Emigrantët në Greqi kthehen për të votuar
Megjithëse larg atdheut të tyre, emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, shprehin dëshirën e tyre për të shkuar e për të votuar në zgjedhjet lokale, pasi e konsiderojnë votën e tyre një mjet demokratik që do të çojë përpara Shqipërinë.
Landi Kaja, emigrant nga Lushnja, thotë: “Duhet që nëpërmjet votës të fitojë pushteti i drejtë dhe njeriu i rregullt për menaxhimin e jetës së qytetarëve dhe të taksapaguesve shqiptarë”.
“U bëj thirrje të gjithë votuesve shqiptarë të votojnë për personin, jashtë ngjyrave politike, sepse do të ndikonte negativisht edhe në zgjedhjen e atij personi të duhur që duhet të jetë i denjë dhe i devotshëm për të realizuar, qoftë edhe 50% të premtimeve para fushatës”, tha Arti Cako, emigrant nga Korça.
Xhoana Bego, emigrante nga Pogradeci, u shpreh: “Duke parë të gjitha ato që ndodhin në Shqipëri, kërkoj një jetë më të mirë për njerëzit që jetojnë atje, por edhe për ne që jemi këtu”.
Ndërsa Shqiponja Shehu, emigrante nga Korça, thekson: “Më 21 Qershor do të shkoj me gjithë shpirt e zemër për të votuar për Atdheun dhe kam besim se njerëzit që do të votojmë do ta çojnë Shqipërinë sa më përpara”.
Emigrantët japin edhe arsyet pse duhet shkuar për të votuar.
Dhimitraq Sulollari, emigrant nga Maliqi: “Besoj se është shumë e rëndësishme vota e të gjithë emigrantëve që jetojnë në Greqi, sepse sipas mendimit tim, kanë tjetër mentalitet”.
Erjon Agalliu emigrant nga Gjirokastra: “Mendoj se vota ime mund të ndikojë për ato dy plane që qeveria ose pushteti lokal beson se mund të jenë të sakta. Me votën time ‘po’ ose ‘jo’ tregoj një vlerë si qytetar dhe ndihmoj vendin”.
Pavarësisht se përjetojnë një periudhë të tejzgjatur të krizës ekonomike që ka pllakosur në Greqi në pesë vitet e fundit dhe që ka shkaktuar pasoja edhe në jetën e tyre, një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve shqiptarë nga qyteti verior i Greqisë duket se do të jenë të pranishëm pranë kutive të votimit në zonat e tyre të dielën, më 21 Qershor.