Elbasan- Sejdini: Do të jem miku më i mirë i të rinjve
Kandidati i ASHEE, Qazim Sejdini, zhvilloi sot një takim me të rinjtë e qytetit të Elbasanit, në Kodër Krastë. Përpara entuziazmit të të rinjve, Sejdini parashtroi programin e tij për rininë në katër vitet e ardhshme.
“Do të jem miku më i mirë i të rinjve, pasi së bashku do ta çojmë Elbasanin përpara, bashkë do të ndryshojmë qytetin tonë. Jemi të gjithë bashkë, ju dhe unë, por bashkë me ne është edhe Kryeministri Rama dhe kreu i LSI-së, Meta dhe të gjithë bashkë jemi të fuqishëm dhe mund të bëjmë shumë për qytetin. Ne e kemi treguar se dimë të punojmë dhe dimë të jemi konkretë, ne kemi punë dhe vepra dhe këtë jua dedikojnë juve, ua dedikojmë rinisë, pasi për ju punojmë.”
Sejdini paraqiti disa nga pikat e programit të tij për rininë:
“1. Programet bashkiake të nxitjes së punësimit që do të mundësojnë stimulimin e vendeve të punës në ekonomitë lokale. Kjo është detyra e parë dhe kryesore për ne, pasi pa punë nuk mund të shkojmë asgjëkundi. Ne jemi të detyruar t’u drejtohemi ju me programe punësimi dhe këtë do ta mbështesim në përkrahjen e qeverisë.
2. Mbështetjen e të rinjve për të patur plane individuale të zhvillimit të karierës së biznesit, përvojë kjo e fituar nga Bashkia Elbasan me programet IPA.
3. Hapjen e zyrës së karierës për të rinjtë, përmës partneritetit publik-privat.
4. Ngritjen e një qendre multifunksionale të arsimit profesional, bazuar në infrastrukturën ekzistuese dhe e plotësuar me konvikt për nxënësit dhe kursantët që nuk janë nga qyteti.
5. Ngritjen e një shkollë profesionale bujqësore.
6. Dhënien e bursave dhe ndërmjetësimin përmes zyrës së karierës për studime universitare.
7. Hapjen e bibliotekave publike për çdo njësi administrative në qytet dhe në çdo qendër komune.
8. Ndërtimi i kompleksit artistiko-kulturor shumë aktivitetësh nëpërmjet partneritetit publik-privat.
9. Kthimin e ambienteve sportive në shkolla në qendra e këndë sportive për fëmijët, të rinjtë dhe banorët.
10. Komunikimi digital, internet në çdo qendër komune, projekt i USAID-it.
Këto janë projekte reale, projekte që mbështeten, jo vetëm nga Bashkia dhe administrata e saj, por projekte që kanë prapavijë donatorët e huaj dhe qeverinë shqiptare dhe që kanë kohën e duhur, theksoi Sejdini.
Qyteti e meriton gjithë këtë përkushtim dhe këtë punë dhe meriton ende më shumë. Ne të gjithë duhet ta duam qytetin tonë, jo thjesht se jemi banorë të tij, por ta duam se është qytet i nderuar. Elbasani nuk është më qyteti me 40 km2, por Elbasani me 745 km2. Tani nuk është Elbasani qytet me 120 mijë banorë, por me 220 mijë banorë, me 160 mijë votues.
Tashmë Elbasani është edhe i industrisë, edhe i punësimit edhe i kulturës, edhe i bujqësisë, edhe i monumenteve të kulturës, edhe i historisë etj. Brenda vitit qyteti i Elbasanit do të ketë ujë 24 orë dhe brenda mandatit 4 vjeçar, i gjithë territori i Elbasanit do të ketë impiantin e trajtimit të ujërave të zeza. Do të kemi një lumë Shkumbin të pastër dhe një qytet të pastër. Investimet në Elbasan nuk do të jenë investime elektorale, por reale, sepse ne dimë të drejtojmë dhe e njohim mirë si punohet. Zona e ish Kombinatit Metalurgjik do të jetë vendi ku do të zhvillohet industria dhe biznesi, vendi që do të gjenerojë punësim. Kombinati Metalurgjik do të jetë zonë ekonomike, ashtu siç po bëhet Vlora, Durrësi e Velipoja. Pra, Elbasani në këto 4 vite do të jetë vendi i punësimit dhe i zbutjes së varfërisë, qytet i mirëqenies.”