Dosja e Prokurorisë Speciale: Në lagjet e Prishtinës prostitucion me vajza nga Amerika Latine
Një hetim i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ka vënë në shënjestër një rrjet të trafikimit të vajzave nga Amerika Latine, të cilat pretendohet se janë përdorur për qëllime të prostitucionit në rrugët e Prishtinës.
Një hetim i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ka vënë në shënjestër një rrjet të trafikimit të vajzave nga Amerika Latine, të cilat pretendohet se janë përdorur për qëllime të prostitucionit në rrugët e Prishtinës.
Hetimi, i cili përfshin shtetas të disa vendeve, shpërfaq një skemë e cila ka sjellë në Prishtinë vajza nga vendet e Amerikës Latine, të cilat janë përdorur për qëllime seksuale.
Kallxo.com ka siguruar një pjesë të dosjes së Prokurorisë, e cila në mesin e të dyshuarve ka edhe Geri Hoxhën, djalin e gazetarit nga Shqipëria, Artan Hoxha.
Sipas dosjes, koka e grupit kriminal ishte shtetasja Fabiana Anais Cobus Vega me prejardhje nga vendet e Amerikës Latine. Ajo dyshohet se ka rekrutuar vajza nga vendet e Amerikës Latine, të cilat janë sjellë në Prishtinë me premtimin se do punonin si eskorta.
Dosja përshkruan se organizatorët e rrjetit merrnin mbi 50% të fitimeve nga aktiviteti seksual i vajzave në Prishtinë.
Dy vajza (emra të njohur për redaksinë) pretendohet se janë dëshmitare të kësaj skeme.
Ato kanë rrëfyer në Prokurori se kishin arritur në aeroportin e Tiranës dhe nga aty më pas me autobus kishin arritur në Prishtinë, ku ishin vendosur në banesën e një personi nga një vend i Amerikës Latine me emrin Batuhan Begion.
Prokuroria pretendon se përpos këtyre dy vajzave rrjeti kishte në menaxhim edhe vajza të tjera ndërsa klientët për shërbime seksuale aranzhoheshin në aplikacione telefoni.
Prokuroria përshkruan se grupi kishte edhe një skemë detyrimi për vajzat rebele, të cilat nuk pranonin të kryenin punët.
Dy nga to kanë deklaruar në Polici se ishin rrahur fizikisht në Prishtinë nga tre persona pasi kishin thyer disa rregulla të grupit.
Sipas dosjes, organizatorja e grupit dhe disa shtetas nga vendet e Amerikës Latine janë arrestuar nga Prokuroria muaj më parë, ndërsa së fundmi për llogari të këtij hetimi nga Shqipëria janë ekstraduar dy shtetas.
Dy shtetasit, Geri Hoxha dhe Reando Biba, dyshohet të jenë pjesë e rrjetit të organizimit.
Këta të dy janë ekstraduar nga Shqipëria para disa javësh, ndërsa së fundmi Gjykata e Prishtinës u ka caktuar masën e dorëzanisë.
Geri Hoxha është djali i gazetarit nga Shqipëria, Artan Hoxha.
Sipas Prokurorisë, Hoxha dhe Biba po dyshohen se kanë trafikuar vajza e gra nga vendet e Amerikës Latine dhe vende të tjera në Kosovë me qëllim të kryerjes së shërbimeve seksuale në këmbim të parave.
Prokuroria pretendon se Geri Hoxha si pjesë e këtij grupi kishte disa transaksione financiare me Indonezinë, Spanjën dhe kishte transaksione bankare me të dyshuarën kryesore të rrjetit, Fabiana Vega.
Geri Hoxha, i cili në dosjen e Prokurorisë figuron si teknik dental, kurse Reando Biba figuron si shofer i ambulancës, ishin sjellë para Gjykatës më 14 prill 2026.
I kontaktuar nga kallxo.com, i ati i Geri Hoxhës, Artan Hoxha, ka thënë se nuk i ka shkresat e lëndës.
“Çështja është në hetim. Ne nuk kemi asnjë lëndë. Prokurori e ka çështjen në hetim, nuk na ka dhënë asnjë material” – ka thënë Hoxha për KALLXO.com.
Avokatët e të dyshuarve e kishin kundërshtuar në tërësi kërkesën e prokurorit të shtetit për paraburgim, duke thënë se nuk ka prova konkrete që mbështetet dyshimi i bazuar se klientët e tyre kanë kryer veprat penale që pretendon PSRK.
Sipas avokatit Labinot Vata, që mbron Geri Hoxhën, gjithë kërkesa për paraburgim mbështetet në aludime dhe supozime pa asnjë provë materiale, dokument apo deklaratë që e ndërlidh drejtpërdrejt të mbrojturin e tij.
Sipas Vatës, Hoxha nuk ka të kaluar kriminale. Ai i ka propozuar Gjykatës që të caktojë ndonjë masë tjetër në vlerë prej 10-20 mijë euro dorëzani.
Gjykata kur ka caktuar masën e dorëzanisë ka thënë se ekziston dyshimi se janë kryer veprat penale që u ngarkohen të dyshuarve, nëse lihen në liri pa ndonjë masë do të mund të arratisen dhe se nuk ka rrezik që të përsërisin veprën penale për të cilën ngarkohen pasi e dyshuara kryesore gjendet në paraburgim si dhe ndaj të cilës është ngritur aktakuza.
Kurse Shpend Lushaku, avokat i Reando Bibas, në seancën dëgjimore ka thënë se Prokuroria nuk ka paraqitur përshkrim të provave, arsye të detajuar apo rrethana konkrete që e mbështesin dyshimin e bazuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale.
Sipas Lushakut, Biba ka pranuar vullnetarisht të bëhet ekstradimi i tij.
Avokati i ka propozuar Gjykatës që të caktohet ndonjë masë më e lehtë, siç është ajo e dorëzanisë prej 10 mijë euro apo 15 mijë euro.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi se të pandehurit si grup i organizuar kriminal me dijeni e dashje kanë bërë organizim, rekrutim, transportim dhe transferim të femrave nga Amerika Latine dhe vende të tjera në Republikën e Kosovës.
Sipas dosjes së PSRK-së, këto gra e vajza janë përdorur për shfrytëzime seksuale me anë të dhënies ose marrjes së pagesave për kryerjen e shërbimeve.
Sipas PSRK-së, skema për këtë veprimtari është zhvilluar në aplikacionin për komunikim WhatsApp me personat e tjerë me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit, pornografisë ose forma të tjera të shfrytëzimit seksual
“BNB- booking” është shfrytëzuar si platformë për t’u siguruar vendet ku do të kryheshin veprimtaritë, thuhet në dosjen e PSRK-së.
Prokuroria në kërkesën për paraburgim ka specifikuar se Geri Hoxha dhe Reando Biba kanë të kaluar kriminale.
Tutje PSRK ka shtuar se ekzistojnë transfere bankare mes të dyshuarit Hoxha dhe personave të tjerë në Spanjë dhe Peru. Tutje PSRK ka përmendur se të dyshuarit kanë lënë gjurmë edhe në sistemin e hyrje-daljeve në këto shtete,
Dy të dyshuarit pretendohet se kanë kryer veprat penale – krim i organizuar dhe – trafikim me njerëz.
Avokati Labinot Vata ka thënë se Prokuroria nuk ka paraqitur prova për këtë person por vetëm ka komentuar rastin pa u mbështetur në prova.
Sipas avokatit, Gjykata ka vendosur që të caktojë dorëzaninë sipas propozimit të tij.
Vata ka thënë se Geri Hoxha ka qenë bashkëpunues dhe ka ofruar që të procedohet më shpejt ekstradimi, pasi ftesa e institucioneve të Kosovës nuk ka arritur në Shqipëri.
Sipas avokatit, dorëzania prej 15 mijë euro është paguar prej familjarëve të Geri Hoxhës.
“Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë, krejt janë aludime dhe çështja pritet me u sqaru në të ardhmen përmes hetimeve. Nuk besoj që ka me pasë aktakuzë sepse nuk ka asnjë provë. Ftesa nuk ka arritur asnjëherë me iu dërgu Gerit, për atë është bërë ekstradimi. Sikur të kish pasë ndonjë ftesë apo diçka… Geri vullnetarisht ka ardhë edhe me kërkesën tonë është caktuar dorëzania. Po, dikush prej familjarëve e kanë paguar (dorëzaninë)”- tha Vata.
Çështja është në hetim nga Prokuroria Speciale dhe hetimet e përshkruara nga prokurorja pritet të zbardhin edhe rrethana të tjera për ngjarjet./Kallxo.com



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.