Kosova

Dita e lirisë së Kosovës; Clinton dhe Albright në festën e madhe në Prishtinë

Kosova e shënoi në mënyrën më madhështore ditën e saj të lirisë: me ceremoni të shumta, por edhe emocionin e madh që ngjalli prania e ish presidentit amerikan Bill Clinton dhe ish-sekretares së Shtetit Madeleine Albright në Prishtinë

Clintoni u prit si hero në qendër të kryeqytetit kosovar në manifestimin e organizuar me rastin e përvjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s. “Jam i nderuar, deklaroi ai, që kam qëndruar me popullin e Kosovës “kundër spastrimit etnik dhe për lirinë e tij”.

“Kam një fotografi në zyrën time në New York dhe është një fotografi në Prishtinë pas fundit të konfliktit, ku janë sekretarja Albright, gjenerali Clark, Tony Blair dhe unë. Çdo ditë që qëndroj në atë zyrë e shikoj atë fotografi për t’ia kujtuar vetes se cili ka qenë synimi kryesor që ka arsyetuar përdorimin e forcës. Më kujtohen fytyrat e qytetarëve kur i takova këtu para 20 vitesh, në një shkollë në Ferizaj, atë ditë thashë diçka që dëshiroj ta them edhe sot, 78 ditë të sulmeve ajrore nga NATO-ja mund ta kenë fituar këtë luftë, por vetëm qytetarët që ishin në gjimnaz atë ditë dhe qytetarët tjerë të Kosovës mund ta fitojnë paqen. Njëzet vite më vonë mendoj se keni bërë një punë të mrekullueshme të arritjes së saj”, tha Clinton.

Ish-shefja e diplomacisë amerikane, Albright e përkufizoi luftën në Kosovë si përballje ndërmjet vrasjeve barbare dhe të drejtave themelore të njeriut, ndërmjet tiranisë dhe demokracisë.

“Në përfundimisht mbizotëruam sepse Aleanca ishte e bashkuar dhe e fortë, kauza jonë ishte e drejtë, fushata jonë vendosej në baza të drejtësisë sepse ne po shikonim një komunitet të tërë të abuzohej dhe përgjigja jonë për këtë ishte JO. Ne i treguam botës cfare ndodh kur diplomacia dhe forca bashkohen”, tha Albright.

Në këtë ditë të cilësuar nga liderët politike të Kosovës si një ndër më të shënuarat ne kalendarin historik te vendit, në Prishtinë ndaloi dhe Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer. Porosia e tij ishte te punohet më shumë për dialogun me Beogradin.

“Sot ne e përsërisim zotimin tone per të ndërtuar paqen dhe prosperitetin. Prishtina dhe Beogradi duhet të punojnë se bashku në emër të të gjitha viktimave. Duhet të lenë mënjanë hatër-mbetjet. SHBA qëndron në krah të Kosovës për të inkurajuar përparimin. Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë dialogun deri në njohjen reciproke të të dy shteteve”, tha Palmer.

Më herët Albright, deklaroi se Shtetet e Bashkuara bën gjënë e duhur duke ndihmuar popullin e Kosovës që të fitojë lirinë. Ajo i bëri këto komente pasi u dekorua me “Urdhrin e Lirisë” nga presidenti Hashim Thaçi, i cili e cilësoi atë heroinë të Kosovës. Një ditë më parë, me këtë urdhër ishte dekoruar edhe vetë Clintoni, e i njëjti urdhër i shkoi edhe ish-komandantit të forcave të NATO-s gjatë konfliktit në Kosovë, gjeneralit Wesley Clark.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button