☀️
Tiranë 30°C · Kthjellët 13 July 2026
S&P 500 7,575 ▲0.42%
DOW 52,637 ▲0.29%
NASDAQ 26,282 ▲0.29%
NAFTA 72.94 ▲2.14%
ARI 4,086 ▼0.68%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1405 EUR/GBP 0.8519 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.7837 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3463 EUR/TRY 53.6393 EUR/JPY 184.62 EUR/CAD 1.6155 EUR/USD 1.1405 EUR/GBP 0.8519 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.7837 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3463 EUR/TRY 53.6393 EUR/JPY 184.62 EUR/CAD 1.6155
₿ CRYPTO
BTC $63,185 ▼ -1.26% ETH $1,789 ▼ -0.9% XRP $1.0796 ▼ -1.3% SOL $76.6900 ▼ -0.03%
S&P 500 7,575 ▲0.42 % DOW 52,637 ▲0.29 % NASDAQ 26,282 ▲0.29 % NAFTA 72.94 ▲2.14 % ARI 4,086 ▼0.68 % S&P 500 7,575 ▲0.42 % DOW 52,637 ▲0.29 % NASDAQ 26,282 ▲0.29 % NAFTA 72.94 ▲2.14 % ARI 4,086 ▼0.68 %
EUR/USD 1.1405 EUR/GBP 0.8519 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.7837 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3463 EUR/TRY 53.6393 EUR/JPY 184.62 EUR/CAD 1.6155 EUR/USD 1.1405 EUR/GBP 0.8519 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.7837 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3463 EUR/TRY 53.6393 EUR/JPY 184.62 EUR/CAD 1.6155
13 Jul 2026
Breaking
Opinion

Diplomacia shqiptare si instrument i stabilitetit euroatlantik në Ballkan

Ka ardhur koha që arritjet diplomatike të dekadave të fundit të mos mbeten vetëm një kapitull i suksesshëm i historisë moderne shqiptare, por të shndërrohen në një strategji të plotë shtetërore dhe kombëtare, të institucionalizuar, të aftë për të projektuar stabilitet, për të garantuar siguri dhe për të mbrojtur rendin demokratik të Ballkanit Perëndimor gjatë gjithë shekullit XXI. Vetëm atëherë diplomacia shqiptare do ta përmbushë plotësisht misionin e saj historik: jo vetëm të menaxhojë krizat, por të ndërtojë, të mbrojë dhe të garantojë në mënyrë afatgjatë arkitekturën strategjike të paqes euroatlantike në Ballkan.

Nga Prof. Dr. Skender Asani

Historia e diplomacisë shqiptare gjatë shekullit XX mund të lexohet si historia e një përpjekjeje të pandërprerë për mbrojtjen e shtetit shqiptar dhe, aq sa e lejonin rrethanat ndërkombëtare, për të ofruar mbështetje politike, diplomatike dhe kombëtare për shqiptarët që, pas copëtimit të trojeve të tyre historike, mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë. Që nga konsolidimi i shtetit shqiptar pas shpalljes së pavarësisë, politika e jashtme shqiptare u zhvillua nën trysninë e vazhdueshme të rivaliteteve rajonale dhe të interesave konkurruese të fuqive të mëdha, duke u përballur me sfidën e dyfishtë të ruajtjes së sovranitetit shtetëror dhe të mbijetesës së kombit shqiptar. Për dekada me radhë, hapësira e veprimit diplomatik ishte e kufizuar, por objektivi strategjik mbeti i pandryshuar: mbrojtja e shtetit shqiptar dhe ruajtja e lidhjeve politike e kombëtare me shqiptarët në të gjitha trojet e tyre historike. Pikërisht mbi këtë vazhdimësi historike u formësua gradualisht një kulturë e veçantë diplomatike, e cila evoluoi nga një diplomaci e mbijetesës në një diplomaci të aftë për të ndërtuar aleanca strategjike, për të fituar besueshmëri ndërkombëtare dhe, në fund, për t’u shndërruar në një instrument aktiv të stabilitetit rajonal.

Momenti vendimtar i këtij transformimi ishte Lufta e Kosovës (1998–1999), kur diplomacia shqiptare arriti pjekurinë e saj më të lartë strategjike. Përballë përpjekjeve të sinkronizuara serbo-ruse për ta përfshirë Shqipërinë në një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak me Serbinë, politika e jashtme shqiptare refuzoi logjikën e provokimit dhe aventurizmit politik, duke zgjedhur bashkëpunimin e plotë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe aleatët kryesorë evropianë. Ky vendim nuk ishte thjesht një zgjedhje taktike; ai shënoi lindjen e një doktrine të re strategjike, sipas së cilës mbrojtja më e qëndrueshme e interesit kombëtar realizohet përmes partneritetit afatgjatë me komunitetin euroatlantik dhe jo përmes politikave të konfrontimit. Si rezultat, kriza e Kosovës ruajti karakterin e saj ndërkombëtar dhe humanitar, u neutralizuan përpjekjet e Beogradit për ta paraqitur konfliktin si luftë ndërmjet dy shteteve dhe u krijuan kushtet politike e juridike që NATO të ndërhynte në mbrojtje të popullsisë civile dhe në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, shqiptarët në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut morën përsipër një përgjegjësi të jashtëzakonshme humanitare, duke strehuar, mbështetur institucionalisht dhe ndihmuar rreth një milion shqiptarë të Kosovës, të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre. Ky kontribut nuk përfaqësonte vetëm një akt solidariteti kombëtar, por edhe një ndihmesë të drejtpërdrejtë për suksesin e operacionit euroatlantik, duke i mundësuar NATO-s të përqendronte kapacitetet e saj ushtarake kundër makinerisë së luftës të regjimit serb. Tërheqja e forcave serbe nga Kosova, vendosja e administratës ndërkombëtare, hapja e rrugës politike që çoi në pavarësinë e Kosovës dhe krijimi i një arkitekture të re të sigurisë rajonale u bënë të mundura falë koordinimit të ngushtë ndërmjet diplomacisë shqiptare dhe fuqisë politike e ushtarake të botës demokratike, duke përbërë një nga arritjet më të rëndësishme të historisë moderne të Ballkanit.

Pas kësaj periudhe filloi të ndërtohej një paradigmë e re e politikës së jashtme shqiptare. Integrimi euroatlantik nuk ishte më një aspiratë politike, por u shndërrua në boshtin strategjik të shtetit shqiptar. Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara, anëtarësimi në NATO, afrimi me Bashkimin Evropian dhe mbështetja e vazhdueshme për proceset demokratike në rajon u bënë themelet e një modeli të ri diplomatik, të bazuar mbi besueshmërinë, koordinimin institucional dhe respektimin e rendit ndërkombëtar. Ky model e dalloi qartë Shqipërinë nga qasjet nacionaliste dhe revizioniste që vijuan të prodhonin paqëndrueshmëri në pjesë të Ballkanit, duke e shndërruar faktorin shqiptar nga objekt i krizave rajonale në një subjekt aktiv të stabilitetit euroatlantik.

Lufta që Rusia zhvillon kundër Ukrainës vetëm sa e ka rritur rëndësinë e kësaj kthese historike. Ballkani Perëndimor është rikthyer në një hapësirë me peshë të veçantë strategjike për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, ndërsa diplomacia shqiptare ka dëshmuar se orientimi i saj perëndimor nuk është produkt i rrethanave të përkohshme politike, por shprehje e një filozofie afatgjatë shtetformuese. Shqipëria nuk perceptohet më si një shtet që kërkon garanci sigurie nga aleatët e saj, por si një partner që kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin rajonal, në mbrojtjen e rendit ndërkombëtar dhe në konsolidimin e arkitekturës euroatlantike të sigurisë në Evropën Juglindore. Ky transformim përfaqëson një nga fitoret më të mëdha të diplomacisë shqiptare në historinë e saj moderne, duke dëshmuar se interesi kombëtar dhe përgjegjësia euroatlantike nuk janë objektiva të kundërta, por dy dimensione plotësuese të së njëjtës strategji shtetërore afatgjatë. Në këtë realitet të ri gjeopolitik, sfidat e Ballkanit Perëndimor nuk mund të trajtohen më si kriza të izoluara rajonale, por si pjesë e konkurrencës strategjike ndërmjet rendit euroatlantik dhe fuqive revizioniste që synojnë rikonfigurimin e arkitekturës së sigurisë evropiane. Pas agresionit rus kundër Ukrainës, Ballkani është shndërruar sërish në një hapësirë me rëndësi të veçantë strategjike, ku presioni diplomatik tradicional është plotësuar nga operacione hibride, fushata dezinformimi, polarizim politik, instrumentalizim i çështjeve identitare dhe krijim i krizave të kontrolluara. Synimi i kësaj strategjie nuk është vetëm frenimi i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, por edhe krijimi i një zone të përhershme paqëndrueshmërie, e aftë të shpërqendrojë vëmendjen dhe kapacitetet strategjike të Perëndimit nga sfidat kryesore të sigurisë evropiane.

Në këtë kontekst duhet të kuptohet edhe akti terrorist i Banjskës. Ai nuk përfaqësonte një incident të izoluar apo një veprim spontan të grupeve të armatosura, por pjesë të një strategjie të mirëkoordinuar për të ndezur një konflikt të ri në zemër të Ballkanit. Objektivi ishte krijimi i një spiraleje përshkallëzimi që do të minonte rendin e sigurisë të ndërtuar pas vitit 1999 dhe do ta rikthente rajonin në logjikën e konflikteve të ngrira. Megjithatë, institucionet e sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, reaguan me profesionalizëm dhe efikasitet, duke parandaluar realizimin e këtij skenari dhe duke dëshmuar se arkitektura euroatlantike e sigurisë në Ballkan ka fituar tashmë qëndrueshmëri institucionale dhe kapacitet politik për t’u përballur me format bashkëkohore të destabilizimit. Dështimi i këtij operacioni nuk përfaqësoi vetëm një sukses operacional, por një fitore strategjike që riafirmoi legjitimitetin dhe stabilitetin e rendit rajonal të ndërtuar pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Pas dështimit të këtij skenari, vëmendja e qarqeve politike serbo-ruse u zhvendos drejt Maqedonisë së Veriut, ku u intensifikuan përpjekjet për ta instrumentalizuar çështjen shqiptare si mekanizëm për prodhimin e një krize të re politike. Kjo strategji kishte dy objektiva të ndërlidhura: së pari, pengimin e integrimit euroatlantik dhe evropian të Maqedonisë së Veriut; së dyti, krijimin e një mjedisi të paqëndrueshëm në fqinjësinë e menjëhershme të Shqipërisë, në një kohë kur marrëdhëniet e mira fqinjësore përbëjnë një nga kushtet themelore për integrimin në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, retorika nacionaliste e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë fushatës zgjedhore parlamentare të vitit 2024, u perceptua gjerësisht si një instrument politik që thelloi tensionet ndëretnike. Premtimet për rishikimin e marrëveshjeve me vendet fqinje, përpjekjet për të margjinalizuar forcat që mbështesin Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, debatet rreth përdorimit të gjuhës shqipe dhe fragmentarizimi i spektrit politik shqiptar krijuan një klimë politike që favorizonte aktorët e interesuar për destabilizimin e rajonit.

Pikërisht në këtë moment vendimtar diplomacia shqiptare dëshmoi edhe një herë pjekurinë e saj strategjike. Në vend që të nxiste radikalizimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ajo, në koordinim të plotë me partnerët strategjikë perëndimorë, u përqendrua në ruajtjen e stabilitetit politik, mbrojtjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe garantimin e vazhdimësisë së orientimit euroatlantik të shqiptarëve. Në këtë proces, një rol të veçantë luajti Ambasadori Denion Meidani, veprimtaria diplomatike e të cilit kontribuoi në shmangien e përshkallëzimit politik dhe në riafirmimin e përkushtimit afatgjatë të shqiptarëve ndaj partneritetit strategjik me botën demokratike. Mobilizimi i shoqërisë civile dhe i studentëve në mbrojtje të të drejtave kushtetuese dhe të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit u shndërrua në një nga zhvillimet më domethënëse të kësaj periudhe. Këto protesta dëshmuan se barazia kushtetuese nuk është burim paqëndrueshmërie, por kushti themelor i stabilitetit demokratik. Mjeshtëria diplomatike e Ambasadorit Denion Meidani u shfaq në aftësinë për ta orientuar këtë energji qytetare në përputhje me filozofinë e qëndrueshme të diplomacisë shqiptare, të mbështetur mbi maturinë strategjike, partneritetin euroatlantik dhe respektimin e rendit kushtetues. Si rezultat, protestat ruajtën legjitimitetin e tyre demokratik, neutralizuan përpjekjet për t’i paraqitur shqiptarët si faktor destabilizues dhe forcuan më tej besimin e partnerëve ndërkombëtarë se orientimi perëndimor mbetet boshti themelor i sjelljes politike dhe diplomatike të faktorit shqiptar.

Në të njëjtën kohë, diplomacia shqiptare vazhdoi të dëshmojë vizion strategjik edhe në planin rajonal. Premtimi publik i Kryeministrit Edi Rama për të mbështetur avancimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, i shoqëruar me konsultime diplomatike me drejtuesit kryesorë evropianë, konfirmoi bindjen se e ardhmja evropiane e fqinjëve përbën një komponent thelbësor të interesit strategjik të Shqipërisë. Refuzimi i qartë i përdorimit të vetos dhe mbështetja e vazhdueshme për gjetjen e një zgjidhjeje që do ta rikthente Shkupin në rrugën e integrimit evropian nuk përfaqësojnë vetëm një akt solidariteti rajonal, por një investim afatgjatë në paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Kulmi simbolik i këtij transformimi historik mishërohet në organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë. Ky zhvillim nuk përfaqëson thjesht një ngjarje ceremoniale, por një njohje të drejtpërdrejtë të rolit në rritje të Shqipërisë në arkitekturën euroatlantike të sigurisë. Fakti që Aleanca Atlantike ka zgjedhur kryeqytetin shqiptar për të zhvilluar diskutimet mbi sfidat kryesore të sigurisë ndërkombëtare dëshmon se Shqipëria nuk është më vetëm përfituese e sigurisë kolektive, por është shndërruar në një kontribuuese aktive në ndërtimin dhe mbrojtjen e saj. Ky është rezultati i një transformimi të thellë historik, i cili e ka ngritur diplomacinë shqiptare në një nga instrumentet më të besueshme të stabilitetit euroatlantik në Ballkan dhe në një nga shtyllat e ekuilibrit strategjik të Evropës Juglindore.

Megjithatë, pikërisht në momentin kur diplomacia shqiptare ka arritur nivelin më të lartë të besueshmërisë ndërkombëtare në historinë e saj moderne, ajo përballet edhe me sfidën më të madhe strategjike të tri dekadave të fundit. Ndërsa faktori shqiptar perceptohet gjithnjë e më shumë nga partnerët euroatlantikë si një shtyllë e domosdoshme e stabilitetit rajonal, hapësira politike shqiptare ende nuk ka arritur ta institucionalizojë këtë kapital të jashtëzakonshëm diplomatik në një doktrinë të plotë, të përhershme dhe gjithëpërfshirëse të politikës së jashtme shqiptare. Pikërisht këtu qëndron dobësia strategjike e fazës aktuale. Diplomacia shqiptare ka krijuar një kapital të jashtëzakonshëm politik, moral dhe diplomatik, por ky sukses vazhdon të mbështetet kryesisht në pjekurinë e lidershipit politik dhe në forcën e partneritetit me botën demokratike, më shumë sesa në një mekanizëm të institucionalizuar të koordinimit strategjik ndërmjet Tiranës, Prishtinës dhe përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Për sa kohë mungon një koordinim i tillë i qëndrueshëm dhe funksional, edhe arritjet më të mëdha diplomatike mbeten të ekspozuara ndaj ndryshimeve të brendshme politike, rivaliteteve partiake dhe presioneve të jashtme gjeopolitike.

Vitet e fundit kanë dëshmuar se mungesa e këtij koordinimi nuk përbën më thjesht një mangësi teknike apo organizative, por një sfidë strategjike me pasoja të gjera. Divergjencat periodike ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës lidhur me dialogun Kosovë–Serbi, debatet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, mospajtimet rreth disa nismave rajonale, si dhe anulimi i mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive në periudha politikisht të ndjeshme, kanë krijuar perceptimin e mungesës së një vizioni strategjik të harmonizuar shqiptar. Këto zhvillime u shfrytëzuan menjëherë nga rrjetet diplomatike dhe propagandistike serbe, të mbështetura nga agjenda revizioniste, për të ushqyer narrativën se shqiptarët nuk përbëjnë një aktor strategjik koherent. Në të njëjtën kohë, akti terrorist në Banjskë rrëzoi përfundimisht tezën se bashkëpunimi ekonomik me Beogradin prodhon domosdoshmërisht normalizim politik. Përkundrazi, ai dëshmoi se përballë strategjive hibride të destabilizimit, garancitë e vetme të qëndrueshme mbeten partneriteti euroatlantik, kohezioni institucional dhe një politikë e jashtme shqiptare e qartë, e koordinuar dhe strategjikisht e konsoliduar.

Po aq shqetësues mbetet edhe fakti se kapaciteti diplomatik i Shqipërisë nuk është shfrytëzuar ende në mënyrë të plotë për mbrojtjen sistematike të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë të saj. Edhe pse Shqipëria ka dëshmuar aftësi për të luajtur rol konstruktiv në momente kyçe politike, ajo ende nuk ka ndërtuar mekanizma të përhershëm për monitorimin ndërkombëtar të zbatimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ruajtjen e pozitës kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, adresimin e margjinalizimit ekonomik dhe kulturor të shqiptarëve në Mal të Zi, apo ndërkombëtarizimin e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Veçanërisht alarmues mbetet fenomeni i pasivizimit administrativ të adresave në Luginën e Preshevës, i cili ka prodhuar pasoja të rënda juridike, politike dhe demografike, pa u shndërruar ende në një çështje të përhershme të agjendës së institucioneve euroatlantike, ndonëse përfaqëson një nga sfidat më serioze bashkëkohore të të drejtave të njeriut në Ballkan. Në një kohë kur Bashkimi Evropian dhe NATO e lidhin gjithnjë e më shumë sigurinë me demokracinë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, neglizhimi i këtyre çështjeve krijon boshllëqe strategjike që mund të shfrytëzohen nga aktorët destabilizues.

Ky është momenti historik kur diplomacia shqiptare duhet të hyjë në fazën e saj më të pjekur. Sfida themelore nuk është më të dëshmojë orientimin e saj euroatlantik, sepse ky orientim është tashmë i padiskutueshëm pas tri dekadash të ndërtimit të besueshmërisë ndërkombëtare. Sfida e vërtetë është institucionalizimi i këtij orientimi në një doktrinë të përhershme, gjithëpërfshirëse dhe të mirëstrukturuar të politikës së jashtme shqiptare, e aftë të harmonizojë veprimin strategjik të të gjitha qendrave shqiptare të vendimmarrjes politike dhe të garantojë vazhdimësinë e saj përtej ndryshimeve të qeverive apo lidershipeve politike. Një doktrinë e tillë duhet të mbështetet mbi konsultime të rregullta strategjike ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës, koordinim të vazhdueshëm me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në të gjithë rajonin, qëndrime të harmonizuara në organizatat ndërkombëtare dhe mekanizma të përhershëm institucionalë për monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare që garantojnë të drejtat e komuniteteve shqiptare.

Ky objektiv nuk përfaqëson më vetëm një interes kombëtar shqiptar, por është shndërruar në një interes të drejtpërdrejtë strategjik euroatlantik. Historia e tri dekadave të fundit dëshmon qartë se sa herë faktori shqiptar ka vepruar në koordinim të ngushtë me aleatët demokratikë, Ballkani ka njohur më shumë stabilitet, më shumë siguri dhe një ritëm më të shpejtë integrimi. Në të kundërt, sa herë janë krijuar vakume politike, fragmentim institucional apo relativizim i marrëveshjeve ndërkombëtare, forcat revizioniste kanë përfituar për të prodhuar tensione dhe për të cenuar rendin rajonal të ndërtuar pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Për këtë arsye, dobësimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, cenimi i rendit kushtetues të Maqedonisë së Veriut, sfidimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, tolerimi i diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës apo rikthimi i projekteve hegjemoniste në Ballkan nuk mund të trajtohen si probleme të veçuara politike. Ato përbëjnë sfida të drejtpërdrejta ndaj arkitekturës euroatlantike të sigurisë dhe ndaj rendit demokratik të ndërtuar me përpjekje të mëdha gjatë tri dekadave të fundit.

Gjykimi i historisë tashmë është dhënë. Shqiptarët nuk janë faktor destabilizues në Ballkan, por një nga mbështetësit më të besueshëm të paqes, të marrëveshjeve ndërkombëtare, të qeverisjes demokratike dhe të sigurisë kolektive. Pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia e institucioneve shqiptare dhe e partnerëve të tyre euroatlantikë është sot më e madhe se kurrë. Ka ardhur koha që arritjet diplomatike të dekadave të fundit të mos mbeten vetëm një kapitull i suksesshëm i historisë moderne shqiptare, por të shndërrohen në një strategji të plotë shtetërore dhe kombëtare, të institucionalizuar, të aftë për të projektuar stabilitet, për të garantuar siguri dhe për të mbrojtur rendin demokratik të Ballkanit Perëndimor gjatë gjithë shekullit XXI. Vetëm atëherë diplomacia shqiptare do ta përmbushë plotësisht misionin e saj historik: jo vetëm të menaxhojë krizat, por të ndërtojë, të mbrojë dhe të garantojë në mënyrë afatgjatë arkitekturën strategjike të paqes euroatlantike në Ballkan.

Shkup,13 korrik 2026

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.