“Euro 2016” nis me derbin Shqipëri-Zvicër
Franca Zvicra, e Rumania. Në fund ashtu siç donim, ndodhi. Shqipëria në një grup të lehtë, por e nis me hakmarrje Euro 2016-ën. Kuqezinjtë në grupin A me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë. Skuadra kuqezi ia del të përballet me një short të mirë në fazën finale të Europianit. Do të luajmë me të zotët e shtëpisë, Zvicrën apo ndryshe Shqipërinë B dhe Rumaninë, ekipin me të cilin kemi luajtur më shumë. Por mbi të gjitha i kemi shpëtuar për pak ndeshjes hapëse me Francën, ndonëse do të luajmë derbin e familjes kundër Xhakës, Shaqirit me shokë. Do të jenë ditë të çmendura ato në Francë, sepse kuqezinjtë e nisin ndaj Zvicrës, në një ndeshje që sigurisht do të jetë në maksimum hakmarrja e madhe e kuqezinjve. Në gjashtë përballjet mes Shqipërisë dhe Zvicrës, këta të fundit janë të pamposhtur, teksa kanë fituar në pesë përballje.
Ndeshja e fundit mes dy ekipeve ishte në përballjen e vlefshme për kualifikueset në Kupën e Botës 2014, kur Shqipëria u mund 2-0 në Lucernë dhe 2-1 in Tirana, ku shënoi Xherdan Shaqiri, futbollisti me kombësi shqiptare. Por jo vetëm do të jetë edhe ndeshja brenda familjes. Tjetër përballje intriguese ajo me Zvicrën e kolonisë shqiptare, derbi vërtet fantastik ky për Taulant Xhakën që sipas të gjitha gjasave në atë ndeshje do të jetë përballë vëllait Granitit, që aq shumë u gëzua për kualifikimin e Shqipërisë në Europian. Një përballje me Francën e Deschamps, skuadër që kuqezinjtë arritën ta mposhtnin në miqësoren e “Elbasan Arenës” falë atij goli të Ergys Kaçes, ndërsa arritëm të barazonim në Renë.
Një sfidë që do luhet në Marsejë aty ku është idhull për tifozët vendas, Lorik Cana. si dhe padyshim një sfidë me Rumaninë, e cila duhet pranuar se nuk ngjall kujtime dhe aq të bukura me atë disfatë të pësuar 6-1 disa vite më parë që i dha fund aventurës së Oto Baric në stolin e Shqipërisë. Kuqezinjtë do t’i luajnë ndeshjet në Lens, Marsejë dhe Lion, kështu që të gjithë tifozët mund të fillojnë të rezervojnë prenotimet dhe biletat që dalin në shitje këtë të hënë. Në ceremoninë mbresëlënëse të Pallatit të Kongreseve në Paris, ku ndodheshin për të tërhequr goglat e shortit ish futbollistë të njohur si Haristeas dhe i madhi Panenka, Shqipëria ishte shumë pranë realizimit të një dëshire të madhe asaj të hapjes së Europianit. Me Francën të pozicionuar si vend organizator në Grupin A një batutë e Xhani Infantinos, Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s ndaj De Biazit ndolli Shqipërinë nga goglat e shortit me De Biazin e Dukën që u shfaqën dukshëm të emocionuar në radhën e parë.
Do të mjaftonte kombinimi me emërtimin A2 nga vazoja tjetër për të qenë Shqipëria skuadra përballë Francës mikpritëse në ndeshjen hapëse të “Euro 2016″, përballë Francës, por duart e Panenkës tërhoqën numrin A3 duke sanksionuar kështu që kalendari i Shqipërisë të fillojë në 11 qershor në orën 15:00 në Lens përballë Zvicrës, ku kuqezinjtë e De Biazit do të kenë kundër shumë lojtarë të një gjaku, por që kanë zgjedhur të përfaqësojnë Zvicrën. Shqipëria do të luajë përballë Francës në 15 qershor në “Velodrome” të Marsejës në orën 21:00, një kombinim ky që duket sikur është bërë enkas për Lorik Canën, ish idhullin dhe kapitenin e Marsejës që do të kthehet tashmë aty si kapiten i kombëtares së tij. Ndeshja e tretë dhe e fundit në grup e Shqipërisë do të jetë në 19 qershor në orën 21:00 përballë Rumanisë në “Stade de Lumiers” në Lion. Shqipëria ka shanse reale për të avancuar përtej fazës së grupeve në Francë 2016 edhe për shkak të formatit pasi në 1/8 do të avancojnë jo vetëm dy vendet e para të çdo grupi, por dhe katër të tretat më të mira të 8 grupeve. Shkurt paçim fatin e kampionëve…
Grupet e europianit
Grupi A
Franca
Rumania
Shqipëria
Zvicra
Ndeshjet e Shqipërisë
11 qershor në Lens
Shqipëri-Zvicër ora 15:00
15 qershor në Marsejë
Francë–Shqipëri ora 21:00
19 qershor në Lion
Rumani–Shqipëri ora 21:00
Grupi B
Anglia
Rusia
Uellsi
Sllovakia
Grupi C
Gjermania
Ukraina
Polonia
Irlanda e Veriut
Grupi D
Spanja
Republika Çeke
Turqia
Kroacia
Grupi E
Belgjika
Italia
Republika e Irlandës
Suedi
Grupi F
Portugalia
Islanda
Austria
Hungaria
Historiku i ndeshjeve me Rumaninë
Frikë nga kuqezinjtë
Didie Deshamp është i kënaqur me atë që i rezervoi fati në shortin e Europianit. “Mund të ishte edhe më keq, por mund të ishte edhe më mirë. Zvicra dhe Shqipëria janë të njohura për ne, Rumania më pak. Qëllimi ynë është që ta mbyllim në krye të grupit”, tha Deshamp. Për shortin ka folur kreu i FFF-së, Noel Le Graet. “Është grup i vështirë. Shqipëria është një kundërshtar i fortë që ne ende nuk e kemi mposhtur. Morëm një barazim me të në shtëpi dhe një humbje atje. Duhet të përqendrohemi që të mos përsërisim gabimet”, tha ai.
Historiku i ndeshjeve me Zvicrën
Historiku i ndeshjeve me Francën