Gjermani, sulmet seksuale të refugjatëve vendosin në vështirësi kancelaren Merkel
Numri i akteve të dhunës të regjistruara mbrëmjen e ndërrimit të viteve në qytetin gjerman të Këlnit është rritur në 516; 40% janë ngacmime të natyrës seksuale. Shifrat e reja të ofruara prej vetë policisë janë më të larta sesa 379 rastet e raportuara të shtunën.
Shumica e të dyshuarve janë azilkërkues dhe emigrantë të paligjshëm nga Afrika e veriut. Autoritetet tani gjenden nën presionin të zbulojnë nëse seria e sulmeve të natës së Vitit të Ri në Këln është e lidhur me incidentet e ngjashme në disa qytete të tjera të vendit.
Ministri i Drejtësisë, Heiko Maas i përcolli gazetës “Bild” bindjen e tij se sulmet kanë qenë të parapërgatitura: “Nëse hordhi të tilla mblidhen bashkë për të kryer krime, atëherë kjo në njëfarë mënyre është e organizuar. Nuk del dot njeri të më thotë mua sot se veprime të tilla nuk ishin koordinuar apo përgatitur që përpara”.
Nuk u desh shumë që ngjarjet tronditëse të ktheheshin në armë për kritikët e politikës së dyerve të hapura të Angela Merkelit. 11 milionë azilkërkues kanë hyrë në Gjermani gjatë vitit 2015, pikërisht falë këmbënguljes së saj. Por ngjarje të tilla i japin krahë mbështetësve të linjës së ashpër edhe jashtë Gjermanisë. Analistët mendojnë se pas këtyre episodeve, kancelarja gjermane do ta ketë mjaft të vështirë edhe në Bruksel.
Kompromisi, edhe kështu aspak i lehtë për shpërndarjen e drejtë të emigrantëve në vendet anëtare të bllokut, tani duket fare i pamundur. Veprimet e atyre qindra të huajve në Gjermani kompromentojnë me mijëra të tjerë, pasi ushqejnë bindjen se refugjatët, sidomos ata myslimanë, janë të rrezikshëm.
Aq të rënduar e shohin situatën ekspertët, sa një pjesë thonë se Merkeli tanimë nuk ka shumë rrugëzgjidhje: kancelares ose do t`i duhet të ndryshojë politikën e saj, ose do të largohet. Nga gjendja e krijuar po përfitojnë në maksimum partia populiste e djathtë “Alternativa për Gjermaninë“ dhe grupe të tjera që mbledhin demonstruesit me parulla sipas tyre kundër islamizimit e kundër të huajve.
Numri i sulmeve kundër kampeve të refugjatëve në vend nuk ka qenë kurrë më i lartë se sot, ndërsa tema e Këlnit kapërcen edhe kufijtë e Evropës. Kandidati presidencial republikan në SHBA Donald Trump, i njohur tashmë për qëndrimin armiqësor ndaj myslimanëve, nuk la pa komentuar mbi incidentet dhe shkroi në rrjetin social Twitter se Gjermania po sulmohet nga emigrantët, të cilëve vetë u lejoi hyrjen.