Ekonomia

Gjiknuri: Qeveria program konkret për uljen e konsumit të energjisë elektrike

Ministri-Gjiknuri-ne-konferencen-me-teme-“Politikat-e-efiçiences-se-energjise-ne-Ballkan-Mundesi-bashkepunimi-rajonal”.Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, theksoi sot se “qeveria shqiptare ka një program konkret dhe po merr disa masa të rëndësishme në fushën e eficencës së energjisë, masa të cilat shpresojmë se do të sjellin gradualisht uljen e konsumit të energjisë elektrike”.
Konferenca dy-ditore me temë “Politikat e efiçiencës së energjisë në Ballkan: Mundësi bashkëpunimi rajonal”, që nisi sot, organizohet nga Ministria e Energjisё dhe Industrisё sё Shqipёrisё dhe “Balkan Forum”, me mbёshtetje tё Rockefeller Brothers Fund.

Nё tryezё morën pjesё pёrfaqёsues nga ministritё e linjёs sё disa prej vendeve tё Ballkanit, pёrfaqёsues tё Balkan Forum, Komisionit Evropian, UNDP-sё, Rockefeller Brothers Fund etj.

Në fjalën e tij ministri Gjiknuri tha se “qeveria do të mund të krijojë fondin e efiçencës së energjisë që për herë të parë parashikohet në ligjin e ri për efiçencën, i cili po përgatitet dhe për të është marrë dhe mbështetja e Komunitetit të Energjisë”.

“Qeveria është e vendosur që paralelisht me luftën pa kompromis ndaj fenomenit të vjedhjes së energjisë, të ndërgjegjësojë opinionin publik për vlerën, avantazhet që sjell efiçenca energjitike, por dhe të promovojë politikat dhe investimet që shkojnë në këtë drejtim”, nënvizoi Gjiknuri.

Kursimi i energjisë, vijoi ai, nuk do të thotë të kufizosh aktivitetet e tua jetësore, por t’i menaxhosh ato e njëkohësisht të arrish të kursesh energji.

“Shqipëria duhet të kushtojë vëmendjen e saj dhe të tregojë shumë kujdes dhe duhet t’i shfrytëzojë këto burime. Sot, ne përballemi me një nivel të lartë të humbjeve të energjisë, që janë humbje teknike ose jo teknike, të cilat kryesisht vijnë nga abuzimi. Në Shqipëri konsumojmë energji më tepër se ç’duhet. Nga viti në vit rritet kërkesa dhe përdorimi i energjisë, ndonjëherë në situata që nuk shkojnë në proporcion me rritjen ekonomike”, u shpreh Gjiknuri.
Sipas tij, përmirësimet në efiçencën e energjisë janë të rëndësishme, pasi në radhë të parë zvogëlojne shpenzimet për energji, rrisin konkurrencën e ekonomive rajonale dhe krijojnë mundësi të reja pune.

“Qeveria do të miratojë një Plani-Veprimi të qëndrueshëm në përputhje me Direktivën e BE dhe udhëzimet e Komunitetit të Energjisë. Do të implementojmë Direktivat e BE për efiçencën nëpërmjet transpozimit të normave dhe rregullave të BE në legjislacionin shqiptar, si dhe do të nxisim sektorin publik, ashtu si në vendet e BE, që të marrë rolin e liderit në zbatimin e projekteve për efiçencën e energjisë, duke filluar që nga ministritë, spitalet, shkollat, institucionet e tjera publike”, tha ministri Gjiknuri.

Në këtë fushë, shtoi ai, në vitet e fundit Shqipëria ka patur disa projekte konkrete, edhe nga donatorë konkret siç është Kfë e Gjermanisë apo para të Bashkimit Evropian që janë përdorur me efikasitet në investime në disa godina publike, në arsim apo projekte të tjera.

Ministri Gjiknuri tha se do t’i kushtojmë rëndësi aplikimit të teknologjive të reja për përdorimin me efiçencë të energjisë. Do të nxisim në aspekte të ndryshme si në atë të financimeve të sipërmarrjeve të reja në këtë fushë, lehtësira për importin e pajisjeve për rritjen e efiçencës së energjisë. Do të miratohet dhe forcohet kodi i ndërtimit si dhe aplikimi i standarteve të reja për efiçencën për pajisjet dhe aparaturat e tjera elektroshtëpiake.
“Kjo tryezë synon që të promovojë dhe të nxisë bashkëpunimin për përdorimin sa më efiçent të burimeve energjetike”, tha Gjiknuri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button