Eno Peçi rikthehet me ”Vienna Night” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit
Baleti është pjesa më e madhe e jetës së Eno Peçit . Dita e tij nis në orën 10:00 me stërvitje, prova baleti dhe në darkë sigurisht me kurorëzimin plot sukses të një shfaqje. Por jeta e tij , si primo balerin në një qendër botërore të artit si është Opera e Vjenës ku punon, është edhe në teatro të ndryshme , apo edhe në Gala private në teatro të njohura në botë. Ka katër vite që merret me koreografi dhe është i kënaqur që i është kushtuar koreografisë. Eno Peçi, tregon në këtë intervistë ekskuzive, për ATSH-në se , kyçi që ndryshoi jetën e tij profesionale ishte Vjena. Për të baleti ishte e vetmja gjë që dinte të bënte atje dhe që ta edukonte artistikisht. Vjena i dha mundësinë për një fillim të ri për një të ardhme si balerin profesionist. Ai thotë se kercen me veten e tij dhe se zhduket në një botë tjetër me shpresën e madhe që publiku te ngelet mëse i kënaqur. I pëlqen të kërcej role të ndryshme si klasike apo moderne ose karakteri ose per të qeshur sepse sic thotë Enon, vetëm kështu rritesh nga ana artistike. Vjena për të është shtëpia ime e dytë, ku jeton me bashkëshorten e tij dhe vajzën e tyre Lea.
Tashmë është para një sprove të bukur, do të jetë protagonist i koncertit , ”Vienna Night’’ më 25 tetor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Eno do kërcejë në këtë koncert gjashtë pjesë të ndryshme të disa koreografëve shumë të njohur në botën e baletit si Renato Zanella, Hans Van Manen, Roland Petit, Maurice Bejart, Ashley Page si dhe një vals (Zërat Pranverorë) të koreografuar nga ai vetë. Janë pjesë që nuk janë luajtur ndonjëherë në TOB dhe që publiku shqiptar nuk i njeh, thotë Eno, duke theksuar se z. Fate Velaj është iniciatori i këtij projekti. “Jam i lumtur që po bashkëpunojmë të dy. Ka shumë vite që jeton ne Vjenë , në një nga pikëqëndrat më të mëdha në botën e artit, kulturës, muzikës. Është fat për mua që e njoh”, thotë ai në këtë interviste pak ditë para se të vijë në Shqipëri .
F. N : Një jetë e lidhur me baletin … cili është përkufizimi juaj për baletin ?
E. P :Baleti është pjesa më e madhe e jetës time. Dita ime e përditshme fillon në orën 10:00 deri në 11:15 stërvitjen pastaj nga ora 11:35 deri në 18:30 prova të ndryshme baleti dhe në darkë rreth orës 19:30 fillon shfaqja. Por dua të nënvizoj që bëjmë turne të ndryshme me Operën e Vjenës në teatro të ndryshme në botë. Gjithashtu unë kam dhe shfaqje Gala private në teatro të ndryshme në botë. Paralel unë merrem dhe me koreografi. Para 4 vitesh kam filluar të bëj koreografi dhe jam duke e vazhduar.
F.N : Sot me një karrierë brilante në balet, cila është mosha kur fëmijët mund të nisin të studiojnë balet ?
E. P : Mund të fillojnë duke studiuar nga mosha 7 vjeçare ose nga mosha 10/11 vjeçare… Pastaj ka edhe talente të rralla që fillojnë nga mosha 15 vjeç.
F.N : Po ju kur nisët të studioni balet ?
E. P : Unë nisa të studioja balet kur isha pak më shumë se 12 vjeç. Pak vonë për moshën që kisha dhe nuk isha i sigurtë që do e vazhdoja studimin. Në konkursin për të hyrë në shkollën e baletit ishin pothuajse të gjithë më të vegjël se mua dhe kishin më shumë përvojë mund të them sepse shumica e tyre kërcenin në grupe baleti fëmijësh …!
F.N : A mund të kujtoni në këtë intervistë debutimin tuaj të parë ?
E. P : Debutimi im i parë në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë ka qenë Vallja e Shqiponjave në pjesën solistike. Më kishte zgjedhur profesor Agron Aliaj dhe studimin e kësaj pjese e bënte profesor Albert Janku. Unë në atë kohë kam qënë ende në shkollën e baletit dhe isha shumë nervoz dhe mezi po prisja të kërceja dhe të qetësohesha mbas kërcimit. Pulsi im rrihte në maksimum.
F.N : Si do ta përcaktonit shkollën e baletit shqiptar ?
E. P : Shkolla e baletit shqiptar është një shkollë me një bazë shumë të fortë, por dhe shumë të vjetër që pak a shumë ekziston akoma. Por diçka e mirë që ekziston akoma me sa dëgjoj, që dëshira e madhe për të bërë balet është, tek balerinët që studiojnë në shkollën e baletit.
.
F. N : Baleti kërkon shumë punë , kushtëzon shumë kufizime … Duke u rikthyer në adoleshencën tuaj te hershme, ka ndodhur ndonjëherë ta harroni këtë jetë të kushtëzuar dhe të jetoni jetën e një adoleshenti normal ?
E. P : Jo. Përpara se të filloja baletin luaja si çdo fëmijë jashtë psh: futboll etj. Baleti kishte diçka që me kalimin e kohës arrita ta kuptoja. Lirinë për t’u shprehur dhe për të bërë zgjedhjet e duhura si në jetë por edhe nga ana artistike. Kështu që nuk mund ta imagjinoj dot se si mund të kishte qenë pa baletin. Rrezik shumë monotone dhe depresive .
F. N : Si dhe pse ikët nga Shqipëria ?
E. P : Unë kam ikur për shkak të trazirave të viteve 1997-1998. Kam qenë në turne në Itali (Piana D’albanesi) me një grup të vogël të drejtuar nga ish drejtori i shkollës së baletit Ramazan Këllezi. Prej Italisë i kam hypur trenit deri në Venezia ku më priste burri i motrës Taulant Godaj dhe motra ime Elisa. Dhe pastaj direkt për në Austri. Pra shkaku ishin trazirat e 97’ – 98’. Mendimi i parë ishte të ikja për të pasur një të ardhme më të mirë, pastaj ishte fati im që motra ime jetonte prej 2-3 vitesh në Austri. Nuk mund ta parashikoj dot se si mund të kishte vazhduar jeta ime profesionalisht, por dhe privatisht.
F. N : Si ishin vitet e para larg saj ?
E. P : Vështirë. Sigurisht që Vjena është një qytet i mrekullueshëm, por për momentin nuk më interesonte. Për mua fillonte një kapitull i ri në jetën time dhe gjithçka që kisha në Shqipëri e lashë atje dhe isha 16 vjeç. Gjuhën nuk e dija , njeri nuk njihja përveç motrës dhe kunatin tim.. E vetmja gjë që më mbante të motivuar ishte baleti , pra të gjithë përqendrimin tim e kisha tek baleti. Për më shumë , që kur hyra në shkollën e baletit të Vjenës, më thanë që kisha shumë mangësi nga ana metodike. Pra, iu përkushtova shumë baletit që të mësoja gjithçka çfarë ishte e mundur.. Unë jetoja në internat dhe për familjen tonë nuk kishim shumë të ardhura që ta përballonim pagesën e internatit .Por, prindërit e mi arritën të shesin edhe shtëpinë në Tiranë për të më paguar mua internatin.
F. N : Cili mendoni ju ishte kyçi që ndryshoi jetën tuaj profesionale ?
E. P : Kyçi që ndryshoi jetën time profesionale ishte Viena. Baleti ishte e vetmja gjë që dija të bëja atje dhe që më edukonte artistikisht.. Vjena më dha mundësinë për një fillim të ri për një të ardhme si balerin profesionist.
F. N : Si arritët ju të ishit pjesë e Teatrit të Operas dhe Baletit të Vienës ?
E. P : Unë jam diplomuar në Shkollën e Baletit të Vjenës dhe jepnim shumë shfaqje në Austri. Drejtori i Teatrit të Operas dhe Baletit të Vjenës , atëherë Renato Zanella, i shikonte shpesh këto shfaqje dhe një ditë më thirri në zyrën e tij, ku më dorëzoi kontratë pune në Teatrin e Operas dhe Baletit të Vjenës.. Fillimi në Operan e Vjenës ishte përsëri diçka tjetër sepse në një kompani baleti duhet të jesh i përgjegjshëm për koreografitë. Ti mësosh mirë. Duhet të kujdesesh të mos sëmuresh shpesh. Të kujdesesh për trupin që mos të vritesh shpesh. Përndryshe , ka shumë balerinë që do të dëshironin të kenë një kontratë pune si në Vjenë.
F.N : Sigurisht që ju mund të kujtoni deputimin tuaj të parë në Teatrin e Vjenës…
E. P : Debutimi im në rol solistik ka qënë Spartaku i koreografisë së Renato Zanellës. Renato shikonte se si përmirësohesha unë vit mbas viti dhe vendosi të më jepte mua rolin e Spartakut . Unë akoma nuk isha gati dhe nuk isha tamam i pjekur për këtë rol. Isha vetëm 23 vjeç ..Donte të provonte se sa i përgjegjshëm isha unë me këtë rol dhe a do ta mbanin gjithë këtë barrë nervat e mia.. Por ka gjithmonë një fillim..
F. N: Kur ndodhet në skenën e një Teatri duke debutuar për çfarë mendon një primo balerin …
E. P : Që gjithçka të shkojë mirë.. Pa shumë gabime dhe që publiku të ngelet i kënaqur.. Përqëndrimi përpara shfaqjes duhet të jetë gjithmonë sepse nga momenti në moment del jashtë rolit dhe fillon bën gabime teknikisht dhe gjithë ky stres duket në fytyrë dhe publiku të vlerëson me atë performancë që ti jep në atë moment..
F.N : Ju në fakt për kë kërceni ?
E. P : :)).. Unë kërcej me veten time dhe zhdukem në një botë tjetër me shpresën e madhe që publiku te ngelet mëse i kënaqur..
F.N : Cili ka qenë roli juaj që ju ka kushtëzuar më shumë kohë ?
E. P : Çdo roli mundohem t’i kushtëzohem sa më shumë deri në detaje .Sepse fundja fundit procesi është shumë i rëndësishëm.
F.N : Cili ka qenë roli që kritika dhe shtypi ka shkruar më mirë për ju
E.P : Ka qenë një kritikë nga koncerti i vitit të ri me 1 Janar dhe fillonte kështu: Shqiptari Eno Peçi…etj.
F.N : Gjithsesi cili është roli që ju ka pëlqyer më shumë ju personalisht ?
E. P: Të them të drejtën janë disa dhe s’mund ti ndajë .. Mua më pëlqen të kërcej role të ndryshme si klasike apo moderne, ose karakteri, ose per të qeshur ,sepse vetëm kështu rritesh nga ana artistike..
F.N : Roli që ju ka mbetur peng qe ende nuk e keni realizuar ?
E.P : Role.. hmm…, interesante do ishte më shumë për mua që të punoja me sa më shumë koreografi.
F.N : Gjithsesi , mendoj se rolet tuaja, duhet të jene një mozaik i tërë … a mund ta zbërtheni këtë mozaik në këtë intervistë … pra cilat jane rolet , temat e interpretuara nga ju ?
E.P: Siç e thashë dhe më sipër kam luajtur rolet klasike , moderne , për të qeshur , rolin e të keqit, tema të ndyshme sepse është shumë e rëndësishme për një artist që të zhvillohet nga ana artistike..
F.N :Cfarë është Vjena për ju ?
E. P : Vjena për mua është shtëpia ime e dytë.
F.N: Por ju në Vienë krijuat edhe familjen tuaj.
E.P : Po e vërtetë.. Unë jetoj me bashkëshorten time dhe kemi një vajzë të cilën e quajnë Lea .
F.N : Si e shihni ju sot baletin shqiptar ,… flas këtu jo vetëm për balerinët që debutojnë në Shqipëri, por edhe jashtë saj …
E. P : Shqipëria është një vend i vogël por balerinët shqiptarë ndodhen kudo nëpër botë dhe të suksesshëm dhe bota e baletit e di që nga ky vend i vogël burojnë talente të mëdha..
F.N : Dhe si e prisni ju koncertin në Tiranë ???
E. P : Shpresoj që publiku shqiptarë të ngelet i kënaqur.
F.N : Cila do të jetë përmbajtja e koncertit tuaj në Tiranë ?
E.P : Ideja e këtij koncerti është që të luhen pjesë që kanë lidhje me Vjenën. Prandaj titullohet dhe ”Vienna Night’’. Unë do kërcej 6 pjesë të ndryshme të disa koreografëve shumë të njohur në botën e baletit si Renato Zanella,Hans Van Manen,Roland Petit,Maurice Bejart,Ashley Page plus dhe një vals (Zërat Pranverorë) të koreografuar nga unë .. Pra janë pjesë që nuk janë luajtur ndonjëherë në TOB dhe që publiku shqiptar nuk i njeh.
F.N : Fate Velaj … ka qënë një nga iniciatorët e këtij projekti dhe që po realizon edhe skenografine e koncertit tuaj … si do ta përcaktonit këtë bashkëpunim ?
E. P : Po Z.Velaj është iniciatori i këtij projekti dhe që unë jam shumë i lumtur që po bashkëpunojmë të dy.. Z.Velaj merret me pikturën me fotografinë. Ka syrin e artistit .. Ka shumë vite që jeton ne Vjenë , në një nga pikëqëndrat më të mëdha në botën e artit , kulturës , muzikës. Fat për mua që e njoh..
F.N : Nga Teatri Kombëtar I Operas dhe Baletit të Vjenës në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit të Tiranës… ndryshimet dhe afrërsitë mes tyre …
E. P : Që janë të ndryshme nuk diskutohet, por çdo teatër në botë është ndryshe nga të tjerat… Afërsitë ndërmjet tyre janë artistët shqiptarë.. Përveç mua si balerinë aty këndojnë si mysafirë Sajmir Pirgu, Inva Mula, Ermonela Jaho etj. Në korin e Teatrit të Operas së Vjenës ka dhe shqiptarë si Dritan Luca etj. Në filarmoninë e Orkestrës së Vjenës ka shqiptarë si Shkëlzen Doli, Edison Pashko,Oreada Steude etj.
F.N : Cili është opinion juaj sot për Shqipërinë , si e shihni ju vendin tuaj ?
E.P: Opinioni im për Shqipërinë e sotme është që po shkon drejt rrugës së duhur dhe besojmë që kështu si ka nisur gjithçka do ndryshojë për të mirën e shqipërisë.
F.N : Albanian Excellence është krijuar për të evidentuar suksesin shqiptar në botë… . mendoni se kjo iniciativë do të mund të ndihmojë për afrimin e shqiptarëve, që jetojnë Shqipëri dhe atyre që jetojnë larg saj …
E. P: Shpresoj shumë që në një të ardhme edhe artistët shqiptarë kudo në botë do ta gjejnë suksesin e punës së tyre edhe në Shqipëri.