Dy kandidatë të socialistëve për Tiranën, fitore e PD-së

Gara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës ka qenë tejet e rëndësishme si për PD-në dhe PS-në. Diferenca e votave nuk ka qenë e madhe. Kjo ka ndodhur kur PD ende ekzistonte si parti pak a shumë normale, si parti që populli ende shpresonte dhe besonte te ajo. Aktualisht PD-ja është e rrënuar. Ka një drejtues që e ka zbuluar krejtësisht veten si komunist i maskuar me petkun e demokratit. Kjo ka bërë që populli të mos e mbështesë më Sali Berishën si njeri i korruptuar me vulë Amerikano-Britanike, si gënjeshtar e mashtrues, prandaj ai i ka humbur në seri zgjedhjet për Parlamentin. Ama, kur vjen puna për kandidatin e saj për kryetar të Bashkisë së Tiranës, çështja ndryshon. Ai post nuk lidhet direkt me personin Sali, po me të djathtën, me fatin e saj. Për këtë arsye, përveç anëtarëve të PD-së, shumica e të djathtëve pa parti, që nuk durojnë dot sundimin e të majtëve dhe nuk honepsin liderin e tyre, duke e quajtur me përbuzje “i gjati”, kanë për të votuar për njeriun e PD-së. Pra, edhe pse e degraduar rëndë, PD-ja sërish ka shanse të marrë jo pak vota. Natyrshëm, kandidati i PS-së mendohej se kishte për të qenë fituesi. Kjo deri në ditën kur, përveç zonjës Ogerta Manastirliu nga kampi i PS-së, doli sihariqi që si kandidat i pavarur i kësaj force politike kërkon të kandidojë edhe deputeti Erion Braçe. Ai mirënjihet për ndershmërinë e tij. Është një zë i arsyeshëm “opozitar” brenda familjes së madhe socialiste, shumë të disiplinuar.
Çfarë do të thotë që nga e njëjta parti të jenë dy kandidatë për të njëjtin post? Që votat e socialistëve dhe e qytetarëve të Tiranës, të cilët vlerësojnë punën e PS-së, të ndahen në dysh, pak më pak apo më shumë, për njërin ose tjetrin, duke ulur dukshëm numrin e përgjithshëm të votave që i duhet secilit për të fituar garën me kandidatin e PD-së.
Pse ndodhi kjo krisje disiplinore e socialistëve dhe si mund të dalë PS nga kjo krizë reale që duket se po firmos para kohe humbjen e bashkisë më të madhe dhe më të rëndësishme të Shqipërisë?
E para dhe kryesorja është se Kryetari i Partisë, zoti Edi Rama, del se ka caktuar për kandidate zonjën Manastirliu pa zhvilluar një garë për atë detyrë midis socialistëve. Si rregull, në demokraci disa persona garojnë. Fituesi përcaktohet nga vota e forumit dhe e anëtarësisë së këtij apo atij qyteti. Kur ky rregull shkelet me të dy këmbët, edhe po të jetë se e emëruara është personalitet i padiskutueshëm, lindin pakënaqësira. Në PS-në që njihet për disiplinë dhe unitet (hajde gjeje nëse ky unitet është i vetëdijshëm apo është heshtje nga frika e pasojave), erdhi çasti kur njëri do të merrte iniciativën për t’i thënë hapur liderit: ku të çon mushka, o Kryetar, ne nuk jemi muzikantë që ti na drejton me shkopin e dirigjentit! Ky njeri i guximshëm e ka emrin Erion Braçe.
Në këto kushte, PS-ja, derisa ende ka kohë, ka mundësi ta kalojë këtë situatë të jashtëzakonshme për të, duke organizuar një garë të brendshme, që forumet dhe anëtarësia të zgjedhin kandidatin e tyre. Kjo vështirë të arrihet, derisa kryetarët e partive me stazh mbi 20 vjet e kanë të pamundur të tërhiqen nga diktati i tyre. Mbetet që Erion Braçe të vendosë. Nuk ka mundësi të jesh deputet dhe figurë e një partie dhe të dalësh kundër vendimeve të saj. I takon të tërhiqet ose të kandidojë si qytetar i pavarur, jo si socialist. Partia atij i ka dhënë shumë. Edhe Erioni nuk është lodhur së punuari për partinë dhe popullin e tij. Ka shumë të ngjarë që ai të tërhiqet nga kjo ide që të mbetet një figurë e dashur e PS-së. Po sikur ai të mos tërhiqet? Kjo do të thotë që PS 100 për qind ta humbasë Bashkinë e Tiranës. Këtë nuk kanë si ta pranojnë as Rama si kryetar, as forumet dhe as anëtarësia. Këtë nuk duhet ta pranojë as vetë zoti Braçe. Mbetet zgjidhja e fundit, ajo më e padëshirueshmja, që ai të përjashtohet nga kjo forcë politike, derisa del kundër vendimeve të saj. Në çdo parti, asnjëri nuk ka të drejtë të dalë kundër vendimeve të saj ose të ndërmarrë veprime që e dëmtojnë atë. Duke dalë kundër, vetvetiu çdo person e mënjanon veten nga partia. Si fraksion ai mund të jetë, por vetëm për t’i diskutuar problemet brenda partisë. Nëse del hapur zyrtarisht kundër një vendimi të saj, qoftë dhe i gabuar, ai vetë ka firmosur largimin e tij. Në këto çaste po më kujtohet shprehja se delen e vetmuar e ha ujku. Vendin e saj ajo e ka në tufën e ruajtur. Janë me qindra rastet kur X ose Y person i kësaj apo asaj partie, sidomos nga opozita, janë larguar. Thuajse të gjithë janë harruar. Njëshi, zero fyell, – ka thënë Majakovski.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.