Kosova

Gazetarët të sulmuar e të kërcënuar, drejtësia hesht

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve vazhdojnë të jenë problem për gazetarët kosovarë. Në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës thonë se këtë vit janë raportuar 24 raste të sulmeve e kërcënimeve ndaj gazetarëve. Sipas drejtuesve të AGK-së dhe KMSHK-së, shqetësues është reagimi jo adekuat i institucioneve në ndëshkimin e këtyre krimeve, çka edhe po stimulon individë të caktuar për të sulmuar gazetarët.

Sot shënohet 2 Nëntori – Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve kundër gazetarëve. Kjo ditë, Kosovën po e gjen me pak rezultate në ndëshkimin e krimeve kundër gazetarëve. Në Kosovë, situata me sigurinë e gazetarëve s’është aspak e kënaqshme, thotë për Radio Kosovën drejtorja ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve, Getoarbë Mulliqi – Bojaj.

“Për vitin 2022, kemi të raportuara në AGK 24 raste të sulmeve dhe kërcënimeve kundrejt gazetarëve. Ne, nuk besojmë se këto janë vlera reale. Sulmet kryesisht bëhen nga persona që janë me ndikim dhe kjo po rrezikon profesionin gazetar dhe demokracinë në vend, sepse, puna e një gazetari është të informojë publikun. Nga viti i kaluar ka degraduar edhe më shumë situata”, thotë ajo.

Përkundër interesimit, nga Policia Kosova nuk kanë treguar se sa është numri i sulmeve dhe kërcënimeve të raportuara nga gazetarët, këtë vit.

Ndërkohë, Mulliqi – Bojaj, teksa tregon se gjatë viti 2021 vetëm në një rast janë ndëshkuar sulmuesit, shprehet e pakënaqur me punën e institucioneve gjegjëse në ndëshkimin e krimeve kundër gazetarëve.

“Dënimet nuk janë aspak konform ligjeve dhe veprës kriminale të kryer kundrejt gazetarëve. Dënimet janë kryesisht me gjobë, që do të thotë se inkurajojnë sulmuesit që të kryejnë krime kundrejt gazetarëve. Pra, mjafton që të kesh para për të paguar dënimin dhe mund të vazhdosh me sulme ndaj gazetarëve”, tha ajo.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Medieve të Shkruara, Imer Mushkolaj, thotë se çdo 2 nëntor flitet për problematikën që sjell mosndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve, por më pas pak bëhet në këtë drejtim.

“Është shumë interesant, kur kemi të bëjmë me rastet e ndëshkimit të çfarëdo sulmi ndaj ndonjë politikani, organet përkatëse tregohen shumë efektive. Ndërsa kur bëhet fjalë për gazetarët, mediet dhe sulmet e krimet ndaj tyre, rastet ose nuk adresohen sa e si duhet, ose zgjasin pa kufij. Dhe kjo në një farë forme gazetarët i bënë shumë më të pa sigurt në punën e tyre, ndërkaq i stimulon të gjithë të tjerët se qenka shumë e lehtë të sulmohen gazetarët dhe mediet, ose të kryhen krime ndaj tyre, pa e pasur frikën se për veprimet e tyre mund të ndëshkohen nga organet e drejtësisë”, tha Mushkolaj.

Në vitin 2013, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, shpalli 2 nëntorin si “Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve kundër gazetarëve” me një Rezolutë që dënon sulmet dhe dhunën ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medieve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button