FOKUS – Islanda refuzon rifillimin e negociatave për anëtarësim në BE
BRUKSEL, 30 gusht /ATSH-DPA/ – Islandezët kanë votuar kundër rifillimit të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Sipas rezultateve zyrtare, 52,8% votuan kundër, ndërsa 47,2% pro.
Rezultati është një goditje për qeverinë e drejtuar nga socialdemokratët, e cila kishte premtuar një referendum për rihapjen e negociatave, pasi erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2024.
Kryeministrja Kristrún Frostadóttir, e cila kishte bërë fushatë për rifillimin e negociatave në BE, tha se qeveria do ta respektojë vendimin e qytetarëve.
Pse Islanda nuk dëshiron të rifillojë negociatat?
Çështja e anëtarësimit në BE është rikthyer në qendër të debatit për shkak të rritjes së tensioneve gjeopolitike, veçanërisht në Arktik dhe lidhur me sigurinë evropiane.
Mbështetësit e anëtarësimit argumentuan se lidhjet më të forta me Evropën do ta forconin sigurinë e Islandës, ndërsa kundërshtarët mendojnë se anëtarësimi do të dobësonte sovranitetin e vendit, veçanërisht kontrollin mbi ujërat dhe industrinë e peshkimit, një sektor shumë i rëndësishëm për ekonominë islandeze.
Kundërshtarët argumentuan gjithashtu se anëtarësimi në NATO dhe marrëveshja e mbrojtjes me SHBA-në, janë të mjaftueshme për sigurinë e vendit.
Islanda, me rreth 400 mijë banorë, aplikoi për anëtarësim në BE gjatë krizës financiare të vitit 2009, por procesi ka ngrirë që pas zgjedhjeve të vitit 2013.
Megjithatë, Islanda tashmë ka lidhje të ngushta me BE-në përmes Zonës Ekonomike Evropiane (EEA) dhe është pjesë e zonës Shengen, që mundëson udhëtimin pa viza mes vendeve pjesëmarrëse.
Rezultati i referendumit shihet si një sinjal negativ për BE-në, në një kohë kur forcat euroskeptike po fitojnë terren në disa vende anëtare. /

Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.