Ekonomia

“Deutsche Telekom” zbret në Tiranë: “Telekom Albania” prezantohet zyrtarisht, 41 milionë euro investim në 2015

a“Deutsche Telekom”, kompania gjermane, e njohur në botë arrin në Shqipëri, një ogur i mirë në këtë verë të nxehtë, një shenjë domethënëse e progresit.  Në konferencën e shtypit organizuar sot në hotel “Sheraton”, gjigandi gjerman dhe botëror ka prezantuar ambiciet  e veta.  I pranishëm  ka qënë kryeministri z.Edi Rama, ministri i Ekonomisë z.Arben Ahmetaj, Ministër Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj. Milela Harito,  Ambasadori i  Republikës Federale të Gjermanisë në Tirane z.Hellmut Hoffmann, Ambasadori i Greqisë në Tiranë z.Leonidha Rokana, Drejtori i Operacionit  për Europën në Deutsche Telekom  Dr. Klaus Mueller,  Drejtori ekzekutiv i Telekom Albania Dimitris Blatsios, deputetë, përfaqësues të medias, etj.

AMC nuk do të mbajë më emrin me të cilin ka qenë në treg për 20 vjet, por do të quhet “Telekom Albania”. Duke nisur nga data 23 Korrik, kompania do të operojë nën brandin e Grupit Deutsche Telekom, duke sjellë në Shqipëri vlerat që ky grup mbart ku përfshihen inovacioni, kompetenca dhe thjeshtësia.

Identiteti i ri i Korporatës u paraqit  nga Dr.Klaus Mueller, Drejtori i Operacionit për Europën në Deutsche Telekom  dhe Dimitris Blatsios, Drejtori ekzekutiv i Telekom Albania.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi  hyrjen e Deutsche Telekom në Shqipëri  si një progres më vete dhe risi në shërbimet e ofruara. Gjatë fjalës së tij në prezantimin për herë të parë të identitetit të ri të kompanisë AMC, Kryeministri Rama theksoi se ““Deutsche Telekom” është një shenjë domethënëse e progresit”. Sipas tij, ky projekt bën të mundur një avancim të madh në tekonologjinë e informacionit.

“Sot ne mund të themi se, Shqipëria bëhet pjesë në kohë reale e një progresi teknologjik, që ka një të mirë të madhe për vendet më të pazhvilluara. Ndërsa aktualisht, T-Mobile po punon për krijimin e një rrjeti të vetëm IP-sh, që rrëzon faktikisht të gjithë kufijtë kombëtarë në Europë. Projekti, që synohet të përfundojë në vitin 2018 është mishërim i esencës së projektit madhështor të Bashkimit Europian, një hapësire komunikimi dhe ndërveprimi, që nuk njeh më asnjë vijë kombëtare dhe që i bën njerëzit të barabartë në të gjitha platformën e komunikimit dhe në mundësitë që u oftohen secilit për ta shfrytëzuar këtë platformë. Pra një Bashkim Europian, ku edhe Shqipëria, falë pranisë së ‘Telekom Albania’-s do të jetë pjesë pa pyetur Komisionin Europian dhe pa pritur që vendet anëtarë të na thonë ‘ejani e bëjuni pjesë e familjes europiane’”, tha kryeministri Rama.

aaDr.Klaus Mueller,  Drejtori i Operacionit për Europën  në Deutsche Telekom , tha se “kjo eshte një  ditë tepër e veçantë për ne sepse mirëpresim “Telecom Albania” në gjirin tone”. Ai tha se “ky aktivitet qe po organizojmë sot transmetohet direkt në të gjithë rrjetin  e kompanise sonë dhe ky  është një sidisfaksion  i madh për ne”.

Kurse Dimitris Blatsios Drejtori, ekzekutiv i Telekom Albania, duke theksuar rëndësinë e këtij çasti vendimtar tha se identiteti i brandit Deutsche Telekom do tu sjellë një botë të re mundësish të pafundme abonentëve. “Telekom Albania lançon sot shërbimet 4 G që abonentët tanë të shijojnë shpejtësi të pakrahasueshme në celular”, tha ai. Teknologjia e gjeneratës së katërt nga Telekom Albania arrin deri në 150 Mbps, transmeton sasi tepër të mëdha të dhënash në minimumin e kohës dhe gjen përdorime të shumta në jetën e përditshme.

“Logo “T” mbart forcën, cilësinë dhe ekspertizën e brandit më të vlefshëm të telekomunikacionit në Europë, si dhe të brandit të dytë më të vlefshëm gjerman në botë. Deutsche Telekom është një prej brandeve më të çmuara europiane në sektorin e telekomunikacionit botëror dhe gjithashtu lider në shërbimet e integruara. Duke u bërë pjesë e kësaj familjeje të madhe, kompania do të sjellë standardet në treg përmes ofrimit të produkteve dhe shërbimeve inovatore. Vetëm këtë vit do të investohen 41 milione euro dhe po kaq vitin që vjen.

aaaMe pas perfaqësuesit e “Deutsche Telekom” dhe “Telekom Albania” u përgjigjën pyetjeve të gazetarëve vendas dhe të huaj. Lidhur me tregun shqiptar dhe se, a i  përballon ky treg 4 operatorë mobilë, ata thanë se 4 operatorë janë shumë dhe se vetëm 2 janë të mjaftueshëm duke lenë të kuptohet se “Deutsche Telekom” dhe “Vodafon” janë të mjaftueshëm dhe është e vështirë që këta të përballohen nga 2 operatorët më të vegjël në vënd.

Lançimi zyrtar i Telekom Albania do të festohet me një numër aktivitetesh interaktive. Vlen të theksohet fushata e komunikimit “Ne lidhim njerëzit në Europë”, e lançuar nga Deutsche Telekom në 12 vende europiane. Ajo do të konkretizohet nesër në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të ngrihen simbole të shteteve europiane që janë pjesë e fushatës dhe publiku është i ftuar të përjetojë si Telekom Albania e lidh me Europën.

“Deutsche Telekom” është nga komponitë e integruara të telekomunikacionit lider në botë, me rreth 151 milionë abonentë celularë, 30 milionë linja të rrjetit fisk dhe mbi 17 milionë linja broadband. Grupi Deutsche Telekom  ofron  rrjet fiks, komunikim i cellular, produkte dhe shërbime internet dhe IPTV për konsumatorë. “Deutsche Telekom” është i pranishëm në mbi 50 vende dhe ka rreth 228.000 punonjës në mbarë botën. Të ardhurat e grupit “Deutsche Telekom” për vitin financiar 2014 ishin 62.7 miliardë euro dhe mbi 60% e kësaj shume u gjenerua jashtë gjermanisë.

Kurse “Telekom Albania” filloi operacionet komerciale në 1996, me emrin komercial Albanian Mobile Communications (AMC). Në 2008 iu bashkua Grupit Deutsche Telekom dhe në 2015 përqafon identitetin e brandit Telekom. Telekom Albania, me produkte moderne, inovacion të përhershëm në përputhje me zhvillimet e reja teknologjike dhe çmimet më konkurruese, është shndërruar në ofrues të rëndësishëm të komunikimit dhe inovacionit cilësor në Shqipëri. /D.K./

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button