Fitimet për një grusht klientësh, kostot për gjithë shqiptarët

Bombardohemi përditë me deklarime se Shqipëria po ecën përpara me hapa gjigantë duke bërë xhelozë gjithë fqinjët dashakeq.
Na thuhet se po ndërtohen resorte, marina, aeroporte dhe rezidenca ekskluzive dhe na tregohen shifra për miliona vizitorë dhe projekte miliardëshe.
Nga ana tjetër shprehet habi pse shqiptarët vazhdojnë ta braktisin masivisht vendin dhe nuk ndihen përfitues të këtyre investimeve.
Duke lënë mënjanë efektin e propagandës, ne shpesh e kemi të vështirë të kuptojmë si “atë që shihet dhe atë që nuk shihet” në ndikimin e politikave publike.
Që më 1850, Frédéric Bastiat vuri në dukje gabimin e gjykimit të një politike ekonomike vetëm nga përfitimet e dukshme dhe të menjëhershme, duke injoruar kostot e padukshme dhe pasojat afatgjata që ajo u ka tek grupet e tjera.
Pyetja më e rëndësishme për të vlerësuar politikat ekonomike është: kush i merr fitimet dhe kush paguan kostot?
Shumë politika publike krijojnë mirëqenie të menjëhershme dhe të dukshme për disa, por sjellin në të ardhmen pasoja të dëmshme për shumë të tjerë, shpesh duke sjellë pasoja të rënda për vendin.
Një nga fushat ku kjo gjë shfaqet më shumë është në dallimin midis transferimit të një pasurie ekzistuese tek një grup i vogël duke i pasuruar ata dhe krijimit të pasurisë së re që siguron përfitime afatgjata për shumë të tjerë.
Kjo e fundit është çelësi i pasurimit të vendeve: kur ai investon në qëllime që rrisin produktivitetin, përmirësojnë apo krijojnë teknologji të reja, prodhon mallra dhe shërbime që krijojnë vlerë të shtuar, veçanërisht kur ato eksportohen. Pra një vend pasurohet kur përqendrohet në aktivitete ekonomike me vlerë të lartë të shtuar.
Kur burimi kryesor i fitimit në ekonomi është përvetësimi i tokës publike, i pasurive natyrore ose i privilegjeve të dhëna nga shteti, atëherë nuk kemi të bëjmë me krijim të ri vlere të shtuar.
Pasuria nuk shtohet—ajo thjesht ndryshon pronar nga pasuri publike e gjithë shoqërisë, në fitim privat për pak persona.
Në thelb ky është modeli ekonomik shqiptar: ai përqendron përfitimet ekonomike rentiere tek një grup i vogël dhe përjashton shumicën e shqiptarëve nga mundësitë dhe përfitimet ekonomike.
Sektor pas sektori shohim se si pasuritë publike dhe natyrore përdoren për të krijuar përfitime private, ndërsa faturat ekonomike, sociale, mjedisore dhe infrastrukturore i mbeten shoqërisë.
Koncesionet dhe PPP-të janë ndoshta rasti më i pastër. Shqipëria është mbushur me kontrata dhe privilegje ku fitimi privat është i garantuar, ndërsa rreziku transferohet te shteti dhe taksapaguesit.
Në këtë sistem sipërmarrësve u është hequr çdo rrezik që mund të humbin duke u lënë fitimin e sigurt, që është në kundërshtim me logjikën themelore të kapitalizmit ku shpërblimi dhe përparimi vjen pikërisht nga marrja e rrezikut në kushtet e konkurrencës së lirë.
Revolucioni i flamingove tregoi se ky model është veçanërisht i dukshëm në sektorët që mbështeten mbi pasuritë natyrore të vendit.
Protestat konfirmuan se konflikti që po ndodh në shoqërinë shqiptare nuk është mes zhvillimit dhe moszhvillimit, por mes privatizimit të fitimeve tek pak njerëz dhe shtetëzimit të kostove tek qeveria dhe shoqëria.
Tashmë është e qartë se kush do të përfitojë nga shitja e apartamenteve, vilave dhe rezidencave luksoze që do të ndërtohen mbi një pasuri natyrore që u përket të gjithëve dhe nga e cila përfitonin komunitete të tëra.
Nga ana tjetër, është e qartë se të gjitha kostot e këtij zhvillimi privat do t’i kalojnë shtetit, pra shoqërisë: kostoja e subvencioneve dhe lehtësive fiskale që do t’i jepen zhvilluesit; pagesat për infrastrukturën publike që duhet të ndërtohet (rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji); kostot mjedisore nga humbja e pazëvendësueshme e habitateve, biodiversitetit dhe peizazhit natyror; kostot e menaxhimit të mbetjeve dhe ndotjes që do prodhohet privatisht; kostot e shërbimeve publike shtesë (polici, zjarrfikëse, shëndetësi, administrim lokal); kostot e zëvendësimit ose restaurimit të dëmeve mjedisore; kostot sociale mbi komunitetet lokale (privimi nga veprimtari tradicionale të komunitetit si përdorimi i plazheve, kullotave apo peshkimi).
Nuk duhen harruar edhe kostot oportune, pra humbjen e mundësive të tjera ekonomike që një zonë e mbrojtur mund të gjeneronte përmes turizmit të qëndrueshëm, kërkimit shkencor apo ruajtjes së trashëgimisë natyrore për brezat e ardhshëm.
Por ndoshta shfaqja më revoltuese e këtij modeli të përhapur në çdo sektor të pasurive natyrore është në fushën e naftës.
Kompania kryesore e naftës në Shqipëri, që prodhon qindra milionë euro naftë për eksport çdo vit—në vitet më të mira ka arritur edhe 600 milionë dollarë në vit—nuk ka paguar asnjë qindarkë tatim fitimi për mbi dy dekada.
Duke fryrë shpenzimet, duke faturuar dhe kryer transaksione me kompani të fshehura në parajsa fiskale, sikurse tregon dosja e SPAK-ut për Bankers Petroleum, fitimet dhe detyrimet tatimore janë zhdukur.
Ndërkohë banorëve nuk u ka mbetur asgjë nga ari i zi, përveç tokave, ujit dhe ajrit të ndotur.
I njëjti model brutal shfaqet në sektorin minerar. Shqipëria ka të rëndësishme kromi, bakri, nikeli dhe minerale të tjera të cilat janë nxjerrë dhe eksportuar për dekada me radhë.
Në vitin 2024 eksportet e produkteve minerare ishin rreth 608 milionë dollarë ndërsa renta minerare që i mbetet ekonomisë shqiptare, sipas llogaritjeve të Bankës Botërore, ishte vetëm rreth 40–50 milionë USD në vit.
Kromi, bakri, hekuri çojnë miliona në xhepat e koncesionarëve ndërkohë që banorët e zonave minerare ngelen ende në varfëri kronike, ndërsa vendi nuk përfiton asgjë nga humbja e këtyre pasurive të jashtëzakonshme.
Përkundrazi, shtetit i mbeten skorjet, ndotjet, infrastruktura e dëmtuar dhe galeritë e shembura për t’i rehabilituar me paratë tona. Minerali bëhet i atyre, gropat dhe ndotjet na mbeten neve.
Ky realitet dëshmon atë që theksova më herët: debati nuk është nëse duam zhvillim apo jo; debati është çfarë zhvillimi duam.
Duam një model zhvillimi ku pasuritë kombëtare bëhen plaçkë që pasurojnë xhepat e një pakice dhe kosto për shumicën, apo një model ku të ardhurat e krijuara nga nafta, mineralet, bregdeti dhe asetet publike kthehen në mirëqenie për të gjithë taksapaguesit.
Asnjë vend nuk pasurohet duke shitur tokën, nëntokën dhe natyrën e vet, por duke i kthyer ato në kapital publik, institucione më të forta, shërbime më të mira dhe mundësi për brezat që vijnë.
Një shekull më parë Fan Noli shkruante për Shqipërinë e të përjashtuarve, të atyre që shihnin pasurinë të kalonte pranë tyre pa u bërë kurrë pjesë e saj.
Vargu i tij “pranë sofrës i pangrënë” tingëllon si këmbanë e mallkimit për të qenë i varfër pranë resorteve turistike, puseve të naftës dhe minierave të kromit.
Prandaj, zgjedhja që kemi përpara nuk është zgjedhje ekonomike apo ekologjike për fatin e flamingove. Është zgjedhje thellësisht jetike për marrëdhënien themelore midis pushtetit dhe qytetarëve.
A ekzistojnë pasuritë kombëtare për t’i shërbyer gjithë shoqërisë apo për të pasuruar një pakicë ekonomiko-kriminale që ka vënë nën kontroll pushtetin?
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të përcaktojë nëse do të mbetemi spektatorë të varfëruar të pasurive tona të tjetërsuara, apo do të bëhemi zotërues legjitimë të tyre.
Përndryshe, brezat e ardhshëm do ta kujtojnë këtë periudhë si kohën kur Shqipëria nuk i ktheu pasuritë e pafundme të saj në mirëqenie dhe liri për qytetarët e vet, të cilët emigruan masivisht për të gjetur mundësitë e munguara në Shqipëri.
Ata do të pyesin: kur Shqipëria ka qenë kaq e pasur, pse shqiptarët mbetën pranë sofrës të pangrënë?




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.