Opinion

Engjëj dhe Djaj

LEONARD BODURI

Sebepi i gurgulesë së lejes te Liqeni

Leonard BoduriPas skandalit të shëmtuar të vasalit të Kokëdhimës në Sarandë, Rama u distancua tërësisht nga i deleguari Agron Cane, duke e përjashtuar menjëherë nga radhët e Rilindjes. Edhe rilindësi fuqiplotë, Kokëdhima, pasi e pa që nuk kishte rrugë tjetër e bëri “hasha” vasalin e tij pervers. Distancimi pa mëdyshje u pa “qartë” në ditët në vazhdim edhe në hapësirën e gazetës së Kokëdhimës, që u kthye në Facebook-un personal të avokatit të Canes. Avokati i shfaqur në poza të larmishme vazhdon të postojë statuse për të mbrojtur klientin e tij “të pafajshëm”, viktimë e intrigave politike. Rilindja, e kapur gafil pas festimeve madhështore të suksesit të 300 ditëve, për të larguar vëmendjen e publikut nga skandali kaloi në kundërsulm mediatik, prandaj menjëherë si rrufe në qiell të kaltër kërkoi dorëheqjen e Bashës nga Bashkia e Tiranës. Mbrojtja më e mirë është sulmi! Fillimisht dorëheqja u kërkua kot, pa asnjë argument! Sipas tellallëve të mbretit dorëheqja kërkohej pasi sipas Ramës, pasuesi i tij, Basha, nuk po i kryente hiç mirë detyrat në krye të bashkisë. Kjo “vërejtje” vinte pa pikë lidhjeje pikërisht në ditët kur ziente në media skandali i Sarandës. Pak ditë më vonë, për habinë e të gjithëve, Rama aq shumë i kompleksuar politikisht për abuzimet me lejet e ndërtimit për herë të parë mori guximin të akuzonte Bashën për dhënien e një leje ndërtimi. Ish-kryetari i bashkisë edhe pse gjatë kohës së “mbretërimit” të tij kishte të drejtë vote dhe drejtonte KRRT-në e përbërë nga 9 anëtarë acarohej jashtë mase kur e akuzonin për ryshfet apo favorizim, duke u mbrojtur me argumentimin  “iluminues” se lejet jepeshin nga këshilli dhe kryetari nuk kishte gisht në këtë punë. Tani Rama e ktheu pllakën: fajin nuk e ka më këshilli po vetëm kryetari i bashkisë. Aktualisht, mbështetur në ligjin “Për Planifikimin e Territorit”, lejet e ndërtimit miratohen nga Këshilli Teknik dhe kryetari Basha nuk ka të drejtë vote dhe nuk merr pjesë në mbledhje, por ish-kryebashkiaku ngul këmbë dhe rreket të na mbushë mendjen që faji është vetëm i kryetarit Basha. Nga ana tjetër, Rama i ka hedhur poshtë me neveri akuzat për korrupsion për lejet e dhëna me siglën e tij, madje kur hodhi në kartë kujtimet si kryebashkiak në librin romantik “Kurbani”, vazhdonte të “përbetohej” për të gjithë shenjtorët se vazhdonte të jetonte me qira në një apartament modest (76 m2 pa llogaritur ballkonin), sipas stilit të përkorë të jetës së një oshënari të devotshëm. Gjithsesi, sikur të mos lëkundeshin pozitat e mikut Kokëdhima, që nga fitues sistematik i tenderëve në bashkinë e Ramës, iu fut botës mediatike me emisionin fantastiko-shkencor “Si të bëhesh milioner”, nuk besoj se do të ngrihej gjithë kjo zhurmë nga selia “mavi”. Pjesa më e bukur në gjithë këtë histori është se deklaratat e selisë rozë vijnë deri diku era moral, kur dihet që morali i Rilindjes pas Aleancës së 1 prillit u hodh drejt e në koshin e plehrave. Nëse e ka seriozisht këtë punën e moralit, Rama të kthejë fillimisht sytë nga vetja, më pas nga bashkëkryetari Meta (të cilin ditën për diell e quante hajdut) e të vazhdojë kështu me radhë në listën e gjatë të rilindësve të tij të “masterizuar” në qelitë e burgjeve të Italisë, Zvicrës dhe gjithë Europës.

Të gjithë të (pa)barabartë përballë ligjit

Meqë teza e moralit ka rënë me kohë e me vakt, jemi të detyruar të kapemi te filli i zbatimit të ligjshmërisë në dhënien e lejeve të ndërtimit. Faktet me kokëfortësi tregojnë se për gjatë gjithë kohës së administrimit të bashkisë nga Rama, jo pak po 11 vjet, Plani Rregullues i kryeqytetit nuk u miratua kurrë, duke i lënë hapësirë dhënies së lejeve të ndërtimit mbi bazën e Studimeve Urbanistike Pjesore, të cilat përfshinin në shumicën e rasteve një shesh të vetëm ndërtimi të dizajnuar sipas oreksit të çakejve të uritur të ndërtimit. Si pasojë, njolla e ndërtimit ishte shpesh një “bingo” e manipuluar sipas pazareve në bashki. Pjesa tjetër e pronarëve jashtë njollës së miratuar mbetej me gisht në gojë. Fatkeqësisht, të gjithë jemi dëshmitarë se nuk mbeti hapësirë para pallateve, oborr shkolle, lulishte publike pa u zaptuar nga babëzia e ndërtuesve. Rama vërtet në pak ditë na shkuli kioskat e parkut Rinia dhe shembi ndërtimet në Lanë, por menjëherë pas dehjes nga lavdia e betejës së kioskave me një vrull donkishotesk filloi të na ngulte me lezet ditë pas dite shëmtitë e betonit që filluan të mbinin sa më afër qendrës si kërpudhat pas shiut. Shiun e hidhte nga retë me “duar të pastra” Rama, “shenjtëria” e tij dora vetë. Dëshminë e kësaj batërdie barbare mund ta shohësh me keqardhje dhe trishtim sa herë që mund të hedhësh sytë nga Dajti drejt kryeqytetit. “Kabuli”, produkt i “miradministrimit” të lavdishëm të Ramës dhe engjëjve të tij ngrihet kokëfortë në një amulli të pabesueshme planifikimi. Suksesi i ish-kryebashkiakut në përmirësimin e paparë të cilësisë së të jetuarit në kryeqytet duket sheshit edhe në zgjedhjen e ndërtimit të një vile në Surrel, si rezidencë e përhershme e familjes së tij. Bravo! Ja pra që Rama nuk ka faj kur kritikon Bashën për keqadministrim dhe kërkon me forcë dorëheqjen e tij. Me ardhjen e Bashës në krye të Bashkisë Tiranë, si hap i parë administrativ, u pezullua dhënia e lejeve deri në miratimin e Planit Rregullues. Pas miratimit të tij, dhënia e lejeve bëhet mbi bazën e Planeve të Detajuara Vendore (PDV), të cilat përfshijnë një territor së paku 3-5 hektarë, ku pjesa e pronës së zënë nga ndërtimi nuk e kalon vlerën 50 për qind. Nga ky rregull nuk është përjashtuar as territori ku është dhënë pak ditë më parë leja e famshme te Liqeni Artificial. Për të njëjtin territor në vitin 2006, Bashkia e Tiranës ka organizuar një konkurs ndërkombëtar, ku sipas projektit të përzgjedhur nga pararilindësit, zona e shfrytëzuar për ndërtim ishte llogaritur në 66 për qind e zonës së studiuar dhe parashikohej që ndërtesat të kishin një lartësi maksimale prej 30 katesh. Vetëm 8 vjet më pas, por këtë herë mbi bazën e përcaktimeve të Planit Rregullues të Tiranës, të miratuar nga votat e PD+LSI, leja e ndërtimit mbi të njëjtën zonë të studiuar ruan të paprekura territoret e Parkut, të Pishinave dhe të kompleksit sportiv “Dinamo”, duke parashikuar një shfrytëzim të sipërfaqes në masën 40 për qind dhe ndërtime me lartësi maksimale 17 kate. Rama, i xhindosur me vendimin për të reduktuar numrin e kateve nga 30 në 17 dhe sipërfaqes së shfrytëzuar nga 66 në 40 për qind, ka deklaruar se qeveria e tij nuk do të njohë më lejet e ndërtimit të dhëna nga pushteti lokal, duke u vetëshpallur “vetë vali dhe vetë kadi”, kur dihet se për ligjshmërinë e lejeve të ndërtimit mund të shprehen vetëm gjykatat. Pasioni i ri i kryerilindësit, pas betonizimit, është shkelja e ligjeve me të dyja këmbët, pasi edhe pas disa shuplakave të marra nga Gjykata Kushtetuese nuk po zë mend.

Të jesh apo të mos jesh shoqëri civile?!

Nga përkufizimi shoqëria civile është e baraslarguar nga qeveria dhe interesat e biznesit. Personalisht jam kundër ndërtimeve te Liqeni Artificial, qofshin këto 17 apo 30-katëshe dhe po të kisha të drejtë vote do të votoja kundër. Me të drejtë apo jo, jam kundër ndërtimeve shumëkatëshe dhe do të isha shumë i lumtur sikur teza e hershme e Fatos Lubonjës para ndodhjes së kasaphanës urbane në kryeqytet për ruajtjen e Qendrës Historike me shtëpitë prej qerpiçi dhe të zhvillimit të zonave të ndërtimeve në periferi të mund të ishte zbatuar. Fatkeqësisht, Rama ra shpejt në rrjetën e interesave të ndërtuesve që realizuan me barbarizëm betonizimin e kryeqytetit. Këtë qëndrim pro betonizimit ish-kryebashkiaku e mbajti të palëkundur deri vonë, sidomos me miratimin e Planit Francez që parashikonte ndërtimin e kullave 25-katëshe në qendër të kryeqytetit. Rama është shquar gjithmonë për qëndrueshmërinë e ideve, prandaj në rastin e lejes së Liqenit Artificial shoqëria civile e mbështetur prej tij nuk po e kërkon dorëheqjen e Bashës për shkelje të procedurave apo të ligjit urbanistik,  por thjesht për moral. Mbrojtësit e flaktë të tezës së zhvillimit të kryeqytetit nëpërmjet ndërtimeve shumëkatëshe kanë kapërcyer ylberin dhe janë bërë ambientalistë të mëdhenj. Të jesh apo të mos jesh shoqëri civile, kjo është puna! Çfarë mund të presësh tjetër nga Artan Lame dhe Artan Shkreli, engjëjt e pafajshëm që pasi i kapi mërzia duke i rënë harpës mbi retë e bashkisë, vendosën të zbresin në realitetin e hidhur tokësor.

Ish-ofiqarët e lartë të Ramës në bashki që nuk përtojnë të ngrenë në publik tema “therëse” si forma e kangjellave të reja të Presidencës, mbase e kanë të nevojshëm një rifreskim të kujtesës. Protektonjësit e monumenteve dhe kangjellave bënin sehir kur lugati i betonit e eklipsoi totalisht monumentin e “Varrit të Kapllan Pashës”, pjesë e një kompleksi monumental të xhamisë së Tiranës, e shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shoqëria civile me në krye kavalierin Lame po ashtu nuk bëzante kur lulishtja para selisë së PD-së u pushtua nga një tjetër monstër e betonit me firmë të Ramës. Kjo shoqëria e tyre civile me demek e pavarur nuk foli asnjë fjalë për planin monstruoz francez. Mos ishin syrgjynosur nga Tirana këta trimat e Ramës kur për studimin në të njëjtin territor te Liqeni kryebashkiaku Rama parashikonte ndërtime me koeficientin 66 për qind dhe ndërtesa me lartësi 30-katëshe?! Krimet urbanistike të ndodhura apo në tentativë nuk mund të ndalen nga gaztorët moralistë të mbretit të zhytur deri në grykë në llumin e betonit. Prerja e rrugës së abuzimeve mund të kryhet vetëm me nisma ligjore për zgjidhje të qëndrueshme të karakterit afatgjatë. Është e qartë se batërdia që ka bërë Rama për 11 vjet nuk i jep të drejtë askujt të ndjekë të njëjtin shteg pa krye, por duke qenë se predikimet morale nuk pinë ujë, duhet të kapemi fort pas zbatimit të ligjshmërisë së Planit Rregullues të Tiranës dhe përmirësimit të tij me qëllim që zhvillimi urban i kryeqytetit të mos mbetet peng i humorit të kryebashkiakut të radhës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button