Të rinjtë në Evropën Juglindore duan familje – por kanë nevojë për mbështetje

Ndërsa në pjesën më të madhe të botës njerëzit po sjellin në jetë gjithnjë e më pak fëmijë dhe shqetësimet për të ardhmen demografike po shtohen, dëgjojmë shpesh se brezi i ri po i kthen shpinën familjes dhe po humbet interesin për t’u bërë prindër.
Megjithatë, të dhënat e reja nga Anketa Globale për të Ardhmen Demografike e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), të publikuara në prag të Ditës Botërore të Popullsisë, e sfidojnë rrënjësisht këtë narrativë – të paktën për vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore.
Gjetjet, të bazuara në përgjigjet e më shumë se 13,500 të rinjve të moshës 18 deri në 39 vjeç, të lidhur me internetin, nga 11 vende dhe territore, nxjerrin në pah një nivel të lartë optimizmi.
Pavarësisht se jetojnë në një periudhë të trazuar, të shënjuar nga konfliktet, pasiguritë ekonomike dhe shqetësimet për klimën, të rinjtë në këtë rajon mbeten dukshëm optimistë dhe vazhdojnë t’u kushtojnë rëndësi idealeve të familjes, martesës dhe prindërimit.
Kriza me të cilën përballemi nuk është krizë aspiratash. Është një krizë mundësish.
Në fakt, kur u pyetën për perspektivën e tyre, plot 65 për qind e të rinjve thanë se ndihen optimistë për të ardhmen. Për krahasim, vetëm 50 për qind e bashkëmoshatarëve të tyre në Evropën Perëndimore dhe Azinë Lindore shprehën të njëjtin optimizëm.
Të rinjtë vazhdojnë ta shohin familjen si një shtyllë themelore të identitetit personal dhe lumturisë. Plot 79 për qind synojnë të martohen, krahasuar me vetëm 63 për qind në vendet e Evropës Perëndimore dhe Azisë Lindore të përfshira në krahasim. Ndërkohë, 87 për qind thonë se gëzimi dhe lumturia që sjell prindërimi janë arsyeja kryesore pse dëshirojnë të kenë fëmijë.
Shumica dërrmuese shprehin dëshirën për të pasur dy ose më shumë fëmijë. Ideali për madhësinë e familjes varion nga 2,6 fëmijë për gratë dhe 2,9 për burrat në vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore me lindshmëri të ulët, deri në 3,7 fëmijë si për gratë ashtu edhe për burrat në vendet e Azisë Qendrore me lindshmëri të lartë. Është e qartë se familja dhe prindërimi nuk e kanë humbur tërheqjen për këtë brez.
Pse, atëherë, treguesit demografikë të rajonit tregojnë një histori krejt tjetër? Pse normat e lindshmërisë kanë rënë kaq ndjeshëm në Evropën Lindore dhe në disa pjesë të Azisë Qendrore?
Anketa nxjerr në pah një hendek të madh midis asaj që të rinjtë dëshirojnë dhe asaj që arrijnë realisht të realizojnë. Kur mbërrijnë në fund të të tridhjetave, shumica e të anketuarve janë ende larg realizimit të aspiratave të tyre për familjen.
Më shumë se një në pesë gra (22 për qind) të moshës 35–39 vjeçe nuk kanë asnjë fëmijë, megjithëse pothuajse të gjitha shprehen se dëshirojnë të bëhen nëna.
Rezultati është një “hendek i madh i fertilitetit” – diferenca midis numrit ideal të fëmijëve dhe atij real – që arrin në 1,25 fëmijë për gratë dhe pothuajse dy fëmijë për burrat.
Askund kjo nuk është më e dukshme sesa në Ukrainë, ku gratë aspirojnë të kenë mesatarisht tre fëmijë, por realiteti shkatërrues i luftës e ka ulur mesataren reale në pak më shumë se një fëmijë.
Plotësimi i hallkave që mungojnë

Çfarë i pengon të rinjtë të kenë numrin e fëmijëve që dëshirojnë? Të dhënat tregojnë një renditje të qartë të etapave të jetës, e përhapur gjerësisht në të gjithë rajonin: një punë e qëndrueshme duhet të vijë përpara një banese të pavarur; një banesë e pavarur duhet të vijë përpara krijimit të një marrëdhënieje të qëndrueshme; ndërsa një marrëdhënie e qëndrueshme duhet të paraprijë prindërimin.
Kur mungon njëra prej këtyre hallkave, çdo hap pasues në jetë shtyhet ose mbetet pezull. Për shumë të rinj, kjo do të thotë se prindërimi vonohet ose mbetet krejtësisht i paarritshëm. Të dhënat e reja tregojnë se pasiguria financiare perceptohet si pengesa kryesore si për krijimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme, ashtu edhe për të pasur fëmijë. Pas saj renditen mungesa e strehimit të përballueshëm, problemet shëndetësore, vështirësia për të gjetur partnerin e duhur dhe shqetësimet për ndarjen e pabarabartë të kujdesit për fëmijët dhe punëve të shtëpisë.
Politikat demografike janë mbështetur kryesisht në stimuj financiarë afatshkurtër, shpesh të shoqëruar me retorikë që i nxit gratë të lindin më shumë fëmijë.
Të dhënat e reja ndihmojnë të kuptohet pse këto qasje nuk po japin rezultat. Për një të ri që përpiqet të gjejë një punë të qëndrueshme, një banesë të përshtatshme ose një partner të gatshëm të ndajë përgjegjësitë e kujdesit për fëmijët, stimujt financiarë nuk bëjnë ndryshim. Ata thjesht nuk i adresojnë pengesat strukturore përgjatë rrugës së gjatë drejt prindërimit.
Në UNFPA, ne mbështesim qeveritë për të kuptuar këto dinamika dhe për të hartuar politika e programe që u mundësojnë të rinjve të realizojnë aspiratat e tyre – nga edukimi për aftësitë jetësore te planifikimi familjar, nga politikat mbështetëse për familjen që përfitojnë si burrat ashtu edhe gratë, deri tek adresimi i normave të dëmshme gjinore dhe ndarja më e drejtë e barrës së punës së papaguar të kujdesit.
Të rinjtë e ajonit tonë nuk i kanë kthyer aspak shpinën jetës familjare. Ata thjesht nuk shohin ende kushtet e nevojshme për të realizuar dëshirat dhe synimet e tyre. Kjo mund të shihet si një sfidë, por njëkohësisht përbën edhe një mundësi të jashtëzakonshme. Të rinjtë nuk kanë nevojë të binden se familja ka rëndësi; ata tashmë e dinë këtë. Ajo që u nevojitet atyre është një mjedis që u jep mundësi ta kthejnë këtë bindje në realitet.
Nëse i dëgjojmë, nëse plotësojmë hallkat e këputura në rrugëtimin e tyre jetësor dhe i mbështesim për të realizuar qëllimet e tyre, mund të çlirojmë potencialin e jashtëzakonshëm të një brezi optimist dhe të përkushtuar, të gatshëm për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët.
Florence Bauer është Drejtoreshë Rajonale për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA).
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autores dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.