Është Angela Merkel vërtet nën presion të madh?
Kolegët e pakënaqur në CDU kanë shkruar një letër ku thonë se duhet të korrigjohet politika ndaj refugjatëve. Në sondazhe thuhet se Angela Merkel duhet të ndryshojë politikën ndaj refugjatëve. Presioni po shtohet. Më në fund edhe një lajm i mirë për kancelaren Angela Merkel. Ministri i Drejtësisë Heiko Maas, nga SPD, e ka mbështetur në një deklaratë të dhënë për gazetën “Rhein-Neckar-Zeitung”. “Të gjithë ende jemi të një mendimi sa i përket qëllimit: ne duam të ndihmojmë njerëzit në nevojë. Por shpejtësinë e ardhjes duhet ta reduktojmë në një masë të arsyeshme.”Por Maas menjëherë u shpreh me fjalë kritike ndaj partnerëve në koalicion. “Kërcënimet e përhershme të CSU si dhe mbledhja e nënshkrimeve për apo kundër zonjës Merkel, po zhvillohen në partitë e saj.”
Mbyllja e gojës apo syve
Merkel është këtë të mërkurë mysafire në Wildbad Kreuth, tek deputetët e landit të Bavarisë. Atje do të përballet sërish me kritika nga radhët e partisë simotër CSU. Konservatorët bavarezë duan të kufizojnë numrin e refugjatëve në 200.000 në vit. Nëse bëhen më shumë, atëherë njerëzit do të kthehen në kufi. Merkel e ka hedhur poshtë deri tani një kufizim të këtillë. Kjo grindje permanente me CSU e ka irrituar në masë kancelaren Merkel dhe mbështetësit e saj në CDU. Nënkryetarja e partisë, Julia Klöckner, kandidatja kryesore e CDU në landin Rheinland-Pfalz, u ka kërkuar kundërshtarëve të kancelares Merkel: “Mbylleni gojën pak”. Ministri bavarez i i Financave Markus Söder nga CSU iu përgjigj: “Mbyllja e gojës është gabim. Ne duhet të hapim sytë.”
Edhe 44 deputetë të CDU kundër Merkelit
44 deputetë të partisë CDU nuk duan të mbështesin më tej kursin e kancelares Merkel. Ata kanë shkruar një letër ku kërkohet dëbimi i reguajtëve të cilët nuk pasaporta të rregullta apo kanë ardhur përmes vendeve të tjera të BE. Ata flasin për një disponim tepër të keq në rrethet e tyre zgjedhore, për shkak të politikës në Berlin. Një ndër iniciatorët është deputeti Christian von Stetten. Në televizionin N-TV ai ka deklaruar: kjo nuk është kryengritje kundër kancelares Merkel. Nënshkruesit duan të bëjnë të qartë domosdoshmërinë e respektimit të ligjeve gjermane dhe evropiane. Së bashku me 56 deputetë të CSU, ata tani përbëjnë nëj grup prej 100 personave në grupin CDU/CSU, të cilët janë hapur kundër kursit të kancelares Merkel. Kjo është një e treta e deputetëve konservatorë.
Bie imazhi i kancelares Merkel
Nga Zyra e Kancelarisë thuhet se Angela Merkel synon që problemi i refugjatëve të zgjidhet në nivelin evropian. Merkel thotë se Turqia luan një rol vendimar në zgjidhjen e krizës së refugjatëve. Edhe Merkel mendon se duhet bërë ulje të mëdha të numrit të refugjatëve që vijnë në Evropë. Ndërsa pas zgjidhjes së së problemeve në rrafshin evropian, ajo do të merret me korrekturat e politikës ndaj refugjatëve brenda vendit. Kjo duket e domosdoshme, sepse edhe partneri tjetër në koalicion SPD është i pakënaqur. Nga mesi i marsit priten zgjedhje në disa lande, ndërkohë që partia antievrpiane “Alternativa për Gjermani” (AfD) po fiton mbështetje. Në sondazhet e fundit thuhet se kancelaren Merkel e mbështesin në këtë post vetëm 44 % e të anketuarave, që është 4 %më pak se në sondazhin e parafundit. Ndërkohë që në sondazhin e Forsa thuhet se AfD do të fitonte në zgjedhje më shumë se 10% të votave në nivelin federal. Madje edhe vet refugjatët janë të pakënaqur me politikën e autoriteteve. Rreth 200 azilkërkues kanë ngritur aktpadi kundër Zyrës për Migrantë dhe Refugjatë për shkak të “mosveprimit”. Ata janë duke pritur me muaj që të shqyrëtohet kërkesa e tyre për azil.