E megjithatë Veliaj është njeri, o njerëz!

Sot rrjetet sociale janë mbushur me dëshmitë e policit që i dha celularin Erion Veliajt të fliste kur qe në makinën e burgut me bashkëshorten dhe vëllanë. Të gjithë në postime kishin veçuar një fjali, “Erioni po qante”. E pas kësaj me të drejtë janë lëshuar komentet me emërues të përbashkët, “ti të qash sa të plasësh se bëre për të qarë gjithë Tiranën”.
Nëse hyn në rreshtat që shkruhen për të, ndesh mallkime, urrejtje, akuza, përbetime, kërcënime. Nuk besoj se do të lindë ky vend një politikan që ta urrejnë njësoj edhe kundërshtarët, edhe të vetët. Ngaqë u ngjit në krye me lëpirje, me role të neveritshme, u përdor si vegël dhe foli çfarë i shkruan ustallarët.
Por të mos harrojmë se ai është njeri dhe ne jetojmë në një vend demokratik, me një Kushtetutë që në themel ka liritë e të drejtat e njeriut. Me aq prova sa ka akuza, fare mirë mund të ishte në arrest shtëpie ky person. Se thelbi i dëmtimeve janë përvetësimet e gruas së tij. Ajo në shtëpi e ky në qeli. Meqenëse mburremi me aleatin tonë strategjik, Amerikën, Trump pati 83 akuza penale e nuk u fut një ditë në burg. Ka plot të pandehur për vrasje, kur nuk janë kapur në flagrancë, që rrinë në punë a shtëpi në pritje të vendimit të gjykatës. Ndërsa tek ne edhe po të mos paguash gjobë polici për tejkalim shpejtësie kalbesh në birucë.
Rasti i Veliajt, paçka se mllefi ndaj tij ia kalon tifozllikut të futbollit, duhet parë si respekt për Kushtetutën. Nuk arrestohet e harrohet brenda se ndoshta ashtu janë hallet e rivalitetit në PS apo ashtu ka parë ëndërr dikush që tashmë ka në dorë gjithçka.
Erion Veliaj është njeri, o njerëz. Unë nuk shkoj para SPAK-ut të protestoj, por duhet ta ngremë zërin që dhe rivalit, dhe kundërshtarit, dhe atij që përgojoi e ndyu plot figura t’i respektohen të drejtat, liritë. Kështu dhe dënimi i tij, nëse do të dënohet, do të jetë i besueshëm. I dhënë nga një gjykatë e paanshme. Ndryshe këto lloj arrestimesh i kemi jetuar. Kurrë mos i përjetofshim!

