Gjermania, në linjën e Amerikës: Kosova i kontrollon vet kufijtë, edhe veriun
Provokimet e shtetit serb, për presidentin e Kosovës Hashim Thaçi do të vazhdojnë derisa ai ta njohë Kosovën e të heqë dorë nga politikat hegjemoniste dhe nacionaliste.
Kreu i Republikës së Kosovës sqaroi edhe njëherë se, ndalimi i trenit serb të propagandës ishte një vendim sovran i autoriteteve përgjegjëse kosovare, aq më tepër kur edhe autoritetet ndërkombëtare ishin njoftuar se lëvizja e trenit do të ndalohej.
Pas Ambasadës amerikane në Prishtinë, në mbrojtje të veprimit të Kosovës ka dalë dhe përfaqësia diplomatike gjermane.
“Kosova, si shtet i pavarur ka të drejtë të vendosë se kush hyn në pikat kufitare të saj”, citohet të ketë thënë ambasadorja Angelika Viets. “Gjermania, – argumenton ajo, – e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, e kjo edhe për veriun e vendit”.
Viets komentoi edhe murin ndarës, të vendosur nga autoritetet lokale të Mitrovicës Veriore, me mbështetjen e Beogradit. “Më vjen keq që Qeverise së Kosovës i duhet të merret vazhdimisht me probleme të cilat i imponohen”, ka theksuar diplomatja e lartë gjermane.
Burime pranë ekzekutivit kosovar thonë se rrëzimi i murit të ngritur pranë urës kryesor mbi lumin Ibër është një vendim i panegociueshëm. Prishtina zyrtare nuk e diskuton shembjen e tij, megjithatë nuk ka dhënë ende ndonjë afat kohor se kur do të realizohet shembja.
Mediet kosovare raportojnë ndërkohë se, në Serbi kanë nisur të shpërndahen fletushka të Ministrisë së Mbrojtjes, ku ftohen serbët për mobizilim ushtarak. Njerëzit udhëzohen të marrin me vete letërnjoftimet kur të paraqiten pranë autoriteteve, e sqarohen se regjistrimi ka nisur në datën 16 janar.