DnV: 16,700 euro dënime për shkeljet e partive nga ankesat e DnV-së
Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV), ka mbajtur sot konferencën e radhës mbi monitorimin e fushatës zgjedhore, monitorimin e mediave gjatë fushatës zgjedhore si dhe ankesat e DnV-së, të drejtuara në PZAP, lidhur me parregullsitë e partive politike gjatë fushatës.
Albert Krasniqi nga DnV, ka bërë të ditur se deri tash DnV ka dorëzuar në PZAP 51 ankesë për shkeljen e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në bazë të monitorimeve që ka bërë në terren.
“Deri tani PZAP ka marr 11 vendime me të cilat janë dënuar në total me vlerë monetare prej 16 700 euro subjektet politike për shkelje të rregullave. Përkatësisht, koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) është dënuar me 7500 euro për 5 raste të shkeljeve të bëra, koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa) është dënuar me 2500 euro për 2 raste të shkeljeve, LVV është dënuar me 1200 euro për 1 rast dhe KDTP (Partia Turke) me 5500 euro për 3 raste”, ka thënë ai.
Aktivitetet fushatës zgjedhore të monitoruara në rang vendi
Krasniqi ka njoftuar se në bazë të raportimeve, në 6 ditët e fushatës zgjedhore, vëzhguesit afatgjatë kanë monitoruar 394 aktivitete të subjekteve politike në mbarë vendin, shumica e të cilave kanë qenë tubime publike.
Pjesëmarrja e qytetarëve në tubime
Pjesa më e madhe e aktiviteteve zgjedhore të monitoruara nga DnV kanë qenë takime me 50 deri në 500 pjesëmarrës, ndërsa 29 prej tyre kanë qenë tubime me mbi 1000 pjesëmarrës, ka bërë të ditur Krasniqi.
Përdorimi i resurseve publike
Ai ka njoftuar se përdorimi i resurseve publike është vërejtur në 64 nga 394 aktivitetet zgjedhore të monitoruara nga DnV ku janë vënë re përdorimi i veturave zyrtare, pjesëmarrja e shërbyesve civil si dhe përdorimi i resurseve të tjera publike.
Sipas subjekteve politike :
Koalicioni PAN (PDK-AAK-NISMA) ka shfrytëzuar 19 vetura zyrtare, 21 shërbyes civil si dhe në 2 raste resurse të tjera publike. Koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa) ka shfrytëzuar 17 vetura zyrtare, 7 shërbyes civil dhe në 1 raste përdorim i resurseve të tjera publike. LVV ka shfrytëzuar i 1 veturë zyrtare dhe në 1 rast resurs tjetër publik. Lista Serbe ka shfrytëzuar i 4 shërbyesve civil.
Gjuha e urrejtjes
Krasniqi, më tej ka folur për gjuhën e urrejtjes duke theksuar në 23 prej 394 aktivitete është raportuar që subjektet politike kanë përdorur gjuhë të urrejtjes dhe në vetëm 2 raste është raportuar që atmosfera gjatë aktivitetit zgjedhor ka qenë e tensionuar.
Sipas subjekteve politike
Në aktivitetet zgjedhore të organizuara nga koalicioni PAN (PDK-AAK-NISMA) monitoruesit afatgjatë të DnV-së kanë raportuar që në 8 raste mesazhet e dhëna gjatë aktivitetit kanë përmbajtur gjuhë të urrejtjes. Ndërsa në aktivitetet e montiruara të koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa) mesazhe me gjuhë të urrejtjes është raportuar në 8 raste. LVV ka përdorur mesazhe me gjuhë të urrejtjes në 5 raste.
Pjesëmarrja e grave
Sa i përket pjesëmarrjes së grave në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të fushatës zgjedhore, Krasniqi ka thënë se ka qenë mesatarisht rreth 16%. Në baza gjinore, në aktivitetet e subjekteve politike kanë folur 1334 burra (përkatësisht 80%) dhe 327 gra (përkatësisht 20%). Nga raporti i ditëve të mëparshme, vihet re një ulje prej 1% në numrin total të folësve gra në aktivitetet zgjedhore të subjekteve politike.
Sipas subjekteve politike
Në aktivitetet e koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma) të monitoruara nga DnV 80% e folësve kanë qenë burra ndërsa 20% e folësve kanë qenë gra. Në aktivitetet e koalicionit LAA (LDK-AKR-Alternativa) të monitoruara nga DnV, 82% e folësve kanë qenë burra, ndërsa 18% e folësve kanë qenë gra.
Ndërsa në aktivitetet e LVV-së 72% e folësve kanë qenë burra ndërsa 28% e folësve kanë qenë gra. Si dhe në aktivitetet e Listës Serbe 94% e folësve kanë qenë burra ndërsa vetëm 6% e folësve kanë qenë gra.
Përfshirja e fëmijëve në fushatë
Krasniqi ka theksuar se në 123 nga 394 aktivitete të fushatës zgjedhore të pranishëm kanë qenë edhe fëmijët. Në total numri i fëmijëve që ka marr pjesë në aktivitetet e zhvilluara në 6 ditë fushatë zgjedhore ka shkuar afërsisht në 2100 fëmijë. Në 10 aktivitete është vënë re përdorimi i fëmijëve në mënyrë të organizuar, të cilët bartin materialet propaganduese të subjekteve politike që po garojnë në zgjedhje.
Sipas subjekteve politike
Në 170 aktivitete zgjedhore të monitoruara të koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) prania e fëmijëve është raportuar në 50 aktivitete. Në total numri fëmijëve të pranishëm është raportuar të ketë qenë 966 dhe në 4 raste prania e tyre ka qenë e organizuar.
Në 102 aktivitete zgjedhore të monitoruara të koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa) prania e fëmijëve është raportuar në 39 aktivitete. Në total numri fëmijëve të pranishëm është raportuar të ketë qenë 527 dhe në 4 raste prania e tyre ka qenë e organizuar.
Në 72 aktivitete zgjedhore të monitoruara të LVV prania e fëmijëve është raportuar në 23 aktivitete. Në total numri fëmijëve të pranishëm është raportuar të ketë qenë 383 dhe në 1 rast prania e tyre ka qenë e organizuar.
Qasja e personave me aftësi të kufizuara
Në 74 nga 394 aktivitetet zgjedhore të monitoruara nga DnV, pjesëmarrës kanë qenë personat me aftësi të kufizuara, në total kanë marr pjesë rreth 190 persona. Ndërsa në 83 aktivitete zgjedhore në vendin ku është mbajt aktiviteti personave me aftësi të kufizuara nuk u është siguruar qasje për pjesëmarrje.
Prania e mediave
Mediat nuk kanë qenë të pranishme në 47% të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara në nivel vendi, ndërsa në aktivitet në të cilat kanë marr pjesë nuk janë penguar të raportojnë lirshëm.
Ofrimi i sigurisë
Në shumicën e rasteve të monitoruara Polica e Kosovës është përkujdesur për sigurimin e aktiviteteve zgjedhore.
Shfrytëzimi i rrjeteve sociale
DnV është duke monitoruar gjithashtu përdorimin e rrjetit social Facebook të faqeve zyrtare të koalicioneve dhe subjekteve politike që nga fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore.
Krasniqi ka bërë të ditur se që nga dita e parë e fushatës e deri dje, subjektet politike që janë pjesë përbërëse e koalicionit LAA (LDK-AKR-Alternativa) kanë bërë më së shumti postime në faqet e tyre zyrtare në Facebook përkatësisht 128 postime, pasuar nga subjektet politike që janë pjesë e koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma) përkatësisht 77 postime dhe subjekti politik LVV, përkatësisht 38 postime.
Nga kandidatët për kryeministër, Avdullah Hoti ka bërë numrin më të madh të postimeve në faqen e tij zyrtare në Facebook, përkatësisht 71 postime, pasuar nga Ramush Haradinaj me 34 postime dhe Albin Kurti me 30 postime.
Incidentet e raportuara
Në ditën e parë është raportuar për incidentin që ka ndodhur në komunën e Graçanicës ku subjektet politike SLS dhe LS kanë pasur mosmarrëveshje për shfrytëzimin e një billbordi, rast në të cilin ka pasur ndërhyrje të policisë.
Në ditën e dytë të fushatës është raportuar që një aktivitet i organizuar nga Lista Srpska ku është raportuar për atmosferë të tensionuar gjatë aktivitetit (në Novobërd), si dhe është raportuar se ky subjekt politik ka vendosur se nuk do të ketë takime publike në këtë komunë (Novobërdës).
Në ditën e pestë është raportuar që lideri i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jablanovic, dhe gruaja e tij Kristina janë arrestuar në Leposaviq arrestuan për posedim një armës së zjarrit. Arrestimi u parapri nga një konflikt në mes të përkrahësve të Listës Serbe dhe Partisë së Serbëve të Kosovës
Kurse Dušan Radaković, nga DnV ka folur lidhur me fushatën që po zhvillohet në katër komuna (Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe Zveçan) duke theksuar se në përgjithësi është duke shkuar mirë me përjashtim të Leposaviqit për shkak të problemeve ndërmjet Listës Serbe dhe Parisë së Serbëve të Kosovës.
“Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok është vetëm Lisa Serbe që po zhvillon fushatë normalisht nëpërmjet materialeve promovuese si dhe përmes rrjeteve sociale”, ka plotësuar ai.
Ndërsa Petrit Zogaj nga DnV ka bërë prezantimin e të gjeturave nga monitorimi i deritashëm i mediave të shkruara dhe elektronike.
Sa i përket mediave të shkuara ka thënë se në total janë prodhuar 252 analiza, reklama, artikuj informativ, dhe intervista përgjatë këtyre ditëve.
“Në mbledhjen e të dhënave për mbulueshmërinë e partive politike në gazetat e shkruara, mbulueshmërinë më të madhe e ka pasur LDK-ja më 24.74%, duke pasuar nga VV me 15.81%. PDK-ja (13.35%) ka pasur mbulueshmëri më të madhe se partneri i koalicionit AAK (12.46%)”, ka njoftuar ai.
Nëse analizohet aspekti gjinor ka bërë të ditur se nga të gjitha analizat, artikujt informativ, reklamat, dhe intervistat vetëm 13% prej tyre janë gra, ndërsa 87% janë burra.
Sa i përket mediave elektronike (5 TV Kanale), përkatësisht mbulueshmërinë që kanë marrë partitë në kronikat zgjedhore, Zogaj ka thënë se VV-ja prinë me 25.4%, më pas LDK-ja me 19.2%. Pastaj vijnë dy partitë e koalicionit PDK dhe AAK me 11.8% dhe 9.7% respektivisht, dhe partneri tjetër i tyre ka vetëm 5.4%. Tek partitë e tjera hyjnë partitë minoritare të cilat bashkërisht kanë ndarë 9%. AKR (7.6%) dhe Alternativa (6.6%) kanë pothuajse shifra të njëjta.
“Kronikat zgjedhore, njësoj si gazetat, më shumë vëmendje ju kanë kushtuar burrave se sa grave. Më poshtë shihet që mbulueshmëria e grave në kronika zgjedhore ka qenë vetëm 12.7%, dhe e burrave 87.3%”, ka shtuar më tej.