Flamuri i ‘Shqipërisë Etnike’ mbi Beograd, informacione kontradiktore për autorin (Foto)
Të gjithë duan të marrin autorësinë e ngritjes së flamurit të ‘Shqipërisë së Madhe’ mbi Beograd, por kush është pesoni që e bëri të mundur? Informacionet janë ende konfuze. Asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht. Mediat kosovare shkruajnë se janë disa shqiptarë nga Zvicra, por ka edhe informacione që “Shqipërinë Etnike” bashkë me Ismail Qemalin e Isa Boletinin e çuan në mes të Serbisë ,tre hackera shqiptarë nga Maqedonia.
MEDIAT KOSOVARE
Mediat kosovare shkruajnë sot se flamuri i Shqipërisë etnike që u ngrit mbrëmë mbi fushën e Beogradit, është vepër e shqiptarëve nga Kosova që jetojnë në Zvicër.
Gazetari dhe shkrimtari Faruk Tasholli, rrëfen për Telegrafin se flamurin shqiptar në qiellin e Beogradit e ngritën shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Zvicër, por për momentin, ata duan të mbesten anonimë.
Ja bashkëbisedimi i tij me një nga autorët e këtij akti:
“Pas mesnatës, pra rreth orës 1 e 30 minuta të ditës së sotme (15.10.2014), mora vesh për akterët që ngritën flamurin kombëtar shqiptar mbi stadiumin e Partizanit ne Beograd, ndërsa po zhvillohej minuta e 42 e ndeshjes Serbi-Shqipëri. Me njërin prej tyre që e njihja, menjëherë rashë në lidhje dhe bisedova shkurt për ngjarjen. Por, për momentin, ai deshi të mbetet anonim për opinion. Gjithashtu më luti që edhe shokët e tij të mbeten anonimë për momentin, pasi u bie shpesh rruga nëpër Serbi dhe mund të ballafaqohen me pasoja. Kur hyra në lidhje, ata veç ndodheshin ne Kroaci dhe nuk kishin më ndonjë rrezik”
Unë: Mora vesh se ti me disa shokë e ngritët flamurin kombëtar shqiptar mbi Beograd?
Ai: Po. Ishim dhjetë shokë nga Zvicra dhe atje shkuam me pesë vetura me tabela zvicerane. Ta kalonim kufirin nuk patëm vështirësi, pasi ne kishim pasaporta zvicerane. Por në stadium, pasi e panë se i kemi emrat shqiptarë, nuk na lanë të hymë. Atëherë thamë me vete: Pasi nuk na leni të hymë, do të hyjë flamuri ynë dhe do ta shihni edhe ju edhe ne.
Unë: Do të thotë ju flamurin e lansuat nga pozicionet jashtë stadiumit?
Ai: Po ashtu bëmë. E përdorëm një dron (mjet fluturimi për lojëra në qiell), si e keni parë, e lëshuam dhe ai fluturoi me flamur i komanduar nga ne. Në ndërkohë i lëshuam edhe dy dronë vëzhgues. Prisnim edhe dy lansime t’i bënim, por për shkaqe sigurie, pasi ndryshoi situata, u desh të largohemi.
Unë: Tash ku ndodheni për momentin?
Ai: E kemi kaluar kufirin Serbi-Kroaci dhe po udhëtojmë drejt Zagrebit. Tash po ndalemi edhe pak të pijmë nga një kafe dhe vazhdojmë.
Unë: Por unë desha që këtë ngjarje ta bëj publike, a ju prish punë?
Ai: Nuk na prish punë, por nuk e bëmë të lavdohemi ne, por veç deshëm të tregojmë se me gjithë ndalesat, shqiptarët në një mënyrë i keni në stadium. Ndërsa, sa i përket vërtetësisë së ngjarjes, ne i kemi bërë edhe videoincizimet dhe i kemi me vete, por sonte është vonë dhe nesër kah mesdita mbërrijmë në Zvicër. Të gjitha do t’i bëjmë publike. Disa gjëra i kemi dhënë edhe në Facebook, por me emra përkëdhelës.
Unë : Këtë bisedë po e jap për publik, e pastaj flasim nesër.
Ai: U bë, natën e mirë!
Pas bisedës, shikova profilin e bashkëbiseduesit në FB, prej nga kuptova se ai me disa familjarë vec kishte biseduar nga Beogradi për ngjarjen. Nga profili i tij i mora edhe fotot. Bashkëbiseduesi im është me prejardhje nga Lypjani dhe doktorant në njërin nga universitetet zvicerane.
AUTORET, 3 HACKERA NGA MAQEDONIA
Por përpos këtyre informacioneve, në rrjetet sociale po qarkullon një foto, mbi të cilën hidhen dyshime për ‘dorën e vërtetë’ që ngriti flamurin në Beograd,në stadiumin “Partizani”. Ka dyshime se personi që ngriti flamurin ne stadiumin e Partizanit të Beogradit i përket tifozëve të “Zhvercera”-ve nga Shkupi.
Ne faqen e tyre zyrtare ne Facebook ata kanë shkruar: “Selam pi Shkupit” osë më saktë: “Të fala nga Shkupi”. Kjo gjë lë për aludime të mundshme se personi në foto mund të jetë dhe autori i surprizës për uljen në fushën e gjelbër të flamurit të ‘Shqipërisë së madhe’.
(Në rrjetet sociale qarkullon edhe kjo foto e të rinjve nga Shkupi, të cilët marrin autorësinë e ngritjes së flamurit)
Në internet po qarkullon edhe një foto e një djali me emrin Agron Sadiku, që thuhet të jetë autori që dhuroi fluturaken e tij për këtë ‘mision’.