Dita e Europës, Rama: Siguria e BE nuk qëndron në izolim, por në hapje. Humbja e besimit te projekti i familjes europiane do sjellë pasoja për këdo
Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e 9 majit si simbol të guximit dhe bashkëpunimit europian. Gjatë hapjes së Javës së Europës, Rama nënvizoi se Dita e Europës kremton BE si një hapësirë ku kulturat e ndryshme jetojnë dhe bashkëpunojnë në paqe dhe si të barabartë, duke mbrojtur lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
Sipas Ramës, sfidat e kohës moderne nuk e bëjnë të lehtë rrugën e Europës, pasi tundimi për t’u mbyllur “brenda mureve” dhe rritja e pasigurisë rrezikojnë optimizmin dhe shpresën.
Siguria e Europës, sipas tij, nuk qëndron në izolim, por në hapje, dialog dhe respekt të vlerave themelore europiane.
“9 maji i Europës është një ditë që lindi pas një zjarri shkatërrimtar dhe u kthye në guximin më të fuqishëm politik. Kjo datë kremton Evropën si djep kulturash dhe historish të ndryshme, që jetojnë bashkë, bashkëpunojnë dhe jetojnë në paqe si të barabartë, duke pranuar se liria dhe dinjiteti njerëzor nuk negocohen.
Koha që po jetojmë nuk është e lehtë për Europën, as për botën, ku tundimi për t’u mbyllur brenda mureve është i fortë, ku tronditja e optimizmit dhe rritja e pasigurisë duket se errësojnë çdo shpresë. Por kjo është koha kur, më shumë se kurrë, libri i historisë së Evropës është aty për t’u ardhur në ndihmë atyre që duan të kuptojnë se çfarë nuk duhet bërë.
Mbyllja brenda mureve dhe humbja e besimit tek projekti madhështor i Europës së Bashkuar dhe vlerat themelore të saj sjellin pasoja jo vetëm për Evropën, por për çdo popull dhe shtet europian në të ardhmen”, tha Rama.
Ai gjithashtu theksoi rolin e Shqipërisë në këtë proces, duke e konsideruar vendin një partner të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit. Për shqiptarët, tha Rama, Europa mbetet një objektiv i pandryshueshëm, që duhet mbrojtur përmes angazhimit dhe përkushtimit të vazhdueshëm.
“Për ne Shqiptarët, Europa mbetet edhe në këtë kohë të vranët ajo që ka qenë kur nuk ishte dot e arritshme, përveç se mes atyre valëve të dobëta që ekranet ilegale sillnin nga jashtë Shqipërisë në ekranet e televizorëve. Europa për në mbetet një ëndërr dhe tokë e premtuar, amanet i pajetërsueshëm kombëtar dhe mision i pandryshueshëm politik. Jo se ne jemi navië, as se ne kemi iluzione, por se ne e dimë fort mirë, më mirë se sa kush do tjetër në këtë kontinent se çfarë do të thotë të jetosh i izoluar dhe i rrethuar me mure për tu mbrojtur nga Europa”, tha Rama.
Rama vlerësoi progresin në reformën në drejtësi, duke theksuar se vendi është bërë një pikë referimi rajonal për angazhimin e tij ndaj sundimit të ligjit.
Ai theksoi se reforma e drejtësisë, që nuk ka të dytë në rajon, nuk do të ishte e mundur pa vizionin europian dhe pa partneritetin e Bashkimit Evropian, i cili ka ndihmuar Shqipërinë të ndërtojë institucione të qëndrueshme dhe të besueshme.
“Shqipëria është bërë një pikë referimi në bazë të shprehjes së një vullneti të hekurt për t’u vetëvendosur nën sundimin e ligjit, duke bërë një reformë në drejtësi që nuk ka të dytë në rajon. Do të ishte absolutisht e pamundur që ne ta ndërmerrnim, e jo më pastaj ta çonim përpara dhe ta zbatonim një reformë të tillë, nëse ne nuk do të kishim Evropën si ëndërr dhe si tokë të premtuar, si amanet dhe si mision të pazëvendësueshëm. E nëse s’do të kishim BE si partner të pandarë në këtë rrugë, ku dija e BE-së e transferuar drejt nesh, për mënyrën sesi një vend mund të kthehet në një arkitekturë institucionesh, është diçka që as nuk mund të blihet, as të zëvendësohet e as të imagjinohet jashtë perimetrit të Evropës.
Nëse ne sot jemi besimplotë për ecurinë e këtij procesi dhe sot Shqipëria ka arsye për të besuar në këtë proces, kjo lidhet me ecjen dorë për dorë me BE-në dhe të qenurit pjesë e tij është garanci. Shumëkush e përfytyron BE si pengesë, barrë, si një perimetër që nuk të lejon të marrësh frymë lirisht, por nuk ka gjë më larg të vërtetës dhe më të gabuar, sepse në fakt BE garanton perimetrin e shtetit të së drejtës. Shteti i së drejtës nuk mund të negociohet”, tha Rama.
Nën moton “Hapësirë e hapur”, nga data 9 deri më 22 maj, Europe Week 2026 do të prezantojë një program dinamik multidisiplinar me më shumë se 55 aktivitete kulturore në të gjithë Shqipërinë, duke sjellë për publikun performanca artistike të zhanreve të ndryshme, përfshirë teatër, ekspozita, kërcim, muzikë, aktivitete ndërdisiplinore dhe diskutime publike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.