E kam “inat” ditën e parë të shkollës!
Po, po e kam shumë “inat”!
Nga Luçiano Boçi
E kam “inat” se më kujton magjinë e shkollës që nuk e prek dot më.
E kam “inat” se më kujton magjinë e shkollës që nuk e prek dot më.
Atë mëngjesin që niste që në darkë, me rrobat e bëra gati, me këpucët pranë derës dhe me çantën që e hapje për të disatën herë, sikur librat mund të largoheshin prej saj gjatë natës.
E kam inat, se disa gjëra i neglizhova me dashje dhe sot do të doja t’i jetoja me gjithë vëmendjen e botës. Një këshillë mësuesi që më dukej e gjatë. Një orë që mezi prisja të mbaronte. Një pushim që e shpërdorova, duke menduar për orën tjetër. Një shoqe së cilës nuk i thashë sa shumë ma zbukuronte ditën.
Atëherë kishim aq shumë të nesërme përpara, sa na dukej se asgjë nuk kishte nevojë të thuhej sot.
E kam “inat” fillimin e shkollës për atë aromën e librave të rinj.
Për atë zakonin për t’i shfletuar të gjithë që ditën e parë, për të parë çdo faqe, për të lexuar ndonjë tregim në mes dhe për të matur me sy sa i vështirë do të ishte viti.
E kam “inat” për emrin që e shkruanim në faqen e parë me një kujdes pothuajse solemn.
Për fletoren e re, ku betoheshim se këtë herë nuk do të kishte asnjë zhgarravinë.
Betimi zakonisht zgjaste më pak se fletorja.
E kam “inat” për bankën që duhej zënë herët dhe për vendin që ruhej me çantë. “Këtu është dikush!”
Edhe kur ai dikushi ende nuk kishte dalë nga shtëpia.
Për shoqen e shokun e bankës, ose ngjitur, me të cilin ndanim gomën, lapsin, përgjigjen dhe, kur na zbulonin duke folur, krijonim një pafajësi të plotë në fytyrë.
Për vijën imagjinare në mes të bankës, që shpallej kufi i paprekshëm pas një zënke dhe shkelej sapo duhej parë zgjidhja e ushtrimit.
E kam “inat” për ato mëngjese, kur mësuesja hapte regjistrin dhe klasa mësonte të mbante frymën njëkohësisht. Gishti i tij zbriste mbi emra, ndërsa ne përpiqeshim të bëheshim të padukshëm. Shihnim fletoren me përqendrimin e njerëzve që kishin zbuluar papritur kuptimin e jetës. Vetëm të mos na takoheshin sytë.
Dhe pikërisht atëherë dëgjohej emri yt…
E kam “inat” për rrugën nga banka te dërrasa e zezë, që disa ditë ishte më e gjata në botë.
Për shkumësin që të mbetej mes gishtave dhe për përgjigjen që e dije një minutë më parë, por që, sapo ngriheshe, papritur vendoste të të braktiste. Për pëshpërimën shpëtimtare nga banka e dytë, aq të ulët sa nuk e dëgjoje ti dhe aq të qartë sa e dëgjonte mësuesi.
Për atë “mirë, ulu” që herë tingëllonte si shpëtim dhe herë si zhgënjim që e merrje me vete deri në shtëpi.
E kam “inat” për të qeshurën që të kapte kur nuk duhej. Mjaftonte një vështrim anash, një fjalë e shkruar në cep të fletores, një shprehje e shokut. Shtrëngoje buzët, ulje kokën, bëje sikur kolliteshe. Sa më shumë përpiqeshe ta ndaloje, aq më e pamundur bëhej.
“Nëse është kaq për të qeshur, na e thoni edhe neve.” – dëgjohej mësuesja.
Por si mund t’ia shpjegoje mësueses një gaz që as vetë nuk e dije nga vinte?!Ishte mosha që gjente një të çarë të vogël në seriozitetin e orës dhe dilte prej andej duke qeshur.
E kam “inat” për detyrën që e kishim “bërë”, por fletoren, çuditërisht, e kishim harruar në shtëpi. Për pesë minutat para mësimit, kur një fletore e vetme ushqente me përgjigje gjysmën e rreshtit.
Për hartimin që niste me guxim dhe përfundonte duke numëruar rreshtat. Për vjershën që në shtëpi e thoshe pa u ndalur, ndërsa përpara klasës të humbiste pikërisht fjala që lidhte gjithë strofën.
Sa shumë dramë kishte brenda një ore mësimi?! Dhe sa pak duhej që, në pushim, gjithçka të harrohej.
E kam “inat” për zilen. Sidomos për atë të fundit, që kishte një tingull krejt tjetër nga të gjitha të tjerat. Për fjalinë “zilja është për mua”, ndërsa ne e kishim mbyllur çantën dhe njërën këmbë e kishim tashmë drejt derës.
Për oborrin që mbushej përnjëherësh me vrap, thirrje, bukë të ndarë përgjysmë dhe plane që duhej të realizoheshin brenda dhjetë minutash.
Atëherë dhjetë minuta pushim na mjaftonin për kaq shumë jetë.
E kam “inat” edhe për atë vend në klasë ku sytë shkonin vetë.
Për një buzëqeshje që na e përmirësonte ditën më shumë se një notë e mirë. Për një laps të kërkuar hua pa qenë nevoja.
Për një emër të shkruar në faqen e fundit dhe të fshirë menjëherë, nga frika se mos dikush lexonte aty më shumë nga ç’duhej.
E kam “inat” për rrugën e kthimit që ndonjëherë e zgjatnim kot. Ose që sot mund ta pranojmë se nuk e zgjatnim kot.
E kam “inat” fillimin e shkollës se më kujton se sa me padurim donim të iknim prej saj.
Prisnim pushimet, fundin e vitit, klasën e fundit. Rritja na dukej si një derë pas së cilës askush nuk do të na kërkonte më llogari.
Pastaj erdhën ditë kur do të donim të kishim përsëri një mësuese përpara, të na dëgjonte deri në fund dhe të na thoshte: “Mendoje edhe një herë. Ti e di.”
Sot e kuptoj ndryshe peshën e asaj fjalie. Brenda saj kishte besim. Dikush nuk dorëzohej për ne, edhe kur ne ishim gati të dorëzoheshim përpara një ushtrimi.
Kur e njeh shkollën edhe nga ana e mësuesit, e kupton sa kujdes kërkon ai besim.
Një fëmijë mund ta harrojë shpjegimin, por e mban mend gjatë mënyrën si e ke parë kur ka gabuar.
E kujton nëse e ke turpëruar, apo i ke dhënë kurajë të provojë sërish.
Në çdo klasë ka një dorë që ngrihet me siguri dhe një tjetër që mbetet përgjysmë. Mësuesit i duhet t’i shohë të dyja.
Prandaj ky “inat” imi ka edhe një lutje për të rriturit që tashmë jetojnë me inatin-mall të ditë së parë të shkollës.
T’ua ruajmë fëmijëve dëshirën për të hyrë në atë derë.
Të kenë vend për pyetjet, për gabimet, për talentet që ende nuk dinë t’i tregojnë.
Të kenë kujtime të bukura edhe ata që nuk dalin të parët.
Dhe kur të kthehen në shtëpi, të gjejnë dikë që, përpara se t’i pyesë për notën, t’i dëgjojë si e kaluan ditën.
E kam “inat” fillimin e shkollës, sepse çdo shtator më gjen pak më larg atij oborri dhe po aq të lidhur me të. Mjafton një fotografi, një emër shoqeje apo shoku, një zë fëmije që përsërit mësimin dhe largësia zhduket për një çast.
Pastaj shoh fëmijët që bëjnë çantat gati dhe më vjen t’u them të mos nxitohen kaq shumë.
T’i jetojnë edhe ato orët që duken të gjata.
T’i ruajnë miqësitë.
Të bëjnë ndonjë fotografi, edhe kur u duket se s’ka ndodhur asgjë e veçantë.
Sepse një ditë do ta kërkojnë pikërisht atë ditë të zakonshme që nuk është kaq e zakonshme.
Gëzuar fillimin e shkollës të dashur fëmijë!
Shkolla është gjëja më e bukur që ka krjuar njerëzimi.
Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.