babai vendos të rimartohet. Krejt papritur ai prezanton bashkëshorten e re gjatë një darke familjare. “Ky subjekt mbështetur në tregimin e Ballancës parashtron një fenomen jetësor familjar sikurse është rimartesa, përjetimi i saj nga fëmijët dhe nëpërmjet tij përcillet mesazhi që çdo dramë sado tragjike që të jetë duhet të kapërcehet, pasi jeta vazhdon e duhet jetuar”, thotë skenaristja dhe regjisorja e Bako.
Ndërsa për aktorin Romir Zalla, i cili interpreton rolin e babait në këtë film nuk ka qenë e lehtë vënia “nën urdhrat” e bashkëshortes regjisore. “Nuk e ka të lehtë burri të vihet nën urdhrat e gruas, por ngaqë kisha në interpretim edhe vajzën tonë Kaltrinën, u ndjeva më i angazhuar. Sidoqoftë është një temë familjare që u realizua me një angazhim familjar”, shprehet ai. Aktori ndihet mirë për vlerësimin që i është bërë filmit në festivale të ndryshme si ai i Gjakovës, apo “Dea Film Festival” në Sarandë. Por ajo çfarë e bën të veçantë këtë prodhim kinematografik për dy artistët është interpretimi përkrah vajzës së tyre, Kaltrina. “Përzgjedhja e Kaltrinës për këtë rol ishte një përzgjedhje e përbashkët që funksionoi më mirë nga sa ne si prindër. Kaltrina solli një interpretim të sinqertë të ndjerë dhe jashtë çdo parashikimi dhe të them të drejtën jo vetëm më befasoi me talentin, por me gjithë vështirësitë që ajo kaloi gjatë xhirimeve që shpesh zgjatnin nga darka në mëngjes ajo më lehtësoi mjaft edhe punën gjatë këtyre xhirimeve”, shprehet Bako. Ky është filmi i dytë për Kaltrinën, ndërkohë që prej saj mësojmë se edhe vëllai i saj, një tip melankoliku ka interpretuar në një film tjetër të realizuar nga Suela. Kësisoj, bashkëpunimi artistik në gjirin e familjes së çiftit Romir Zalla dhe Suela Bako, tashmë me katër artistë të provuar në tre filma pritet të vijojë në realizimin e ndërmarrjeve të reja kinematografike. Filmi “Darka” u prezantua dhe në ekranin e Festivalit Ballkanik të Filmit që u mbajt një javë më parë në qytetin e Gjirokastrës.