Demokraci e përzier me totalitarizmin

LIRIA, BARAZIA DHE DREJTËSIA së bashku janë vlerat më të çmuara të DEMOKRACISË. Po cilat janë vendet që i respektojnë më shumë këto vlera? Studiuesi anglez Lewis Jackson, në librin e tij “Demokracia si sistem shoqëror”, shkruan:
DEMOKRACI TË PLOTA kanë: Norvegjia, Islanda, Zelanda e Re, Kanadaja, Australia, Zvicra, Spanja dhe Kosta Rika.
DEMOKRACI TË PAPËRSOSURA kanë: Kili, SHBA, Portugalia, Franca, Italia dhe Belgjika.
DEMOKRACI TË PËRZIERA ME TOTALITARIZËM kanë: El Salvadori, Shqipëria, Bolivia, Ukraina, Hondurasi, Bangladeshi, Guatemala, Tanzania, Maroku, Bosnja, Haiti dhe Libani.
Cilat janë arsyet që ky autor e fut vendin tonë në shtetet ku gërshetohet demokracia me totalitarizmin, nëse dëshiron, quaje, me monizmin? Ne gëzojmë lirinë. Mund të jetojmë e lëvizim ku të duam, si në Shqipëri dhe kudo në botë – po na pranuan. Ne kemi të drejtën e pronës, të drejtën e fjalës, të drejtën për të pasur shumë parti (pluralizmin). Tek ne shtypi është më se i lirë, madje me tepri, duke bërë shpesh edhe gjykatësin. Jo në pak raste, duke botuar të pavërteta ose shtrembëruar faktet. Kemi të drejtën e arsimimit. Kryesorja e kryesoreve është se kemi të drejtën e votës së lirë, sepse demokracia është sistemi ku pushteti ushtrohet nga njerëzit përmes votës. Abraham Linkolni jo më kot ka thënë se demokracia është “qeveria e njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit.”
Tek ne pushtetet janë të ndara nga njëri-tjetri. Tek ne SPAK-u garanton sigurinë, rendin dhe paqen midis komuniteteve, sepse drejtësia është një virtyt universal. Atëherë, përse na ngjitet si çiban nga bota fjala totalitarizëm? Mos vallë autorët perëndimorë ende vazhdojnë të na bëjnë padrejtësi, duke na rënë në qafë kot? Po të analizosh me qetësi se si funksionon tek ne demokracia që e duam aq shumë, që e duam Shqipërinë si gjithë Evropa, nuk është e vështirë të thuash që tek ne ROTACIONI POLITIK, si dhe ai i NËPUNËSVE CIVILË, që janë domosdoshmëri për demokracinë, është gati ZERO.
Në të dy partitë kryesore, si në PS dhe PD, kanë zënë rrënjë dhe nuk hapin krahun si Edvin Rama dhe Sali Berisha. Këto personazhe, për mbajtjen e pushtetit mbi 20 dhe 30 vjet, na kujtojnë Enver Hoxhën. Sa ishte gjallë, ishte ai si Zeusi në Shqipëri. Na kujtojnë edhe traditën komuniste të drejtuesve të përjetshëm si Stalini, Mao Ce Duni dhe Kim Il Sëni i Koresë së Veriut, ku gjyshi ia la djalit fronin dhe ky birit të tij.
Pra, për rotacionin politik jemi atje ku kemi qenë: në monizëm. Cilat janë pasojat e këtij uzurpimi të postit të kryetarit të partisë që ne i përjetojmë përditë? Në PD, që është shndërruar si një koshere bletësh, kryetari i saj ka 35 vjet që bën ligjin ashtu si dikur që ishte sekretar partie. Edhe pse është humbës katër herë i zgjedhjeve, nuk jep dorëheqje – ngaqë i paskan “vjedhur” gjithmonë votat?! Në atë parti, siç kanë dëshmuar disa nga anëtarët e saj, nuk janë bërë kurrë zgjedhje të ndershme. Kanë fituar ata që ka dashur kryetari Zeus dhe jo ata që kanë zgjedhur anëtarët e partisë.
Rasti më i freskët është se si ai nuk përfilli vendimin e votës së anëtarësisë së primareve për zgjedhjet e 11 majit 2025. Kjo tregon qartë që në PD kemi demokraci të shkelur me të dyja këmbët. Nuk mbetet shumë larg nga PD-ja edhe PS-ja. Kryetari i saj është absolut. Nuk besoj se ai pranon mendimin ndryshe ose të kundërt, si ish-kryetari Fatos Nano. Në rast se në një parti nuk dëgjohen edhe zërat që kundërshtojnë, ajo mbetet parti e diktatit. Po, po. Parti e diktatit Rama, doemos – për mirë ose dhe për keq. Një herë ai tha se do të largohet kur të dojë vetë. Së fundi deklaroi se synimi i tij është të fusë Shqipërinë në Evropë në 2030, duke lënë të nënkuptohet se atëherë ka për t’u larguar.
Në qoftë se ky proces ka për t’u shtyrë edhe disa vjet, ai përsëri ka për të qenë njëshi absolut i Shqipërisë. Ka për të vazhduar të jetë dirigjenti i “orkestrës” PS para të cilit të gjithë “muzikantët” do të vazhdojnë të rrinë kokëulur. U përqendrova vetëm te këto dy parti, sepse partitë e tjera, ndonëse të shumta në numër, deputetët i kanë me kokrra. Edhe në ato parti kryetarët e tyre kanë zënë rrënjë dhe nuk shkulen.
Dikur, në statutin e Partisë Republikane ka qenë se për kryetarin do të votohet çdo dy vjet. Më vonë u bë çdo katër vjet dhe jo më shumë se dy mandate. Edhe kjo u harrua. Godo, pas 8 vjetësh, kur s’kishte më forcë nga pleqëria, ia la vendin Fatmir Mediut, që ka 25 vjet kryetar?! Në këto ujëra kanë qenë dhe janë edhe shumë të tjerë.
Lind pyetja: pse anëtarësia e partive e pranon këtë demonstrim të hapur të monizmit në partitë e tyre?
Përgjigjja: sepse jemi të prirë për t’i fetishizuar liderët e partive, qofshin të mirë apo edhe njerëz negativë: hajdutë, vrasës dhe gënjeshtarë. Një tjetër faktor është frika e anëtarëve të forumeve nga hakmarrja e njëshave. Jo pak nga ata janë anatemuar dhe hedhur në koshin e plehrave. Mund të përmend vetëm rastin e Eduard Islamit…
Ky mentalitet monist ka bërë që edhe rotacioni i nëpunësve të jetë gati 0. Si mund të themi se jemi në demokraci kur Shqipërinë e drejton prej 16 vjetësh i njëjti njeri?! Me ç’rrotacion administrativ kemi të bëjmë këtu? Kur i teket Rama, bën lëvizje sipas qejfit që duket si një farë rrotacioni. Ka “harruar” se i pari që duhet të lëvizë është pikërisht ai, KRYEMINISTRI. Jo për paaftësi apo për punë të palodhur, por për të respektuar parimin bazë të demokracisë: rrotacionin.
Në PS dhe në qeveri për çdo gjë vendos dhe flet vetëm Edvin Rama. Gojët e liga përflasin se ai shumë vendime i merr duke anashkaluar ministrat dhe forumet e partisë. Për çdo problem në emisionet televizive pa fund kemi vetëm dy figura: Berisha dhe Rama.
Si mund të dalim nga kjo gjendje pa shpresë derisa njëshat monistë të partive dhe të shtetit dashurojnë kaq shumë karriget që kanë zënë dhe nuk duan të hapin kurrsesi krahun?! Ka vetëm një zgjidhje. Për Presidentin e Republikës, Kushtetuta e përcakton qartë se nuk mund të zgjidhet më shumë se dy mandate. Vetëm dy herë nga 4 vjet të kenë të drejtë të ushtrojnë detyrën si kryeministri dhe kryetarët e partive që janë “privatizuar” keqas. Këtë zgjidhje shpëtuese mund ta bëjë vetëm Kuvendi. Janë deputetët ata që si një trup i vetëm duhet të votojnë këtë amendament kushtetues të domosdoshëm për demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë.
A ka shpresa të ndodhë kjo? Me 83 deputetë që i mbajnë iso Ramës, kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Ka vetëm një shpresë të venitur: meqë Rama ka premtuar se një ditë ka për t’u larguar, para asaj dite ai ka mundësi të sanksionojë me Kushtetutë që asnjë lider shteti ose partie të mos ketë të drejtë të qëndrojë në detyrë më shumë se DY MANDATE. Po ta bëjë Rama këtë lëvizje (që ngjan si në përrallat me mbretër patriotë), ka për të mbetur në histori si një REFORMATOR.
Petro Dhimitri
Referencat e Lewis Jackson-it:
-
(SA) Demokracia në sintezë
-
Dalil R.: Çfarë është demokracia
-
Grondona: Historia e Demokracisë
-
Ortega J.: Origjina dhe zhvillimi i demokracisë: disa reflektime
-
Rodriguez B.: Filozofia politike: demokracia

