Politika

Faturat e Bodes, Rama paguan për festimet e 100-vjetorit dhe CEZ-in

Nga fondi rezervë janë tërhequr para për shlyerjen e festimeve të 100-vjetorit, Gërdecit, zgjidhjen e marrëveshjes me CEZ-in

Shpenzimet – Nga fondi rezervë rreth 45.0 milionë lekë janë përdorur për shpenzime personeli, rreth 1.417 miliardë lekë për shpenzime të tjera korrente dhe rreth 495.8 milionë lekë për investime

Të anuluara – Janë katër VKM, të cilat nuk janë ekzekutuar, që parashikonin gjithsej një fond prej 31.3 milionë lekësh, si shtesë fondi për bustin e Ismail Qemalit apo pagat paqeruajtëse në Afganistan

Rreth 85.4 milionë lekë i është dhënë Ministrisë së Brendshme të dhëna me 9 vendime. Për familjet e një ish-punonjësi të Policisë së Shtetit, të vrarë në krye të detyrës, u akorduan 5 milionë lekë

NGA HERION MESI

ShpenzimetShqipëria vijon që të vuajë pasojat e qeverisjeve së mëparshme sa i përket papërgjegjshmërisë me shpenzimet e kryera duke përdorur madje edhe fondet rezervë të buxhetit të shtetit. Kjo pasi qeveria e re “Rama” ka trashëguar një sërë faturash të papaguara nga qeveria e mëparshme “Berisha” që kanë të bëjnë jo vetëm me shpenzimet qeveritare të kryera në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, por edhe me shlyerje të pagesave për tragjedinë e Gërdecit, si dhe me shlyerjen e detyrimeve të lindura si pasojë e  vendimeve të dhëna nga Gjykata e Arbitrazhit të humbura nga shteti shqiptar gjatë qeverisjes së demokratëve. Një ndër to është dhe çështja me kompaninë CEZ Shpërndarje.

Pronat – Rreth 124.5 milionë lekë ose rreth 6.36 për qind e fondit rezervë i është dhënë Ministrisë së Financave për çështjen e pronave

Shtatorja – Rreth 8.3 milionë lekë është miratuar fond për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nëpërmjet dy vendimeve

Shëndetësia – Rreth 56.92 milionë lekë ose rreth 2.9 për qind e fondit rezervë i është dhënë Ministrisë së Shëndetësisë nëpërmjet 19 vendimeve

Mbetja – Gjendja e fondit rezervë të buxhetit të shtetit, e papërdorur, sipas relacionit më datë 31 dhjetor 2013 është 41.6 milionë lekë

Fondet e përdorura

Sipas raportit mbi përdorimin e fondit rezervë të buxhetit të shtetit dhe të fondit të kontigjencës për vitin 2013, që është dorëzuar në Kuvend, deri në datën 31 dhjetor të vitit 2013 mësohet se qeveria i ka akorduar Ministrisë së Punëve të Jashtme një fond prej rreth 20.3 milionë lekësh shtesë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ky fond sipas raportit është dhënë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë. Po nga raporti mësohet se Ministria e Kulturës ka anuluar kërkesën e ministrisë së mëparshme për fondin prej 8.3 milionë lekësh, nga të cilat 6.7 milionë lekë janë miratuar për shtatoren e Ismail Qemalit dhe 1.7 milionë lekë janë miratuar për mbulimin në bronz të bustit të Skënderbeut. Por të dyja këto vendime, sipas raportit, nuk janë çelur për t’u përdorur, pasi nuk janë paraqitur kërkesa për çeljen e tyre nga ministria përkatëse. Edhe pse kanë kaluar gjashtë vjet nga shpërthimi tragjik në fshatin Gërdec, ku humbën jetën të paktën 26 persona, qeveria “Rama” do të vijojë të paguajë faturat e ngjarjes së ndodhur në një “fabrikë” për demontimin e armëve. Kështu, nëpërmjet një VKM-je, Ministria e Brendshme ka marrë një fond prej 13 milionë lekësh për dhënie ndihme financiare familjeve të dëmtuara nga aksidenti teknologjik i datës 15 mars 2008, për pagesën e qirave të banesave dhe dëmeve të shkaktuara nga mospërdorimi i tokave e kulturave bujqësore që ndodhen brenda perimetrit 300 ml rreth kraterit, të shpallur si zonë e sigurisë së lartë.

Arbitrazhet

Sipas raportit të dorëzuar në Kuvend, Ministria e Financave thekson se rreth 58 milionë lekë ose rreth 2.96 përqind e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, i janë dhënë Ministrisë së Drejtësisë nëpërmjet 5 vendimeve për të përballuar një sërë çështjesh arbitrazhi. Ndërsa, rreth 203 milionë lekë ose rreth 10.37 përqind e këtij fondi i është dhënë METE-s, nëpërmjet dy vendimeve të Këshillit të Ministrave. Konkretisht, për përzgjedhjen e një shoqërie audituese ndërkombëtare për të kryer procedurat e auditimit të shoqërisë “CEZ shpërndarje” sh.a., dhe për përzgjedhjen e një shoqërie vlerësuese ndërkombëtare për vlerësimin teknik të rrjetit të shpërndarjes, në shumën prej 77 milionë lekësh dhe për autorizimin e METE-s për lidhjen e shtesës së kontratës me studion e avokatisë, të përzgjedhur për përfaqësimin në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar kundër shoqërisë “CEZ shpërndarje”, sh.a., në shumën prej 126 milionë lekësh.

Tabela

Arbitrazhet

Për pagesën e shpenzimeve administrative të arbitrazhit ndërkombëtar për çështjen “Burimi S.R.L. & EAGLE Games, sh.a. kundër Shqipërisë, janë akorduar rreth 5.5 milionë lekë;

Për pagesën e këstit të katërt të shërbimeve juridike, për përfaqësimin dhe mbrojtjen në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar “Mamidol jetoil greek Petroleum products societe anonyme S.A. kundër Shqipërisë”, janë dhënë 5.1 milionë lekë

Për pagesën e këstit të katërt dhe të pestë të shërbimeve juridike, për përfaqësimin dhe mbrojtjen në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar “Burimi S.R.L.& Eagle Game,sh.a. kundër Shqipërisë, janë dhënë rreth 17.6 milionë lekë.

Për përfaqësimin dhe mbrojtjen në heshtjen e arbitrazhit ndërkombëtar “Mamidol jetoil greek Petroleum products societe anonyme S.A. kundër Shqipërisë, janë dhënë 17.5 milionë lekë;

Për pagesën e këstit të gjashtë të shërbimeve juridike, për përfaqësimin dhe mbrojtjen në heshtjen e arbitrazhit ndërkombëtar “Burimi SRL&Eagle games sh.a kundër Shqipërisë”, me rreth 12.5 milionë lekë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button