Ekonomia

Ekonomia për dosjen Panama, Braçe – AK: Kontroll pasqyrave financiare të GFI

Në seancën e sotme të Komisionit të Ekonomisë u diskutua skandali financiar i dosjes së Panamasë, sakaq që e ftuar të flasë për aktivitetin e AK gjatë vitit të shkuar ishte kryetarja e saj Lindita Lati.

Që me nisjen e mbledhjes, kryetari i komisionit ka folur për skandalin e evazionit fiskal dhe të publikimit që një nga kompanitë e përfshira rezultoi ajo e markimit të karburanteve në vendin tonë GFI.

“ Në 2015 kompaninë GFI Albania ndryshoi kuotat e aksioneve. Sa transparente ishte shitja e aksioneve nga kompania themeluese? Shqetësimi po thellohet për transferimin e aksioneve të kompanive të mëdha dhe se duhet patjetër të kontrollohen transaksionet e tyre”- ka thënë Braçe, duke iu referuar rastit të GFI dhe ARMO. Kryetari i Komisionit ka theksuar edhe se Autoriteti i Konkurencës duhet t’u paraprijë këtyre transferimeve , pasi kompanitë e naftës po e bëjnë këtë skemë çdo dy vite.

Kreu i Autoriteti i Konkurencës theksoi se nuk ka informacion të pasqyrave financiare të GFI, me arsyetimin se ligji nuk e lejon duke qenë se janë firma off-shore. “ Nuk gjejmë dot të dhëna për xhirot. Ligji s’na jep mundësi të kontrollojmë treguesit e tyre. ” ka thënë Lati.

Sipas të dhënave të bëra publike dje përmes një harte botërore nga Brian Kilmartin, editor në gazetën Irish Times. zbulohet se pjesë e skemës evazive të dosjes së përfolur Panama, janë edhe 2 kompani nga Shqipëria, nga të cilat përfitojnë 22 aksionerë. Sipas të dhënave të nxjerra nga portali Haaretz, tregohet emri i kompanisë së parë që ka lidhje me Shqipërinë dhe që përmendet në dokumentet e skandalit të Panamas. Një avokat, i quajtur Assaf Halkin, ka regjistruar katër kompani përmes firmës ligjore panameze, “Mossack Fonseca” në qendër të skandalit me pastrimin e parave në parajsat fiskale. Mësohet një nga bizneset që Halkin ka themeluar jashtë vendit është GFI Technologies. Ajo është regjistruar në maj të 2013 në ishullin e Anguilla me qëllim investimin e kompanive shqiptare të teknologjisë së lartë. Sipas të dhënave, Halkin një shtetas shqiptar, i njohur me emrin Ismail Mulati së bashku me një firmë kanadeze të quajtur “Global Fluids International S.A”. janë pronarët e kompanisë.

Nga ana tjetër, për çështjen e koncesionarit të Rinasit iu drejtuan pyetje znj. Lati nga deputetët e Komisionit. Ajo shprehu edhe njëherë qëndrimin e AK për mosshtyrjen e afatit të koncesionarit të Rinasit nga hapja e aeroportit të Kukësit, si dhe përshëndeti marrëveshjen në fjalë si një arritje në drejtim të rritjes së konkurrencës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button