De Biasi dëshpëron dy lojtarë të Kombëtare, Latifin dhe Kaçen
Liridon Latifi dhe Ergys Kaçe nuk do të kenë mundësi të tregojnë talentin e tyre në ndeshjen kundër Spanjës, pasi takimin në fjalë do ta ndjekin nga tribuna e stadiumit “Loro Boriçi”.
Këtë vendim e ka marrë sot trajneri Gianni de Biasi, i cili në njëfarë mënyre është detyruar të sakrifikojë për këtë sfidë dy lojtarët.
Trajneri italian kishte 25 futbollistë në dispozicion për ndeshjet kundër Lihtenshtejnit dhe Spanjës, ndërsa më të shumtë në numër në listë ishin mesfushorët. Andaj në ndeshjen kundër Lihtenshtejnit ai vendosi të sakrifikonte Latifin duke mos e futur në protokoll, ku lejohen vetëm 23 emra (3 portierë). Si tifoz në këtë sfidë ishte edhe Ledian Memushaj, por ky i fundit ishte lënë pushim për të rikuperuar pas një problemi të vogël fizik.
Sipas “Top Channel”, Latifi do të vazhdojë të mbetet një tifoz edhe në ndeshjen e sotme, pasi De Biasi ka vendosur që të mos e përfshijë në protokollin e sfidës. Ndërkaq, çudit zgjedhja e tij e emrit të dytë, duke lënë jashtë Ergys Kaçen, i cili që pas kalimit të Viktoria Plzen po kalon një formë shumë të mirë duke u aktivizuar si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Evropës.
Aq më shumë, duket e çuditshme kjo zgjedhje kur dihet se në radhët e skuadrës ka dy mesfushorë si Kukeli e Abrashi që nuk janë në formën më të mirë fizike, si dhe një mesfushor si Eros Grezda i cili nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje me Kombëtaren A.