Amerika

Gara për Presidencialet zhvendoset në New Hampshire

Republikanët dhe demokratët, që kërkojnë biletën e partisë së tyre për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, kanë mbërritur në New Hampshire, ku zhvillohen parapraket e radhës, pas nisjes së procesit përzgjedhës në Iowa të hënën.

Fitues i këtyre të fundit ishte Ted Cruz ga republikanët dhe, pas shumë paqartësish në kampin demokrat, triumfuese rezultoi Hillary Clinton, e cila mundi rivalin e saj të madh Bernie Sanders me një diferencë tmerrësisht të ngushtë votash prej vetëm 0,3%.

New Hampshire është një sfidë krejt ndryshe për të dyja partitë. Konservatori Cruz do ta ketë më të vështirë të rrëmbejë, në zgjedhjet e 9 shkurtit, votën e një elektorati më të moderuar dhe më pak fetar, sesa ai që ndeshi këtë fillimjavë.

Donald Trump, prej kohësh kryesues i garës republikane, pritet të shënojë në New Hampshire rezultate më të kënaqshme se ato të Iowas, ku përkundër anketimeve paraelektorale që profetizonin triumfin e  tij, u rreshtua i dyti pas senatorit të Teksasit, në provën e parë zyrtare të fushatës presidenciale.

Nga demokratët ndërkohë, Sanders konsiderohet ta nisë garën me avantazh në këtë shtet, duke qenë se është senator i Vermontit fqinj. Që përpara se të shpallej zyrtarisht rezultati i Iowas dhe fitorja aq e ngushtë e Hillary Clintonit, ai ishte ngjitur në rimorkion e sheshtë të një kamioni e përshëndeste simpatizantët në qytetin Boë.

Duke i thënë turmës se fushata e tij “befasoi të gjithë botën” me performancën e Iowas, 74-vjeçari premtoi “të çudisë sërish” në votimet  e radhës. Pa e fshehur kënaqësinë e një fitoreje të vështirë, Clinton deklaroi se ndihet krenare që shkon në New Hampshire me votën e Iowas në xhep.

“Kam fituar e kam humbur në atë vend dhe ju them se, është shumë më mirë të fitosh”, u shpreh ish-shefja e diplomacisë amerikane, duke iu referuar humbjes atje në 2008-n. Votimi shtet më shtet kulmon në konventat e korrikut, ku dy partitë do të konfirmojnë kandidatët e tyre për Shtëpinë e Bardhë.

Nga aty, të nominuarit dhe çdo parti e tretë apo kandidatët e pavarur, do t’i hyjnë “me mish e me shpirt” fushatës energjike për Presidencën amerikane, deri në ditën e votimit kombëtar final më 8 nëntor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button