Gabimini Ramës dhe i PS në mbrojtje të Ballukut

SPAK-u vuri nën hetim zëvendës kryeministren Belinda Balluku. Ju bllokua dhe pasaporta që të mos udhëtojë jashtë Shqipërisë. Deri sa ajo nuk dha dorëheqje, (sepse institucioni i dorëheqjes në Shqipëri nuk njihet), kryeministri Rama duhej ta kishte pezulluar zonjën Balluku. Do t’i hapej rruga drejtësisë për të hetuar qetësisht tenderin e shumëpërfolur të Llogorasë. Pezullimi nuk është braktisje, po një masë administrative e përkohshme deri sa çështja të sqarohet plotësisht. Kryeministri, kuptohet Partia Socialiste, krejt hapur i bëri karshillëk hetimit të nisur nga SPAK-u. Kushdo në Shqipëri, po sidomos ai si i pari i qeverisë e mirëdi se nga aferat e tenderave janë vënë nën akuzë (shumë edhe janë prangosur) disa ministra, një zëvendës kryeministër dhe dhjetëra kryebashkiakë të qeverisë së tij. Deri sa abuzimet korruptive të tenderave janë një gjë e zakonshme, një sëmundje alla PD-PS, pse apriori, duke vënë në dyshim hetimin e SPAK-ut, ai jo vetëm heshti, po nuk veproi? Ai që gjithmonë ka përsëritur që kush ka punë me drejtësinë të ballafaqohet vetë, duke nënkuptuar hapur se partinë nuk ka për ta pasur në krahë. Mos vallë sepse ju bënë shumë ”besnikë ” të tij që e kanë prerë në besë apo se mos vallë për çështjen në fjalë mund dhe ai të jetë implikuar direkt ose indirekt?! Uroj me gjithë zemër që ai të mos jetë ortak me Ballukun. Mbase po e mbron për të mos rënë fare poshtë autoriteti i partisë. Për të dyja rastet qëndrimi që po mban është krejt i gabuar. Çfarë pasoje negative pati mos shkarkimi i zonjës Balluku? Prokurorët për të qenë sa më profesionale në procesin e hetimit, dyshuan që e akuzuara, duke pasur atë post të lart administrativ, mund të prishte provat. Ndoshta ( teorikisht e pranueshme) mund të vazhdonte të bënte edhe veprime të tjera duke shkelur ligjet. Këto dyshime serioze bënë që prokurorët e SPAK-ut të gabonin. Po, po gabuan… Punonjësit e prokurorisë shkuan drejt e në Kryeministri dhe pezulluan zëvendës kryeministren ?! Shkurt hesapi: e nxorën jashtë nga zyra. Me këtë veprim të ngutur dhe jo profesional, SPAK kapërceu kompetencat që ka. Kryeministri Rama e kapi këtë ” ngutje” të prokurorëve dhe u ankua në Gjykatën Kushtetuese. Ishte e drejta e tij, sepse nuk mund të shkarkosh nga detyra një deputete dhe zëvendës kryeministre pa iu drejtuar më parë Parlamentit. Doli që ( deri sa të japë vendimin përfundimtar në janar 2026) Gjykata Kushtetuese urdhëroi që zëvendës kryeministrja të kthehet në detyrë. Ky vendim tejet profesional i Gjykatës Kushtetuese nuk u pëlqeu prokurorëve. Edhe si shqiptarë inatçorë e hatërmbetës, ata menjëherë iu drejtuan Parlamentit, duke kërkuar heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, kur për të duhet të pritej vendimi i gjykatës eprore. Opozita e përçarë ,që deri tani çfarë nuk ka shpifur për SPAK-un dhe Altin Dumanin, e brohoriti vendimin e tyre. Socialistët, që ngulin këmbë si mushka në mbrojtje të Ballukut, nuk e votuan heqjen e imunitetit të saj. Kryeministri Rama tha se kemi për të votuar vetëm kur Gjykata Kushtetuese të japë vendimin e saj. Juridikisht pohimi i tij është shumë normal. Nuk kanë pse të nguten pa vendosur Gjykata eprore. Moralisht përgjigja e tij, për mendimin tim, është e gabuar. Çfarë pret Zoti Rama që Kushtetuesja të thotë: të mos hetohet Balluku se është zëvendës kryeminstre?! Vetëm po të jenë të çmendur, të frikësuar ose të blerë ata mund të ndalojnë SPAK-un për ta hetuar atë. Është tjetër gjë nëse Kushtetuesja ka për të vendosur që e akuzuara të hetohet, duke qenë zëvendës kryeministre. Mund të thonë të shkarkohet që të hetohet në gjendje të lirë ose të arrestohet në paraburgim apo në shtëpi. Të tëra këto mundësi nuk favorizojnë të akuzuarën, Kryeministrin dhe PS-në. Juristët e Kushtetueses kanë për të kërkuar që hetimi të vazhdojë. Detyra e SPAK-ut është të hetojë edhe korrupsionin e majës së Piramidës. Hetimi edhe për tenderat për të cilat akuzohet zëvendës kryeministrja aktuale ka për të përfunduar për të gjithë të akuzuarit. Nga kjo del se Rama dhe PS nuk mund të fitojnë gjë nga mbrojtja e kotë që i bëjnë zonjës Belinda. Edhe procesi gjyqësor ka për t’u zhvilluar. Është tjetër gjë nëse PS do të vërejë që akuzat kanë për të qenë të trilluara. Po të jetë ashtu, Rama ka të drejtë t’i drejtohet Strasburgut. Atje nuk ka anësi ose injorancë profesionale. Atje ndahet ndershmërisht shapi nga sheqeri si për rastin e ish drejtorit të RTSH-së Thoma Çëllçi, që Strasburgu hodhi poshtë vendimin arbitrar të Drejtësisë sonë të re, d.m.th. të SPAK-ut. Pra, nuk është se dhe SPAK-u nuk gabon. Po të jetë e papërlyer zonja Balluku (për këtë lutem) në rast se e drejta e saj njolloset në Tiranë Strasburgu e kthjellton duke vënë në vend dinjitetin e saj, të PS-së dhe çdo të dënuari pa faj.



