Emisioni italian ‘Le Iene’ reportazh në Shqipëri: Si fejoi familja Margaritën 13 vjeçe
Emisioni italian investigativ “Le Iene” është kthyer sërish në Shqipëri, kësaj radhë për të denoncuar fenomenin e fejesave në djep, një tradite e lashtë që ruhet edhe sot në disa zona.
Margarita sot është 13-vjeçe. Për jetën e saj ka menduar familja, e cila e ka fejuar me një djalë shumë më të madh se veten. Alfredi sot është 25-vjeçar dhe pret që Margarita të rritet edhe pak e të martohen zyrtarisht.
“Le Iene” ka udhëtuar në fshatin Polis Sheh të Librazhdit dhe ka intervistuar prindërit e vajzës.
Në një banesë modeste, familja ka treguar se si u lidh martesa në djep, te cilen e pranon edhe vete vajza e vogel.
Fejesa është realizuar nga prindërit e të dyja palëve, por problemi qëndron në faktin që vajza është ende në moshë të vogël dhe një veprim i tillë nuk i lejohet ligjërisht.
Babai pyetet se përse e detyron të bijën të martohet me një njeri që nuk e do, ai thotë “Vajza ime e do djalin. Ne nuk marrim para për këtë punë. Kështu e ka tradita në këtë zonë. Po presim të rritet dhe pak dhe pastaj do të martohet”.
Ai tregon ndër të tjera se edhe vetë është martuar në të njëjtën mënyrë dhe se arsyeja e vetme pse po e marton të bijën është për shkak se ka mbushur moshën dhe më pas mund të ngelë pa burrë. Tradita është më e fortë se ligji në këtë rast, i cili, siç shprehet edhe dhëndri i ardhshëm, Alfredi “nuk ka çfarë ti bëjë “.
Xhaxhai i saj është shprehur se është munduar ta ndalojë të vëllanë që të fejojë vajzën, por ai nuk e ka dëgjuar.