Google Maps tani sjell edhe shërbimet e Uber dhe OpenTable
Më në fund, Google i ka dhënë edhe shërbimit të saj të hartave, Google Maps ri-dizajnimin e duhur dhe të pritur, dhe i njëjti është më shumë sesa vetëm pamje e re e aplikacionit.
Versionet e reja të Maps në Android dhe iOS fokusohen në grafika të thjeshta dhe animacione të gjalla, që përfshijnë edhe gjuhën e re të dizajnit të Google, mirëpo aplikacioni tani sjell edhe rezervimet e tavolinave në restorante përmes integrimit të OpenTable.
Përdoruesit e Google Maps në SHBA tani mund ta rezervojnë restoranin e tyre të preferuar nga aplikacioni i hartave direkt, pa pasur nevojë të hapin ndonjë faqe apo aplikacion tjetër.
Ndërsa, në versionin e ri të Maps, Google ka përfshirë edhe më shumë opsione sa i përket navigimit dhe gjetjes së drejtimeve të kërkuara. Kjo, pasi që përditësimi i ri në Maps ofron edhe mundësinë e thirrjes dhe kalkulimit të kostos së shërbimeve të Uber., dhe më pas ju mund ta vlerësoni vetë nëse ju bie më lirë që të udhëtoni me autobus.
Përditësimi i ri i Maps do të vijë në ditët e ardhshme edhe në Android, por edhe në iOS.