
Në selinë e Partisë Demokratike kishte hyrë një gëzim aq i madh, sa edhe çeliku i dyerve të blinduara që kishte vënë Lulzim Basha për t’u përballur dikur me sulmin e pjesëtarëve të sektit “Dum Baben”, dukej sikur po shndritej nga entuziazmi. Dritat ishin ndezur më fort se zakonisht, aq fort sa pastruesja e godinës u detyrua të vinte syze dielli, sepse mendoi se PD-ja po xhironte një klip elektoral në fillim të janarit. Ishte një ndriçim që donte të shlyente jo vetëm vitet e gjata të errëta të opozitarizmit pa adresë, por edhe hijet e gjithë humbjeve që kishin mbetur të varura në korridore si fotografi mortore.
Flamur Noka kishte ardhur me hap të shpejtë, si një postier që sillte një telegram lufte nga fronti i fundit i historisë:
— Është zyrtare! Amerikanët e kanë kapur Ramaduron e Venezuelës! Po e çojnë drejt SHBA-së!
Dhe, për ta bërë lajmin më dramatik, ngriti telefonin lart sikur po tregonte një shenjë nga qielli, megjithëse ekrani i tij ishte i çarë kur e kishte perplasur mbi tavoline gjate debatit te fundit me Salianjin.
— Pra, — tha Jorida Tabaku, duke rregulluar shallin me kujdes ceremoniali, si të ishte duke hyrë në një seancë plenare të historisë botërore, — historia po përsëritet. Sot Maduro, nesër Rama.
E tha me atë tonin akademik që të bën të mendosh se po citon Hegelin, edhe pse fjalia ishte e shkruar me laps në ajër.
Albana Vokshi rregulloi edhe ajo shallin që ia kishte sjellë e motra nga Venezuela dhe nxori nga çanta një poster të improvizuar, të palosur aq shumë herë sa ngjante me hartën e një thesari të humbur:
“REGJIMI RAMADURO: FUND I TURPSHËM.”
Dikush propozoi t’i shtonin edhe një foto të Ramës me Maduron, por u la për herën tjetër, pasi pritej që të bëheshin zyrtare fotot e kapjes së Maduros nga forcat Delta amerikane.
Në tavolinën e madhe, Klevis Balliu frynte balona me aq pasion sa dukej sikur po i jepte frymë një partie të tërë, dhe çdo balonë që shpërthente i kujtonte humbjen e radhës, por këtë herë shpërthimet ishin festive. Ndërsa Agron Gjekmarkaj përgatiste një fjalim të shkurtër në vargje, duke i shkruar me stil poeti romantik në një bllok shënimesh me stemën e PD-së:
Opozita venezueliane ka luftuar me vite,
me protesta që dridhnin sheshet e ngrira,
me greva të përgjithshme që ndalnin orët,
me studentë në rrugë, libra në duar dhe gurë në xhepa,
me përplasje me policinë, me lot e me zjarre,
me sakrifica njerëzore që mbushin kronikat,
ja kështu rrëzohen regjimet, jo me status, por me plagë!
Ai i lexonte me pasion, duke ngritur zërin në çdo varg, por askush nuk po e dëgjonte vërtet. Në sallë po festohej një fitore që sapo kishte ndodhur diku shumë larg, por që këtu kishte marrë përmasa lokale, si një derbi Tiranë–Venezuelë i fituar me rezultat të thellë.
Sali Berisha, ulur pak më tutje, shikonte skenën me buzëqeshje të përmbajtur, si një gjysh që sheh nipërit të festojnë diplomimin e dikujt tjetër. Ai tundte kokën ngadalë, sikur po bënte llogaritë e historisë dhe po bënte plane se si do të qeveriste Shqipërinë kur amerikanët do të vinin ta merrnin me helikopter dhe do ta ndalonin mu në mes të oborrit të kryeministrisë, atje ku Ramaduro kishte bërë Kopshtin e Edenit.
— Amerika s’gaboi me Ramaduron, — tha ai. — Nuk do të gabojë as me Ramën.
E tha me bindjen e atij që ka parë shumë perandori të bien dhe shumë aleanca të ngrihen, dhe që beson se fati i botës kalon gjithmonë nga zyra e tij.
Në atë çast, Ilir Alimehmeti, që kishte lexuar diçka në telefon, u ngrit ngadalë, si nxënës që e di përgjigjen, por pret të mbarojë zhurma e klasës. Edhe balonat u ndalën për një sekondë, sikur dikush kishte shtypur pauzë në telekomandë.
— Kjo dihej që do të ndodhte, — foli më në fund. — Sepse kot nuk e kishin shpallur non-grata amerikanët Maduron.
Në sallë ra heshtja. Një heshtje aq e thellë, sa u dëgjua vetëm fishkëllima e një balone që po zbrazte ajrin ngadalë, si të ishte fryma e fundit e gjithë festës.



