Gjykata Kushtetuese, Dedja: Të përcaktohen kriteret e emërimit të gjyqtarëve
Reforma në Gjykatën Kushtetuese duhet të fokusohet tek procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë, deri tek parashikimi ligjor që duhet të prekë edhe dorëheqjen e gjyqtarit, si dhe zgjidhjen e problemit të kuorumit.
Në një intervistë për Top Channel, kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja thotë se ligji duhet të jetë i qartë.
“Për më tepër, kriteret e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj për kandidatët e rinj janë të përgjithshme e që parashikojnë se duhet të kenë 15 vjet juristë dhe me kualifikim të lartë profesional. Çfarë presupozohet me këto, kualifikimin e lartë apo juristin e shquar? Vlerësimet mund të jenë subjektive dhe po ashtu edhe qëllimet e aktorëve që marrin pjesë në përzgjedhjen e gjyqtarëve të rinj. Dhe Gjykata Kushtetuese ka vendime për këtë kur është bërë objekt konflikti dhe është orientuar tek ligjvënësi për kriteret përkatëse. Së dyti, duhet bashkëpunim mes institucioneve, mes presidentit dhe ligjvënësit. Ajo që kërkohet, meqenëse po bëhet reforma, është që këto kritere dhe mënyra e bashkëpunimit të jenë të detyrueshme dhe bashkërenduese”, thotë Dedja.
Më tej, për zotin Dedja, për të evituar problematikën në Gjykatën Kushtetuese duhen prekur në ligj edhe çështje të tjera që hasen në përditshmëri, siç edhe përcaktimi me ligj se kush duhet të veprojë në rastet kur nuk ekzekutohen vendimet e Kushtetueses.
“Së pari, kjo ka të bëjë me aksesin e qytetarëve tek Gjykata Kushtetuese, ku sipas ligjit shqiptar afatet janë të paarsyeshme dhe shumë të gjata. E drejta e individit për t’iu drejtuar GJK është dy vjet, ndërsa vetë gjykata ka 6 muaj, që është e paarsyeshme. E dyta ka të bëjë me sigurinë juridike, sepse duke qenë afati kaq i gjatë qytetarët janë në rrezikun e rihapjes së procesit gjyqësor. Po ashtu, afati për të kundërshtuar një ligj në GJK është 3 vjet, ndërkohë që shumë shtete e kanë më të ulët. Kjo ka të bëjë me pasigurinë juridike sepse në momentin që shfuqizohet ligji ai sjell pasoja. Problem tjetër është nëse duhet t’u njihet shqiptarëve e drejta për të kundërshtuar ligjet në Gjykatën Kushtetuese? Ne nuk e kemi këtë, ndërsa shumë vende të tjera e kanë. Këtu qytetarët mund të vijnë për shkelje të të drejtave të tyre, por jo për një akt ligjor”, thotë Dedja.
Zoti Dedja i rikthehet sërish rishikimit të Kushtetutës, por që kësaj radhë duhet të jetë i studiuar.
“Ndërhyrja duhet të jetë e studiuar, shumë e kujdesshme dhe për të arritur qëllime madhore. Sepse Kushtetuta është akti themeltar i shtetit dhe është boshti i tërë infrakstrukturës ligjore të shtetit. Për më tepër, ndërhyrja duhet të jetë e kujdesshme sepse duke u përpjekur që të zgjidhet një problem sot mund të dalë një problem i ri nesër dhe do duhet sërish ndërhyrje”, nënvizon Dedja.
Por kur kemi te tille gjyqtare te kuahtetueses domosdo nje vere ne uje do bejme, kjo gjykate duhet te shkrihet e te behen pjese e gjykates se larte edhe keta 9 gjyqtare., kompetencat e kesaj ti marre gjykata e larte.Keta hane buken kot, pare e madhe pa vlere.