KronikaSporti

Euro 2016, kërkesat për bileta nga shqiptarët pritet të jenë 30 me 1

Një lehtësim për shumë kosovarë, sidomos ata me banim në Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Francë dhe vende tjera Evropiane të cilët dëshirojnë të tentojnë të sigurojnë biletat për ndeshjet e Shqipërisë në Euro2016 në Francë ka ardhur të hënën ku ka nisur regjistrimi i kërkesave për blerjen e biletave për këtë kampionat.

Kushti i mëparshëm se biletat për pjesën që i takon tifozëve të Shqipërisë mund t’i blejnë vetëm ata të cilët kanë shtetësi apo vendbanim të këtij shteti, është ndryshuar duke ia shtuar këtë të drejtë edhe atyre që kanë shtetësi apo vendbanim në Kosovë.

Numri më i madh i shqiptarëve që jetojnë në vendet e Evropës perëndimore, si Gjermania, Zvicra dhe Belgjika, janë nga Kosova dhe kanë shtetësi të Kosovës. Për shqiptarët që jetojnë në Itali, e të cilët shumica vijnë nga Shqipëria, afër do të jetë Marseille ku do të luhet ndeshja Shqipëri-Francë, raporton korrespodenti i “Kohës Ditore” nga Brukseli.

Ky është një vendim i drejtë sepse numri i lojtarëve me prejardhje nga Kosova në skuadrën kombëtare është shumë i madh.

Duket se këtu rol të rëndësishëm ka pasur Federata e Futbollit e Shqipërisë pasi ata kanë të drejtë të vënë kushte. Jo të gjitha skuadrat kombëtare i kanë vënë kushtet e njëjta. Shumica e Federatave i kanë vënë si kushte që tifozët të kenë ose shtetësinë ose vendbanimin në atë vend. Por disa si Belgjika dhe Anglia e kanë vet si kusht që blerësi të jetë anëtar i grupit të regjistruar të tifozëve. Ka edhe vende që si kushte kanë vënë shtetësinë, por jo edhe vendbanimin.

Gjithsesi në web faqen e Uefa-s, ku ka filluar regjistrimi për shitjen e biletave, ekziston edhe mundësia e regjistrimit për ata të cilët nuk kanë skuadër të tyre që mbështesin dhe ata mund të kërkojnë bileta nga pjesa tjetër e kontingjentit të biletave.

Kërkesat duhet të bëhen deri më 18 janar, duke lënë të dhënat personale dhe garancën me kartelë kreditore të tipit Visa ose Master Card. Nëse deri më datë 18 janar do të ketë kërkesa shumë më të mëdha sesa që ka bileta në dispozicion, atëherë do të ketë një lloj shorti dhe ata të cilët kanë pasur fat do të marrin njoftimin se u janë ndarë biletat.

Federatat kombëtare të futbollit kanë kësaj radhe një numër shumë të kufizuar të biletave në dispozicion, diku rreth 1000 për ndeshje dhe ato kryesisht do tu ndahen futbollistëve dhe anëtarëve të stafit për familjarët e tyre.

Në kampionatet e mëparshme, UEFA apo FIFA, kontingjentin skuadrave kombëtare ua kanë ndarë dhe u kanë dhënë mundësi që vet të shesin biletat dhe të marrin përgjegjësi për tifozët. Kësaj radhe shitjen e ka përsipër UEFA. Pritet që për shkak të akteve të fundit terroriste në Francë masat e sigurisë të jenë më të rrepta se asnjëherë më parë. Kjo do të thotë se do të bëhet gjithçka që të pamundësohet stërshitja e biletave në tregun e zi dhe që biletat të jenë me emrin e bartësit të tyre nga i cili në hyrje të stadiumit do të kërkohen edhe kartat e identitetit apo pasaportës.

Vlerësohet se interesi për ndeshjet e Shqipërisë të jetë më i madh sesa për skuadrat tjera, jo vetëm për shkak se ajo merr pjesë për herë të parë, por dhe për shkak të numrit të madh të shqiptarëve që jetojnë në afërsi të stadiumeve ku Shqipëria do të zhvilloj ndeshjet.

Kështu Lans, ku do të zhvillohet ndeshja e parë e Shqipërisë përballë Zvicrës, është më pak se një orë me veturë nga Brukseli, nuk është larg Gjermanisë. Lyon, ku luhet ndeshja me Rumaninë, nuk është larg Zvicrës ndërsa Marseille nuk është larg Italisë ku ka shumë shqiptarë.

Vlerësohet se në BE dhe Zvicër jetojnë tashmë më shumë shqiptarë sesa në Kosovë dhe numri i tyre arrin mbi 2 milionë. Më së shumti nga Shqipëria ka në Itali dhe Greqi, ndërsa nga Kosova dhe Maqedonia, në Gjermani dhe Zvicër.

Ata që kanë përvojë me kërkesat për biletat për kampionatet e tilla, thonë se nuk do të befasoheshin nëse kërkesa për biletat nga shqiptarët të jenë 30 ndaj 1, që do të thotë se për një vend në stadium për tifozët shqiptarë të ketë 30 kërkesa. Pritet që kërkesat më të mëdha të jenë për ndeshjen e parë me Zvicrën me 11 qershor në Lans.

Kjo është ditë e shtunë, pra ditë pushimi. Problemi është se ky është stadium më i vogël me kapacitet prej vetëm 35000 vende dhe për tifozët shqiptarë maksimalisht do të mund të ndahen rreth 7000 bileta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button