Politika

Edi Rama në kërkim të investitorëve në Amerikë, u flet edhe për Ballkanin e Hapur

Kryeministi Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku sot takoi disa përfaqësues të industrisë automotive në Miçigan.

Në fund të takimit, kryeministri tha se një grup përfaqësuesish nga kompania amerikane do të vijnë në Shqipëri, për të parë mundësinë e të investuarit këtu. Sipas tij, pjesë e diskutimeve ishte dhe nisma e vendeve të rajonit, “Open Balkan” (ku aktualisht bën pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut), që siç thotë kryeministri jep mundësinë e një tregu të lirë, që do të tërheqë më shumë investime të huaja.

“Gjetëm interes për të dëgjuar më shumë dhe në fund ramë dakord që një mision i ‘Automation Alley’ do të vijë në Shqipëri për të parë nga afër si dhe për të kuptuar më mirë çfarë po ndodh me ‘Ballkanin e Hapur’ dhe transformimin e tregut në një treg të lirë dhe me një pozicion shumë të favorshëm për investime të huaja”, shprehet kryeministri.

Duke vlerësuar shqiptarët si njerëz të ngrohtë dhe shumë miqësorë, një prej përfaqësuesve të ‘Automation Alley’ foli për mundësinë e një misioni tregtar të kompanisë amerikane në vendin tonë:

“Unë e kam vizituar Shqipërinë në vitin 1984. Shqiptarët janë njerëzit më të ngrohtë dhe më miqësor që mund të takosh në këtë botë dhe unë kam udhëtuar në më shumë se 84 vende, por shqiptarët janë të mrekullueshëm. Jemi me fat që këtu në Miçigan, kemi një komunitet prej 120 mijë shqiptarësh, shumë prej të cilëve janë miq dhe bashkëpunëtorë. E vlerësojmë miqësinë tonë me përfitime të përbashkëta mes dy vendeve. Në ‘Automation Alley’ po punojmë për të nisur organizimin e një misioni tregtar në Shqipëri dhe presim me padurim të vijmë për të përfituar nga miqësia dhe ngrohtësia që vendi ka për të ofruar”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button