Ekonomia

Dorëzimi online i bilanceve deri në 31 korrik, shtohet ndjeshëm barra e bizneseve për të bërë deklarimet

Të gjithë financierët që duhet të dorëzojnë online bilancet e kompanive të tyre deri në 31 korrik, duhet që këtë vit të planifikojnë orë të tëra për të përfunduar këtë proces. Krahas dorëzimit online të pasqyrave financiare, një proces që zgjaste mesatarisht disa minuta, tashmë është shtuar dhe plotësimi i një sërë dokumenteve të tjera, si raporti i ecurisë së aktivitetit të ekonomisë, informacion për aktivet, të ardhurat, numri mesatar i punonjësve, kodin e biznesit etj.

Ndryshimet në raportim erdhën pas ligjit të ri “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” i cili ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti. Ky ligj ka përcaktuar parimet dhe rregullat e përgjithshme për  hartimin dhe përbërësit e pasqyrave financiare, përcaktimin e standardeve kontabël të zbatueshme, si dhe mbajtjen e kontabilitetit. Ligji ka bërë një kategorizim të ri të bizneseve në mikronjësi (deri në 30 milionë lekë të ardhur), biznese të vogla (deri në 300 milionë lekë të ardhura), të mesme (deri në 1.5 miliardë lekë të ardhura) e të mëdha (mbi 1.5 miliardë lekë të ardhura) si dhe biznese me interes publik, ndërsa parashikon raporte të ecurisë së veprimtarisë në varësi të llojit të biznesit. http://www.kkk.gov.al/foto/uploads/File/ligj-nr.-25-dt.-10.5.2018.pdf

 

Por, kjo mënyrë e re raportimi ka rritur ndjeshëm burokracitë dhe kohën që u duhet për të raportuar përfaqësuesve të bizneseve, në linjë krejt të kundërt nga filozofia e deritanishme e qeverisë për të lehtësuar procedurat dhe kohën që u duhet bizneseve për t’u marrë me dokumentet rutinë (psh tatimet raportojnë shpesh që përmes e-albania, bizneset kursejnë kohë dhe burime njerëzore).

Deri vitin e kaluar, bizneset ishin të detyruara që të dorëzonin maksimumi tre dokumente:  Pasqyrat financiare vjetore të skanuara ne format PDF; Raportin e auditimit dhe ecurisë së veprimtarisë (kur mbajtja e tyre është e detyrueshme); Vendimin për miratimin e pasqyrave financiare (sipas kërkesave ligjore).

Tashmë bazuar në standardet e reja të raportimit, ata duhet të plotësojnë një sërë tabelash dhe bizneset e mesme duhet të dorëzojnë dhe raporti i ecurisë të veprimtarisë dhe ato të mëdha edhe raportin financiar dhe atë të drejtimit të brendshëm.

Manjola, ekonomiste në një zyrë kontabiliteti, që mban financat e disa shoqërive, thotë se më parë, dorëzimi online i pasqyrave financiare zgjaste maksimumi 10 minuta për një subjekt, duke llogaritur dhe skanimin dhe konvertimin e dokumenteve në Excel. Ndërsa me standardet e reja, koha minimale është të paktën gjysmë ore dhe mund të kalojë edhe një orë, në varësi të numrit të punonjësve që ka subjekti. Ekonomistët janë të detyruar që krahas plotësimit në një tabelë të veçantë të të dhënave për aktivet, të ardhurave për periudhën 2016-2018 (për të cilat duhet hapur bilanci i çdo viti) ata duhet të llogarisin dhe ditët e punës së punonjësve. Sipas manualit të përdorimit për bilancin, “Numri mesatar i punonjësve llogaritet me ditët e punës gjithsej të punuara gjatë vitit nga të gjithë punonjësit, pjesëtuar me ditët e punës (248 ditë pune) për 1 vit kalendarik për 1 punonjës”.

Financierët ankohen se kjo është një procedurë që kërkon shumë kohë, pasi duhen hapur dokumentet nga e para, teksa nuk është detyra e tyre që të mbledhin statistika, por kjo u takon institucioneve shtetërore të ngarkuara me këtë funksion.

Një tjetër problematikë me të cilën bizneset janë hasur këto ditë është dhe pamundësia për të çuar procedurën deri në fund, pasi dokumentet nuk arrijnë të ngarkohen të gjitha. Në manualin e përdorimit thuhet se dokumentet do të verifikohen dhe  Administratori do të njoftohet me email nëse aplikimi është validuar me sukses ose është validuar me gabime duke specifikuar elementet ku janë shfaqur këto gabime.

 

Klasifikimi i ri i njësive ekonomike

Sipas ligjit të ri për kontabilitetin, njësitë ekonomike klasifikohen në:

Mikronjësi ekonomike – njësitë ekonomike, që në datën e raportimit nuk tejkalojnë kufijtë e të paktën dy prej tri kritereve të mëposhtme:

  1. a) aktivi, 15 milionë lekë;
  2. b) të ardhurat nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi), 30 milionë lekë;
  3. c) numri mesatar i punonjësve gjatë periudhës raportuese, 10.

Njësi ekonomike të vogla – njësitë ekonomike, jo mikro, që në datën e raportimit nuk tejkalojnë kufijtë e të paktën dy prej tri kritereve të mëposhtme:

  1. a) aktivi, 150 milionë lekë;
  2. b) të ardhurat nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi), 300 milionë lekë;
  3. c) numri mesatar i punonjësve gjatë periudhës raportuese, 50.

Njësi ekonomike të mesme – njësitë ekonomike, jo mikro dhe jo të vogla, që në datën e raportimit nuk tejkalojnë kufijtë e të paktën dy prej tri kritereve të mëposhtme:

  1. a) aktivi, 750 milionë lekë;
  2. b) të ardhurat nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi), 1 500 milionë lekë;
  3. c) numri mesatar i punonjësve gjatë periudhës raportuese, 250.

Njësi ekonomike të mëdha – njësitë ekonomike, që në datën e raportimit tejkalojnë kufijtë e të paktën dy prej tri kritereve të mëposhtme:

  1. a) aktivi, 750 milionë lekë;
  2. b) të ardhurat nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi), 1 500 milionë lekë;
  3. c) numri mesatar i punonjësve gjatë periudhës raportuese, 250.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button